Nga BESNIK DIZDARI

Kapitulli 1

Mbi 12 vjet më parë, më 26 janar 2003, Klubi Vllaznia i ka festuar Sabah Bizit në një mënyrë shembullore 55-vjetorin e lindjes. Kështu, mbas shumë vitesh heshtjeje, papritmas për disa çaste Sabahu qe ndier si dikur Bizi i madh, i cili çonte peshë Shqipërinë sportive. Në dhjetorin që shkoi, përsëri, kësaj radhe krejt papritmas, tash Kompania televizive dhe gazetareske “Telesport” & “Sport Plus” me në krye presidentin e saj Muhamet Malo, e nderoi Sabah Bizin me “Medaljen e Meritës” midis 25 personaliteteve të sportit shqiptar. Kurrë nuk ma kishte marrë mendja që edhe unë do ta gjeja veten falë kësaj medaljeje, duke qenë një nga të 25-ët – të gjithë protagonistë të shkrimeve të mia.


Dhe të isha pra në një “tribunë nderi” së bashku me Sabah Bizin. Natyrisht që u takuam, u përshëndetëm me kënaqësi, teksa pashë në fytyrën e tij thjeshtësinë e pakrahasueshme, buzëqeshjen plot sinqeritet të tij dhe vullnetin e tij të madh për t’i kaluar sa më shpejt problemet që ai ka me shikimin.Ky ishte 67-vjeçari Sabah Bizi, në portretin e të cilit e në fizikun e tij ende atletik unë përjetoja në mënyrë të rrufeshme një histori të madhe të sportit shqiptar. E në çast më hyri në veprim kujtesa e gazetarit, teksa “zbulova” se kishim hyrë kështu në 50-vjetorin e daljes së parë në skenën e madhe të futbollit të kolosit me emrin Sabah Bizi.E dimë që pesha e futbollit shqiptar është e vogël, por pesha e një Sabah Bizi megjithate është tejet e madhe, e rëndë, universale, e paharrueshme, ndikuese në vetëm zhvillimin e futbollit tonë kombëtar. “Një nga talentet më të mëdha të futbollit shqiptar, Sabah Bizi, anëtar i Vllaznisë dhe i Partizanit, është nga ata futbollistë, të cilët nuk lindin shpesh. Në treshen e cituar të Vllaznisë, ai ishte gjithçka në formacionin e saj e po kështu në Kombëtare. Luan vetëm 13 ndeshje me Kombëtaren, thjesht për ndërprerjen e pjesëmarrjes së saj në vitet ’70, po në të gjitha rastet është truri i lojës. Pa ngurrim mund të thuhet se Bizi është futbollisti më i gjithanshëm në historinë tonë. Me mesfushorin ai solli tiparet moderne të këtij roli duke qenë njeriu që udhëhiqte një skuadër të tanë. I një teknike racionale të milimetruar, i një kilometrazhi lëvizjeje në gjithë fushën si askush, me një pasim të pagabueshëm, organizator i përmasave europiane, bllokues i njëkohshëm, shuter i saktë përmes golave që nuk harrohen, Bizi ishte njeriu që do të fitonte duelet edhe më të mëdhenj të kalibrit të një Bekenbaueri, të një Prohaske, të një Dejne. Ai mbërriti deri kapiten i Kombëtares falë autoritetit të artit të tij të madh. Katër herë kampion i Shqipërisë me Vllazninë, po edhe me Partizanin, Sabah Bizi, mesfushori i paarritshëm në futbollin shqiptar, nuk luajti vetëm portierin. Ishte kësisoj edhe qendërsulmues, edhe sulmues i krahut, edhe mbrojtës anësor, edhe “i lirë”, me të cilin mbylli karrierën mbas një interpretimi befasues në moshën 35-vjeçare. Kampion i Ballkanit me Partizanin, ai është protagonist i të mëdhave me RFGJ-në ’67 dhe ’71, i Torinos, i Advidabergut, i Austria – brilante këto të futbollit shqiptar me të cilat ai ishte promotor”.Kanë kaluar plot 20 vjet nga ky përkufizim për Bizin dhe unë nuk jam në gjendje t’i lëviz presjen.Ajo çka jam në gjendje të bëj tash është vetëm një detajim i mëtejshëm përmes këtij tregimi të “Panorama Sport”.
