Nga Endri ÇINARI

Futbollistët shkodranë ndër vite kanë lënë gjurmët e tyre të suksseshme tek skuadra e Partizanit. Duke nisur që nga vitet e diktaturës, post komunizmit apo edhe në ato të fundit, me emra të ndryshëm nga Shkodra që kanë bërë historinë me 17 herë kampionët e vendit tonë. E duket se i rradhës që do ndjekë këtë traditë të suksseshme do jetë Nebi Qokthi.

Sulmuesi shkodran i cili prej disa vitesh është pjesë e akademisë së futbollit, Partizani, tashmë i është bashkuar skuadrës së parë. Nën urdhërat e trajnerit, Skënder Gega, 18-vjeçari është afruar nga tropojani. I cili ka preferuar ta ketë Qokthin nën një vëzhgim më të detajuar, duke e pasur pjesë të skuadrës për fazën përgatitore që po zhvillojnë të kuqtë në Maqedoninë e Veriut.

Kjo nuk është hera e parë që Qokthi stërvitet me ekipin e parë të “demave”, pasi ka qenë shpesh pjesë e seancave stërvitore edhe gjatë sezonit të shkuar. Por tashmë ai duket se do jetë pjesë e plotë e skuadrës në sezonin e ri dhe ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e sulmuesit. I cili shpejt pritet të firmosë edhe kontratën e tij të parë si profesionist me kryeqytetasit.

Karrierën e tij si shumica e fëmijëve shkodranë e ka nisur tek akademia Vllaznia. Ku djaloshi ka qëndruar nga viti 2013 deri në vitin 2021. Më pas ai ka kaluar në rradhët e akademisë së njohur në vendin tonë, asaj të Shkëndijës së Tiranës në vitin 2022. E tashmë prej dy vitesh pjesë e Partizanit, ku me të kuqtë ishte edhe kapiten i skuadrës U-19 gjatë sezonit të shkuar, duke shënuar edhe 15 gola në kampionat.(www.shkodrasport.com)