Çfarë nisi si një spekulim i largët merkatoje, duket se po merr gjithnjë e më shumë formë konkrete. Një shkëmbim mes Juventusit dhe Milanit që do të përfshinte Dushan Vlahoviçin dhe Teo Hernandezin.
Fillimisht u konsiderua si fantazi, një ide që ushqen rrjetet dhe gazetat, por që rrallë bëhet realitet, por tani, dy klubet më të mëdha të Italisë po e shohin me seriozitet këtë mundësi. Ende nuk mund të flitet për një negociatë të mirëfilltë, por si bardhezinjtë, ashtu edhe kuqezinjtë kanë nisur sondazhet dhe kanë vlerësuar se ky operacion është i realizueshëm dhe potencialisht i dobishëm për të dyja palët.
Ka logjikë në këtë lëvizje pasi si Vlahoviç, ashtu edhe Teo janë në skadencë kontrate në vitin 2026, por me dëshirën për të ndryshuar ambient, ndërkohë që të dy vlerësohen shumë nga trajnerët përkatës dhe do të ishin titullarë të padiskutueshëm në klubet respektive. Masimiliano Alegri, që rikthehet në stolin e Juventusit, e ka identifikuar Vlahoviçin si sulmuesin ideal për sistemin e tij.
Një “9” që garanton dyshifrorin e golave dhe që, në rast shkëmbimi, do të shmangte shpenzime të mëdha në treg. Nga ana tjetër, Teo Hernandez është një profil që mund të rrisë ndjeshëm cilësinë e Juventusit në krahun e majtë dhe zë vendin e një pozicioni ku bardhezinjtë kanë pasur boshllëqe prej kohësh. Për më tepër, të dy lojtarët kanë një vlerësim të ngjashëm tregu, rreth 30 milionë euro, çka do të ndihmonte edhe bilancet e klubeve për të shmangur humbje kapitale dhe, në rastin më të mirë, të regjistrojnë një plusvalencë të vogël.
PENGESA- Megjithatë, pengesa kryesore qëndron te pagat. Teo kërkon një rrogë prej 6 milionë eurosh neto në sezon, kërkesë që nuk u plotësua nga Milani për rinovimin, por që Juventusi mund ta konsiderojë të përballueshme. Ndërsa për Vlahoviçin situata është më komplekse, sulmuesi serb ka një pagë që pritet të arrijë deri në 12 milionë euro në sezon, shumë që as Milani, as Lacio dhe asnjë tjetër në Serinë A nuk mund ta mbulojë aktualisht.
Një zgjidhje do të ishte një kontratë afatgjatë me pagë më të ulët, por që do t’i garantonte Vlahoviçit të njëjtat të ardhura në total, një formulë që mund të bëhet pjesë e diskutimeve në vijim. Aktualisht, kjo ide është ende në fazën e parë, sondazhe dhe vullnet për të diskutuar, por është pikërisht ky hapi më i rëndësishëm në çdo marrëveshje të madhe. Përfitimi është i ndërsjellë. Juventusi merr një mbrojtës të nivelit të lartë, Milani zëvendëson një të larguar të mundshëm me një goleador të ri dhe të afirmuar, dhe të dyja klubet mbyllin një operacion të bujshëm pa shpenzime të konsiderueshme në para të thata. Megjithatë, gjithçka pritet të marrë formë në ditët në vijim.