Një diskutim i madh është bërë sa i përket fituesit të Topit të Artë në këtë edicion. Në fakt gjithmonë ka ndodhur të ketë diskutime, por këtë herë skandali është bërë më i madh pasi emri i fituesit u mësua zyrtarisht një ditë më parë. Për këtë arsye asnjë pjesëtar i Real Madridit nuk mori pjesë në ceremoni duke anuluar të gjitha udhëtimet. Pritshmëria ishte e lartë që Vinicius Junior të merrte vendin e parë, por në fakt ishte Rodri që fitoi.

Florentino Perez doli me një deklaratë të pazakontë duke gjetur arsyen se përse lojtari i tij nuk fitoi Topin e Artë. Sipas tij, katër shtete ishin fajtore, mes tyre edhe Shqipëria. “Rodri është lojtar i madh, ka vlerësimin tonë, por e meritonte Topin e Artë vitin e kaluar, jo këtë vit. Pa votat e gazetarëve nga Uganda, Nambia, Shqipëria dhe Finlanda, Vinicius do ta kishte fituar Topin e Artë. Të paktën gazetari nga Finlanda dha dorëheqjen dhe jam mirënjohës”, tha Perez.

Në këtë mënyrë Perez jo vetëm që kërkonte të gjente alibinë, por njëkohësisht e futi Shqipërinë, Ugandan dhe Nambian si vende të dorës së tretë që marrin një peshë të madhe për të vendosur sa i përket fituesit të Topit të Artë, çmimit më të madh prestigjioz për një futbollist.

Një reagim brilant ka ardhur së fundmi nga një media spanjolle sa i përket kësaj teme, “Cadenaser”. Më poshtë gjeni shkrimin e kësaj media që i kujton Perez se ditën kur Benzema fitoi Topin e Artë, i pëlqyen votat e Shqipërisë që tashmë e kritikon pasi nuk e ka në favor.

“Presidenti i Real Madrid ka vënë në pikëpyetje nëse përfaqësuesit e Shqipërisë, Finlandës, Ugandës dhe Nambias, e meritojnë që të votojnë para disa shteteve të tjera. Perez ka përdorur disa argumenta për të shprehur këtë mospajtim të tij me sistemin e votimit të organizuar nga France Football dhe UEFA.

Indinjata e tij ishte me vende si Namibia, Uganda, Shqipëria dhe Finlanda, sa i përket votimeve të tyre. Sipas Perez, nëse këto vende nuk do të votonin, Vinicius do të fitonte Topin e Artë. Nuk duhet të ktheheni shumë kohë më larg për të kujtuar një lojtar të Real Madridit që fitoi Topin e Artë. Dhe në atë votim, votat e këtyre vendeve që Perez përmendi, e bën që të buzëqeshte. Në atë kohë Shqipëria, Finlanda dhe Uganda, i dhanë vlerësimet dhe notat më të larta Benzemas. Sigurisht, në atë moment i pëlqeu pasi i kishte në favor”, shkruan media spanjolle. /Sport Ekspres/