Kriza që po kalon Vllaznia në kampionat, ka futur në diskutime gjithë ambientin e futbollit në Shkodër. Përjashtim nuk bën as avokati shkodran Apollon Haxhi, një njeri shumë afër sportit, por edhe ish-jurist i kuqebluve, teska ka shprehur mendimin e tij për situatën, që po kalojnë kuqeblutë, duke e cilësuar një vazhdë të dobët të Vllaznisë.

Haxhi u shpreh se rezultate të tilla janë të papranueshme në Shkodër, teksa theksoi se forma e ekipit nuk është aty ku duhet, ku mund të ketë ndikuar edhe ndryshimi i trajnerit.

“Me sa shihet, është një vazhdë e dobët e Vllaznisë. Kaq shumë barazime nuk kanë ndodhur ndonjë herë. Eshtë e prapranueshme. Duhet pranuar. Në krahasim me vitin e vjetshëm, kur vetëm fitonim vazhdimisht dhe nuk kishim fare barazime, ndoshta ndonjë humbje që vinte, tani jemi bërë mbretërit e barazimeve. Eshtë e çuditshme kjo punë, por duhet pranuar që edhe forma e ekipit nuk është aty ku duhet. Ndoshta, ndryshimi i trajnerit, ndryshimi i strategjisë.

Duke u interesuar më tepër mos të pësosh gol, detyrimisht linja ofensive çalon pak dhe në këtë moment në fakt, nuk jemi duke pësuar gola, por nuk jemi të zotët për të shënuar. Eshtë një fenomen, i cili ka qenë edhe në periudhën kur ka qenë Brdariç, duhet pranuar.

Kemi shënuar gola, por shumë raste edhe nuk kemi shënuar. Vuajmë gjithmonë te kjo, çalojmë gjithmonë këtu. Ndoshta, edhe te kjo që Latifi nuk është në formën e duhur ose edhe elementë tjerë, nuk janë aty ku duhet. Edhe fryma në ekip ndoshta nuk është ajo frymë që ka qenë.

Ndoshta edhe presioni që është i domosdoshëm për këtë ekip. Problemet financiare ndoshta. Ne i dimë problemet financiare që janë aty. Ekipi është marrë me një borxh të madh, 1 milion e sa që është në Tatime. Të ardhurat që merren nga UEFA për Kupat e Europës, kanë shkuar të gjitha për borxhin. Edhe këto të ardhura që vijnë, janë një pjesë e madhe.

Sportistët që menaxhohen me këto para. Edhe aty mund të ketë ndonjë farë qejfmbetje, sepse me sa di unë ka probleme financiare në ekip. Janë disa rroga pa marrë me sa kuptoj. Një pjesë e mirë e sportistëve u larguan. P.sh, rasti i Diagne, që u largua. Ndoshta edhe me pak hatërmbetje, por ndoshta edhe me pak probleme financiare nuk e di. Domethënë, aty nuk ekziston ekipi i vjetshëm. Nuk është ai ekipi i vjetshëm. Duhet pranuar. Një ekip, i cili ishte solid. Një ekip, i cili kishte entuziasëm.

Pjesa e gjeneralëve në skuadër, është një ndër arsyet që nuk ka funksionuar. Ekipi i vjetshëm ishin të gjithë ushtarë.
Jo emra, sepse po t’i marrësh të gjithë me rradhë, të gjithë rezervë janë sot. Pra, nuk ishin ndonjë element super cilësorë, pjesa më e madhe e tyre që kishin përfunduar në ekipet tjera, por kanë bërë grupin, entuziasmin.

Sot ka shumë gjeneralë, lojtarë kualitativë. Në fakt, presidenca nuk ka vepruar keq, pasi kanë marrë lojtarë cilësorë, por nuk u arrit të bëhej bashkëveprimi. Kjo është.

Më pas, vjen disfata tjetër që me gjithë këto shpenzime financiare, duke marrë lojtarë cilësorë, nuk promovon as brezin e ri, të paktën për të nxjerrë disa elementë, që ta kesh strategjinë, që të fitosh në kuptimin financiar, që të paktën të arrish t’i shesësh, siç po bën Tirana, që nuk doli kampion vjet, por e kompensoi gjithë atë humbje, nëpërmjet shitjes së lojtarëve të akademisë. Pra, të gjitha këto janë një vazhdë.

Pra, këtu flitet se kemi probleme të menaxhimit në ekip, probleme psikologjike në ekip, sepse edhe probleme psikologjike në ekip do të ketë realisht. Të gjitha këto të çojnë në këtë tendencë ku jemi, me këto barazime rradhazi.

Te Kupa e Shqipërisë është gjithë shpresa dhe në qoftë se, menaxhohet mirë ekipi, duke u mos anashkaluar kampionati, sepse në qoftë se ti e lëshon në kampionat, detyrimisht po të vish në finalen e Kupës, ajo është vazhdë pastaj. Ne e dimë.

Duke lëshuar në kampionat, nuk karikohesh pastaj. Eshtë e pamundur dhe duke qenë se Laçi e ka të siguruar nëpërmjet kampionatit, lufta do të jetë shumë e ashpër nga ana jonë. Pra, mund të menaxhohet, të paktën finalja e Kupës. Pra, të paktën nëse merr Kupën, arrihet objektivi”,-tha gjatë prononcimit të tij, avokati shkodran, Apollon Haxhi.
Maringlen ZHIVANI