Është mbyllur me sukses turneu i Shoqatave Rajonale për ekipet e moshës U-14 për vajza, me zhvillimin e ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale. Ekipet pjesëmarrëse ishin të ndara në dy grupe. Grupi i parë përfshinte Fierin, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa grupi i dytë Tirana, Durrësi dhe Shkodra.
Pas përfundimit të fazës së grupeve, në gjysmëfinale u përballën ekipi rajonal i Korçës me përfaqësuesen rajonale të Shkodrës, dhe ekipi rajonal i Fierit me përfaqësuesen rajonale të Tiranës. Në këto ndeshje, përfaqësuesja rajonale e Shkodrës mundi Korçën me rezultatin 5-0, ndërsa përfaqësuesja e Tiranës triumfoi ndaj Fierit me rezultatin minimal 1-0.
Në finale, Shkodra u përball me Tiranën, ku vajzat shkodrane arritën të fitojnë me rezultatin 1-0, duke u shpallur kampione të turneut.
Kupën e turneut e dorëzoi trajneri i Kombëtares Shqiptare U-19, Juljan Ahmataj, për ekipin fitues të Shkodrës, i drejtuar nga trajnerja Paula Jaku. Në këtë mënyrë drejet Shkodrës vjen edhe një tjetër trofe, çka tregon se futbolli i femrave në Shqipëri kur bëhet fjalë për trofe e sukses, ka vetëm një emër, atë të kryeqendrës së Veriut.
Ky turne ka për qëllim kryesor rritjen e cilësisë së lojtareve dhe evidentimin e talenteve të rinj që luajnë në kampionatet rajonale të organizuara nga FSHF.