Menaxherët e futbollit kanë shumë rëndësi në ditët e sotme. Fjala e tyre ka shumë peshë, por ndoshta për një futbollist të ri, ata mund të jenë problem.

I këtij mendimi është trajneri i Akademisë Vllaznia, Edmond Doçi. Ai u shpreh se baza e një ekip janë moshat e reja, sepse sjellin të ardhura ekonomike dhe përfitime të shumta.

Megjithatë, Doçi theksoi se sot në Shqipëri ka më shumë menaxherë se sa futbollistë, teksa tha se lojtarët po merren më shumë me menaxherët dhe kjo mund të kthehet në problem për të ardhmen e tyre.

“Baza e një ekipi janë moshat e reja. Ato sjellin edhe të ardhura ekonomike. Ka shumë përfitime brenda, por nuk e di ndoshta duke kërkuar edhe rezultatet, nga që ajo fitimi i kampionateve dhe i trofeve, është pak më i kërkuar më shumë nga tifozët.

Ndoshta edhe kjo gjë të lë t’i lësh mbrapa dhe t’i hedhësh pas krahëve këto moshat e reja, por unë jam i mendimit që duhet të bëhet një staf trajnerësh që duhet të vendosin, që dy lojtarë minimumi, duhet të mundohesh t’i fitosh çdo sezon. Jam i mendimit që kjo gjë nëse bëhet nuk ka për të çaluar, sepse po nuk i fute ato lojtarë, normalisht që nuk ke për t’i parë se si janë rritur.

Unë mundem të them, duke bërë krahasimin edhe me veten, duke bërë krahasimin edhe sot. Normalisht që, kur ne jemi marrë me sport, ka qenë një gjë më e vështirë dhe ka qenë një zinxhir i pashkëputur, sepse kanë qenë ekipet e moshave.

Fëmijët kanë qenë aq shumë të disiplinuar sa e kanë menduar se po dole prej këtij zinxhiri, nuk ke për të shkuar askund tjetër, kurse sot rinia po e mendon më të lehtë këtë gjë dhe nuk është ndoshta ai insistimi i duhur. Eshtë një temë shumë e gjatë kjo temë. Sot në Shqipëri ka më shumë menaxherë se sa sportista.

Normalisht, unë jam për të qenë menaxherët, sepse janë që i japin edhe të riut atë shtysën që duhet dhënë, por duhet që të merremi me ata menaxherët e duhur. Ato që i njohin sportistat, por edhe ato që kanë shumë njohje, sepse një menaxher i mirë duhet të ketë shumë ekipe, që i ka të vetat dhe që t’i promovojnë ato lojtarë.

Prandaj, këtu është një problem i madh, që lojtarët po merren më shumë me menaxherë, pa u bërë sportista. Duhet të kuptohet diçka, që duhet të ulet koka shumë, të punohet shumë”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Akademisë Vllaznia, Edmond Doçi.
Maringlen ZHIVANI