Shkruar nga Endri ÇINARI
Një nga repartet ku Vllaznia duket se ofron më shumë garanci në prag të sezonit 2026-27 është padyshim mbrojtja. Pas afrimeve të bëra gjatë merkatos së verës, kuqeblutë kanë tashmë një prapavijë të kompletuar dhe të dubluar në çdo pozicion, duke i dhënë trajnerit Edi Martini më shumë alternativa se në sezonet e kaluara. Në dispozicion të stafit teknik janë Gurishta, Pusi, Çelikoviç, Latifi, Dulysse dhe Dumfur, gjashtë mbrojtës që synojnë të fitojnë besimin e trajnerit.
Në skemën 3-5-2 që Martini pritet të aplikojë edhe në edicionin e ri, konkurrenca për një fanellë titullari pritet të jetë shumë e fortë. Vetëm tre prej tyre mund të nisin nga minuta e parë, ndërsa të tjerët do të duhet të luftojnë çdo javë për të ndryshuar hierarkinë. Një situatë e tillë është pozitive për Vllazninë, pasi rrit nivelin e konkurrencës brenda grupit dhe i jep ekipit më shumë siguri gjatë një sezoni të gjatë.
Megjithatë, nga ajo çfarë është vënë re në ndeshjet e fundit miqësore dhe në seancat stërvitore, duket se Martini ka nisur të krijojë një ide të qartë për repartin defensiv. Në qendër të tij pritet të jetë sërish Erdenis Gurishta, një nga liderët e padiskutueshëm të skuadrës, i cili me eksperiencën dhe autoritetin e tij mbetet pika e referimit në mbrojtje. Në krah të kapitenit pritet të vendosen edhe boshnjaku Çelikoviç dhe ganezi Dumfur, dy futbollistë që në javët e fundit kanë shfaqur vazhdimësi dhe kanë bindur me paraqitjet e tyre.
Kjo treshe duket momentalisht më e avantazhuara për të nisur sezonin si titullare, por asgjë nuk konsiderohet e mbyllur. Latifi, Pusi dhe afrimi i fundit, Dulysse, përbëjnë alternativa cilësore dhe janë gati të përfitojnë nga çdo mundësi. Diferencat mes mbrojtësve nuk janë të mëdha dhe pikërisht kjo pritet ta bëjë konkurrencën edhe më interesante gjatë gjithë kampionatit.
Me kampionatin që po afron, Vllaznia duket se e ka gjetur stabilitetin në repartin defensiv. Tashmë mbetet për t’u parë nëse treshja Gurishta–Çelikoviç–Dumfur do ta ruajë statusin e favoritit edhe në ndeshjet zyrtare, apo konkurenca e fortë do t’a detyrojë Martinin të bëjë ndryshime. Ajo që është e sigurt është se për herë të parë pas shumë kohësh, kuqeblutë kanë luksin e zgjedhjes në prapavijë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


