UEFA i ka besuar arbitrave shqiptarë, një ndeshje të Conference League. Bëhet fjalë për takimin mes Heidenheim dhe Olimpija Ljubjana, që do të luhet në Gjermani.

Do të jenë gjashtë arbitra shqiptarë, që do të vendosin drejtësi në këtë përballje, të xhiros së parë në Conference League.

Kryesor do të jetë Enea Jorgji, i ndihmuar nga asistentët Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj. Gjyqtar i katërt do të jetë një tjetër emër i njohur, si Eldorjan Hamiti. Edhe VAR-i do të përbëhet nga arbitra shqiptarë, aty ku do të jenë Kreshnik Barjamaj dhe Juxhin Xhaja.

Ajo që e bën historik këtë emërim nga UEFA është fakti që për herë të parë, në mbështetje të gjyqtarëve shqiptarë që janë në fushë, në sallën e VAR-it do të jenë përsëri gjyqtarë shqiptarë. Kështu, Kreshnik Bajramaj do të jetë përgjegjës i VAR-it, me Juxhin Xhajën si përgjegjës i AVAR.

Kjo bën që për herë të parë në kompeticionet e UEFA-s, të jetë një trupë e plotë gjyqtarësh shqiptarë në drejtimin e një ndeshje në fazën në grupe. Ky duket si një test i mirëfilltë për ta, pasi siç shihet nga emrat e përfshirë, të gjithë janë me stemën e FIFA-s.