Hansi Flick nuk deshi të flasë për festimet e mundshme të titullit të La Liga-s. Në fakt, trajneri gjerman nuk dha asnjë të dhënë për formacionin që do të hedhë në fushë të enjten.
Ndeshja – “Është një derbi dhe Espanyol ka bërë punë shumë të mirë në pjesën e dytë të sezonit. Ka disa lojtarë të rinj që janë të mirë dhe kyç në lojën e tyre. Është një skuadër që di si të luajë. Duhet të jemi të përqendruar dhe ta kemi të qartë se duam të fitojmë”.
Pau Cubarsí – “Është mirë. Nuk e përfundoi stërvitjen, sepse ishte më mirë të mos e bënte, por do të jetë i gatshëm për të luajtur”.
Rinovimi – “Nuk mendoj se është momenti për të folur mbi këtë temë. E kam thënë edhe më parë, dua të qëndroj edhe një vit tjetër, sepse jam shumë i lumtur. Sidoqoftë, ende nuk ka përfunduar asgjë. Kam pasur një darkë ku ishte edhe presidenti, kaluam shumë mirë, por kaq. Duhet të presim. Mund të pres, nuk është problem”.
Planifikimi i së ardhmes – “Jo, më e rëndësishmja është t’i luajmë si duhet këto tri ndeshje të mbetura. Pastaj do të flasim për gjithçka. Tani nuk është momenti i duhur për të menduar për këtë, sepse kemi tri ndeshje përpara. Sot ua thashë edhe lojtarëve: jemi këtu për të fituar ndeshje dhe duhet të përqendrohemi vetëm te kjo. Duhet të respektojmë kundërshtarin, klubin, tifozët, nuk duhet të mendojmë për gjëra të tjera. Duhet të jemi të përkushtuar”.
Largimi i Ancelottit drejt Brazilit – “Mendoj se ka bërë një punë fantastike te Real Madridi, ka pasur shumë suksese. Është një zotëri dhe një nga trajnerët më të mirë e më të suksesshëm në botë. I uroj gjithë të mirat. Do të gjejë një ekip të madh, mund të vazhdojë me sukseset edhe në Brazil”.
Lewandowski – “Është mirë, gati për të luajtur. Nuk kam asgjë më shumë për të thënë”.
Faji për ndryshimet te Real Madridi – “Nuk mendoj për skuadrat e tjera. E gjithë energjia ime është për Barcelonën. Më pëlqen të punoj për këtë klub, është një punë fantastike, tifozët na mbështesin, respektoj stafin tim. Kam mjaftueshëm punë me klubin tim”.
4 klasiket e sezonit të fituara – “E kam shkruar tashmë një libër, nuk do të shkruaj një tjetër. Jam i lumtur për tifozët, për mënyrën se si kemi luajtur në këto 4 ndeshje ndaj Real Madridit, për përmbysjen në klasiken e fundit. Ishte fantastike ta shihje, ata nuk e prekën topin në fushën tonë për 24 minuta. Kjjo falë strukturës sonë. Ky është një fakt që më duket i jashtëzakonshëm dhe diçka për të cilën mund të jemi krenarë. Jam i kënaqur, sepse e di që është shumë e rëndësishme për tifozët katalanas mposhtja e Real Madridit”.(telesport)