“Epoka shkodrane” e Sabah Bizit
Sabah Bizi qe një djalë 17-vjeçar, në pamje të parë me një fizik disi të brishtë dhe krejt i panjohur kur papritmas u pa në rolin e sulmuesit të krahut të majtë, të skuadrës së Shkodrës, në ditën e 20 qershorit 1965 në fushën e futbollit të Peshkopisë.Një Vllazni tejet e re mbasi fitonte 3-0 me Korabin, kalonte turin e Kupës së Shqipërisë, pa menduar askush se mbas 21 ditëve kjo skuadër do të ishte fituesja e Kupës. Mbas një jave, në turin tjetër, Vllaznisë i duhet të vuajë jo pak për të eliminuar Luftëtarin e Gjirokastrës mbas 120 minutave lojë 1-1, falë golit të barazimit të të riut të panjohur me emrin Sabah Bizi. Mandej 11-metërshat dhe një portier debutues i quajtur Paulin Ndoja, i cili pret bukur tre njëmbëdhjetëmetërsha të gjirokastritëve, çka nuk kishte ndodhur asnjëherë në krejt historinë e futbollit shqiptar. Selami Dani dhe Esat Rakiqi realizojnë tri herë nga pika e bardhë, ndërkaq edhe Vllaznia kalon turin. Më 4 korrik 1965 Vllaznia mposht Flamurtarin e Mexhid Haxhiut 2-1 dhe Selami Dani e Sabah Bizi shkëlqejnë. Mbërrin kështu fundorja (finalja) e Kupës, një premierë e paprecedentë në historinë e futbollit shqiptar: Vllaznia – Skënderbeu. Fusha asnjanëse e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” bëhet para 8000 shikuesve arena e evenimentit historik Shkodër – Korçë. Selami Dani, shoku im i gjimnazit, një futbollist i shkëlqyeshëm, një intelektual i vërtetë i futbollit, në lojë e jashtë saj, golashënues i lindur, është autor i golit historik. Ai shënon nga afër, në të 57’, duke zgjidhur si gjithmonë plot zgjuarsi një lëmsh, çfarë ai dinte t’i qartësonte si pakkush. Vllaznia fiton 1-0 fundoren (finalen) dhe Kupën e Shqipërisë për herë të parë në histori.E, vetëm 25 ditë më parë, më 16 qershor 1965, me fitoren 1-0 ndaj Flamurtarit, me gol fatalisht po në minutën e 57-të prej Ali Memës, 17 Nëntori i Tiranës kishte bërë shumë më tepër: ishte bërë për herë të parë mbas Luftës Kampion i Shqipërisë për vetëm 1 pikë (31) mbi Partizanin (30) e Dinamon (30)! Vërtet gjithçka kishte qenë po aq fatale dhe historike në të dy kahet. Duhet ta dini se brenda këtyre tri javëve historia e futbollit shqiptar, papritmas kishte marrë një rrugë krejt tjetër.Dhe kishte hyrë ndërkaq në këte histori edhe një protagonist 17-vjeçar. Quhej Sabah Bizi. Them se duhet të jetë fituesi më i ri i Kupës së Shqipërisë në krejt historinë. Atë korrik 1965 djaloshi ynë ishte nënshkrues i trofeut të parë të Vllaznisë mbas 20 vjetëve. Dhe jo vetëm ai natyrisht. Skuadra nobël e Shkodrës që i kishte dhuruar futbollin Shqipërisë qysh më 1913 kishte qenë për herë të fundit kampione më 1946. Dhe mandej shkatërrimi gradual, shpërbërja, injorimi, harresa përmes rrëmbimit të pandalshëm të yjeve të saj për klubet dikasteriale të pushtetit. Do ta rikujtoj edhe këtu ate 11-sh të saj të 1965-ës, sepse është skuadra që ktheu rrotën e historisë për Vllazninë. Dhe jo vetëm për te.Ishte një formacion thuajse i ri, vetëm 22 vjeç mosha mesatare.
