Marco Materazzi, kampion bote me Italinë në vitin 2006, ka komentuar në një intervistë për Sky Sport emrat e dy ish-shokëve të tij që sot po bëjnë karrierë si trajnerë: Cristian Chivu dhe Gennaro Gattuso.

Për Chivu, tashmë trajner i Interit, Materazzi tha: “Ka pasion dhe aftësi. Ka përjetuar dhoma zhveshjeje të mëdha si ajo e Interit të ‘Tripletës’ dhe e di çfarë do të thotë të jesh interist. E shpëtoi Parmën dhe tani ka një mundësi të madhe për të bërë diçka të rëndësishme për veten dhe tifozët”.

Sa i përket mundësisë që Gattuso të marrë drejtimin e Italisë pas ndarjes me Spalletti-n, Materazzi u shpreh entuziast:

“Pse jo? Më në fund! Ne të 2006-s kemi qenë jashtë prej shumë kohësh. Kemi lënë kujtime të mëdha si lojtarë dhe kush po drejton sot, po tregon vlerat e tij. Jemi të rinj, plot pasion dhe dashuri për vendin tonë. Nëse do të ishte një nga djemtë tanë të 2006-s, do isha shumë i lumtur.”