Arda Gyler dhe Brahim Diaz kanë qenë dy nga lojtarët e Realit të Madridit të cilët kanë rënë më në sy anë fazën përgatitore të ekipit dhe në turneun veror në SHBA.
Secili me karakteristikat dhe cilësinë e tij kanë qenë thelbësorë në këtë fazë, kur trajnerit Ançeloti i është dashur të bëjë me mungesat e më shumë se gjysmës së titullarëve. Dhe të dy ata kanë hedhur kandidaturën për të qenë në formacionin titullar të “Los Blancos” për finalen e madhe të Superkupës së Europës më 14 gusht kundër Atalantës.
Turku ka marrë drejtimin e lojës së Realit, ndërkohë që marokeni ka ardhur duke e ngritur nivelin e tij dhe ndaj Çelsit ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Për më tepër të dy lojtarët kanë një miqësi të ngushtë mes tyre, ç’ka është dukur dhe nga vlerësimet reciproke gjatë intervistave të ndryshme për mediat.
BRAHIM DIAZ – E mbylli ndeshjen kundër Çelsit si më i miri në fushë. Ishte shpërblimi për paraqitjen e shkëlqyer në të cilën ai shënoi një gol dhe një asist në fitoren 2-1 të Realit. Sulmuesi ka nisur me kokën poshtë në këto javë të para të fazës përgatitore, i vendosur për të qenë sërish protagonist pavarësisht konkurrencës së madhe në sulm me ardhjen e Mbape dhe Endrik, pa harruar të tjerët. Ai ka qenë gjithmonë i qartë se nuk do të hiqte dorë nga një projekt që e emocionon (ka kontratë deri në vitin 2027), në të cilin është i lumtur dhe në të cilin ndihet pjesë e rëndësishme.
ARDA GYLER – Turku e nisi me shumë peripeci aventurën e tij në Madrid, por shpërtheu në fundin e sezonit të kaluar me lojë dhe me gola. Kjo u verifikua dhe në “Euro 2024” dhe po vazhdon dhe në fazën përgatitore. Ai ka hedhur hapur kandidaturën për një vend titullari, të paktën deri në mbërritjen e të paprekshmëve. Çdo prekje e topit prej tij duket një magji dhe Ançeloti e di këtë.