Siç kam shkruar me kohë, portieri quhej Paulin Ndoja, 20 vjeç – debutues. Mbrojtës: Frederik Çapaliku, 24 vjeç – një trim i futbollit; Sadedin Zmijani, 29 vjeç – kapiteni i paharrueshëm; Mehdi Milla, 20 vjeç, i cili më mbas do të bëhej një nga administratorët më të shquar të krejt klubit Vllaznia. Ndërsa gjysmëmbrojtës, siç i thoshin
asokohe, ishin: Nikoll Gjergji, 24 vjeç – një atlet i futbollit; Kol Gjoni, çuditërisht po në gjysmëmbrojtje, i kthyer më mbas në një mbrojtës të palëkundshëm, 23 vjeç. Mandej sulmi: Esat Rakiqi, 23 vjeç, sulmues i djathtë, një nga më origjinalët e lojës shkodrane me golat, shpejtësinë dhe teknikën e tij, trajneri i 30 vjetëve me radhë, i përshkuar në harkun e dy shekujve; Hajro Lekaj po 23 vjeç, gjysmësulmuesi stoik; Menduh Dedja, qendërsulmuesi 20-vjeçar, i cili shpejt do të bëhej një mbrojtës i majtë i shkëlqyeshëm, një shndërrim unik në futbollin shqiptar. Shoku im Selami Dani ishte gjysmësulmuesi i majtë, universali i sulmit, 23 vjeç. Dhe në krah të tij “i panjohuri” Sabah Bizi, 17 vjeç djalë, sulmuesi i majtë i krahut.Kjo ishte Vllaznia e shndërruar, e përtërirë, vepër e trajnerëve Skënder Jareci e Rifat Rusi, kryesisht e themeluar prej shkollës së Xhelal Jukës. Ishte një tjetër kthesë befasuese në historinë e futbollit kombëtar, mbas asaj të Myslym Allës 20 ditë më parë. Këtu është dhe starti i Sabah Bizit.Kur nis kampionati i ri, ai papritmas është në rolin e qendërsulmuesit. Vllaznia e nis me humbje, 0-1 me Partizanin në Shkodër, 0-2 në Shijak me Erzenin dhe më në fund 0-0 me Dinamon në Shkodër. Befas e sheh veten në fund të renditjes dhe duket se nuk ka skuadër të fortë. Po Bizi kalon parashikimet. I jep rolit të qendërsulmuesit ate të mesfushorit, në një mënyrë që nuk ishte parë asnjëherë në Shqipëri, dhe brenda disa muajve ai është organizatori, ndonëse krahun e majtë shpesh prapë e ka të tijin. Më 15 nëntor 1965, më në fund Vllaznia shpërthen në 3-0 në Lushnjë, e Bizi shënon golin e parë të tij në kampionat (70’) dhe kjo është kthesa historike e Vllaznisë. Në mbarim të kampionatit, ajo është e 4-ta, vendi më i mirë i saj mbas 12 vjetëve peripeci të pakëndshme, hark kohor brenda të cilit kishte prekur dy herë edhe kategorinë e dytë! Kjo ishte ringjallja e saj. Qysh nga ky vit 1965 dhe deri më 1982 kur largohet Sabah Bizi, Vllaznia e Shkodrës është 3 herë Kampione e Shqipërisë. Po ajo çka është më e rëndësishme, në 13 kampionate të Sabah Bizit me Vllazninë, në tanësi skuadra e Shkodrës është 3 herë kampione, 4 herë fituese e Kupës Kombëtare, 1 herë nënkampione, 5 herë e 3-ta. Nga 1965 e deri më 1982, ku është përshkimi galopant i Sabah Bizit në tri dekada të futbollit, në 18 vjet pa ndërprerje, në 16 kampionate kombëtare, ky njeri mban gjithnjë mbi supe “pianon” e futbollit për pianistë të tjerë të zot, duke qenë
ai dirigjenti i orkestrës shkodrane, pa melodinë e së cilës nuk mund të jepej më asnjë shfaqje e rëndësishme në futbollin shqiptar. Emrat deri në Kombëtaren e Shqipërisë që u sollën rreth tij, për te, prej tij dhe me te, janë të ndritshëm, por shkëlqimi i madh duhet pranuar se është një: Rragami-Zhega-Bizi.
Epoka shkodrane e Sabah Bizit sapo kishte nisur. Ende Ramazan Rragami luante për Partizanin e Medin Zhega për Dinamon. Duheshin edhe 2-3 vjet që ata të ktheheshin dhe të formonin treshen e madhe të Shkodrës dhe të Shqipërisë:
Rragami-Zhega-Bizi…

