Friday, August 7, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA E TRETEEKSKLUZIVE/ Një tjetër ekipi i shtohet Shkodrës, pritet të jetë pjesë e...

EKSKLUZIVE/ Një tjetër ekipi i shtohet Shkodrës, pritet të jetë pjesë e Kategorisë së Tretë në sezonin e ri

Shkruar nga Endri ÇINARI

Një projekt i ri futbollistik pritet të marrë jetë shumë shpejt në qytetin e Shkodrës, duke i shtuar një tjetër emër hartës së futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për North United, skuadër që do të nisë aventurën e saj nga Kategoria e Tretë në sezonin 2026-27. Nga sa mëson Gazeta “Shkodra Sport”, tashmë janë përmbyllur të gjitha procedurat administrative, me dosjen e regjistrimit të dorëzuar në FSHF, e cila ka marrë edhe aprovimin e parë. Një sinjal i qartë se tashmë gjithçka është gati për të kaluar nga dokumentet te puna në fushë.

Pas këtij projekti qëndron një investitor nga Katari, i cili ka vendosur të investojë në futbollin shkodran, me synimin për të ndërtuar një klub konkurrues dhe me perspektivë. Burime pranë klubit bëjnë me dije për gazetën tonë se bëhet fjalë për një projekt afatgjatë, i cili synon të krijojë identitetin e tij dhe të ngjitet gradualisht në kategoritë e futbollit shqiptar.

Ajo që mbetet ende nën petkun e misterit janë emrat e drejtuesve të klubit. Momentalisht ata nuk janë bërë publikë, por Gazeta “SHKODRA SPORT” mëson se bëhet fjalë për figura të njohura të futbollit shkodran, të cilët ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre si futbollistë dhe më pas si menaxherë. Identiteti i tyre pritet të zbulohet vetëm në prezantimin zyrtar të projektit.

Ndërkohë, është mësuar edhe emri i trajnerit që do të drejtojë ekipin. Në stolin e North United do të ulet Erjon Mani, i cili vjen pas eksperiencës së tij te Basania në sezonin e kaluar. Trajneri shkodran do të ketë detyrën e ndërtimit të skuadrës dhe përgatitjes së saj për sfidat e para në Kategorinë e Tretë.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se shumë shpejt skuadra do të nisë stërvitjen, ndërsa pritet të zhvillohet edhe prezantimi zyrtar i projektit, stafit dhe futbollistëve. Kështu, Shkodra do të ketë një tjetër përfaqësuese në futbollin shqiptar, ndërsa mbetet vetëm t’i urojmë suksese North United në këtë rrugëtim të ri, me shpresën që ky projekt të sjellë vlera dhe zhvillim për futbollin e qytetit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments