Është zhvilluar këto ditë në Velipojë edicioni i parë i turneut “Beach Tennis 2026”, i organizuar nga “Adriatic Tennis Park” me mbështetjen e Bashkia Shkodër. Ka qenë një risi e bukur e cila ka ngjallur një interesim të madh të pjesmarrjes, ndoshta edhe më shumë sesa kanë qenë pritshmëritë e organizatorëve.
Ndeshja kanë patur rivalitet dhe nivel dhe kuptohet që e gjithë vëmendja ka qenë e përqendruar tek gjysmëfinalet dhe finalet të cilat janë zhvilluar ditën e djeshme.
Padyshim që finalja e këtij turneu ka dhuruar emocione të mëdha. Përballë njëri- tjetrit kanë qenë dyshja e ardhur nga Tirana e përbërë nga ish- arbitri i njohur i futbollit Lorenc Jemini dhe kolegu i tij Sajmir Ahmetaj dhe përballë tyre kanë qenë dy të rinjtë shkodranë. Drino Galipi dhe Klind Luli.
Dyshja Jemini- Ahmetaj është treguar më e vendosur dhe falë edhe përvojës së tyre më të madhe, ia ka dalë ta fitojë atë me rezultatin 2-0 dhe të shpallet fituese e edicionit të parë të turneut “Beach Tennis Velipoja 2026”. Kupat fituesve i janë dhënë nga kryetari i Këshillit Bashkiak Shkodër Oltion Luli dhe drejtori i sportit pranë Bashkisë Auron Miloti.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