Kapitulli II

…….

Kapitulli III
Bari ‘38 & Torino ’68 – kuptim i madh historie

Përherë e kam përfshirë fitoren me Torinon në më të mëdhatë e futbollit shqiptar. Interesant është se prej shumëkujt ajo ka mbetur si në mbrapaskenë. Kurrë nuk e kam kuptuar përsenë e këtij nënvleftësimi. E pra Partizani–Torino 1-0, apo qoftë dhe dy ndeshjet e bashkuara Partizani–Torino 2-3 të Sabah Bizit me shokë, mbeten monumentale për futbollin, natyrisht modest të Shqipërisë. Dhe, vetvetiu, historia më thotë se ajo është arritur plot 30 vjet mbas ndeshjes “epokale” të Paraluftës, asaj Bari–Sportklub Tirana 0-2.

Sot më duket se te dy caqet e atij harku kohor 30-vjeçar Bari ‘38 – Torino ‘68, vetvetiu ka një kuptim të madh historie për zhvillimin, ecurinë e sportit e të futbollit shqiptar. Është një domethënie kuptimplote e vet rritjes së këtij futbolli, për të cilin, pavarësisht prej mendimit nacionalkomunist të të paditurve, për zhvillimin e tij Italia me instruktorët, trajnerët dhe mbështetjen e saj, kishte dhënë aq fort. Sidomos me organizimin e zhvillimit të tre kampionateve kombëtare të periudhës së Luftës (1939, 1940, 1942). Pa zhvillimin e të cilëve kurrë Shqipëria nuk do të kishte hyrë aq bukur te Mbaslufta, saqë thuajse rrufeshëm, më 1946, të shpallej kampione e Ballkanit me një skuadër e përbërë nga Begeja, Biçaku, Boriçi, Demneri, Dibra, Fagu, Fakja, F.Janku, Llambi, Parapani, Spahiu, Teliti – të gjithë lojtarë të këtyre tre kampionateve! Në Ballkaniadë do të mungonin vetëm dy: Lushta e Kryeziu. I kishte rrëmbyer Juventusi dhe Roma!

Natyrisht as organizatorët e këtyre kampionateve, një Mustafë Krujë apo një Eqrem bej Vlorë, një Giro, një Lissoni apo një Ratti, nuk mund të parashikonin se vetëm katër vjet më vonë këta djem, të formuar edhe prej nxitjes së tyre, do të shpalleshin kampionë të Ballkanit. Tjetër punë e mëvonshme mandej kur do të vinte një kohë tjetër, tash në një regjim diktature që, drejt me e thënë, duke pa rëndësinë e madhe edhe në interes të politikë, ajo kohë pra, po përpiqej jo pak ta fuqizonte.

