Kombëtaret u-19 kanë nisur fushatën kualifikuese në këto ditë. Të gjitha ekipet përfaqësusese të kontinentit do ndeshen mes tyre për të nxjerrë të kualifikuarat për në europian. Krahas Shqipërisë së Cungut që u mund nga Franca në shifrat 4-0, protagonistë ishin edhe disa lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare.

Kështu në ndeshjen tjetër të grupit të Shqipërisë mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veirut që përfundoi në shifrat 2-1 për serbët, golin për maqedonasit e shënoi Behar Feta.

Sulmuesi me origjinë shqiptare gjeti rrugën e rrjetës kur rezultati ishte 2-0 për serbët. Po ashtu për Maqedoninë e Veriut u aktivizuan edhe Reshat Ramadani, Samet Rexhepi, Xhemil Jahiji, Oktaj Rakipi dhe Dashmir Elezi.

Një koloni shqiptare tek maqedonasit. Po ashtu Zvicra kishte të aktivizuar Albian Hajdarin dhe në stol Benjamin Hasanin në humbjen 2-1 kundër Suedisë. Greqia gjithashtu në humbjen kundër Rusisë 1-0 pati në fushë për 90 minuta mesfushorin shkodran, Andreas Ndoj.

Kjo tregon edhe njëherë për gjeografinë e gjerë të shpërndarjes së futbollistëve shqiptarë. Pavarësisht se në këto mosha ata përfaqësojnë kombëtare të tjera, kjo nuk i penalizon në të ardhmen për të luajtur me kombëtaren e parë të Shqipërisë.
Endri ÇINARI