Torino 1968 e Sabah Bizit me shokë ishte vërtet kuptimplote. Dhe, siç e kemi përsiatur në Kapitullin II të këtij tregimi – që për historinë tejet të pasur që përmban futbolli shqiptar i asokohe, do ta quajmë të ngjashëm me 13 kapituj e “Romanit të Panajot Panos” botuar në disa vijime këtu (shih “Panorama Sport” shkurt–maj 2014) çka prej vitesh nuk më ka ndodhur të marr pa ndalë asisoj falënderimesh e përgëzimesh) – roli i Bizit 20-vjeçar ka qenë vendimtar.

Kësisoj, kishte ndodhur që në Tiranë të mposhtej fituesja e Kupës së Italisë! As ëndërrimtari më optimist i Barit 1938 nuk do ta sendërtonte me mend një kësisoj ngjarjeje. Qoftë edhe mbas 30 vjetëve.

Këto radhë të mia janë pra, një kujtesë e shpejtë, e domosdoshme.

(Disa të mjerë kujtojnë se kampionatet kombëtare 1939, 1940, 1942, të cilëve u kam kushtuar një libër të posaçëm, kanë qenë lojëra fëmijësh apo që paskan marrë pjesë jo shqiptarë të vërtetë, por “fashistë të Mbretërisë Italiane”. Harrojnë se shumica prej atyre futbollistëve të ’39, ’40 dhe ’42 kanë qenë madje kundërfashistë me veprimtari dhe deri dëshmorë (Rusi, Myzeqari, Visha, Sallata), të cilët, mbasi luajtën në këto kampionate, dhanë jetën për Shqipërinë. Pa harruar ndërkaq, se kampionati i vitit 1942 qe një kampionat mbarëkombëtar me Prishtinë, Pejë e Prizren madje. Atë që ëndërrojmë ta bëjnë sot e që nuk arrijmë ta bëjmë).

Nuk kemi punë me mjeranët e të paditurit e vetsigurtë mû në padije, sepse, përveç të tjerave, janë shumë të vegjël e të pafuqishëm për të përmbysë një histori që është aty e paprekshme. Pra, edhe tre Kampionatet Kombëtare të Luftës (1939, 1940, 1942), të cilët sot e bëjnë Sportklub Tiranën 26 herë kampione dhe Vllazninë e Sabah Bizit 10 herë kampione.

Dhe u kujtoj lexuesve tonë të mençur e largpamës, për të cilët ne i botojmë këto histori si vlera të mëdha të kujtesës kombëtare, se për 45 vjet Regjimi Komunist i Shqipërisë mohoi edhe 7 kampionatet kombëtare të viteve ’30. Mirëpo, ata aty ishin, edhe pse ishin zhdukë prej dokumentacionit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ka ndodhur që, pikërisht në zyrat e saj, mbërrinin dokumente të FIFA-s ku përfshiheshin edhe 7 kampionatet e viteve ’30. I kam pa me sytë e mi. Por nuk kam pse mburrem as unë si gazetar, teksa isha nënshtruar si të tjerë. Tjetër punë, që për fatin e të qenit kryeredaktor i “Sportit popullor” i shpalosa qysh më 1990 dhe iu kushtova në disa vëllime librat e mi më të rëndësishëm…

Dhe vetëm kaq me këtë digresion historie. U bënë shkas këto tregime kushtuar futbollit të Sabah Bizit e shokëve të tij edhe për këto radhë gjithsesi aktuale. Dihet, gjithmonë tregimi i historisë së një protagonisti të çon te histori të tjera. Kurrë historia e një njeriu nuk është vetëm për të. Dhe Bari ’30 i Riza Lushtës e Naim Kryeziut vetvetiu lidhet përmes një 30-vjetori me Partizanin ’68 të Panajot Panos e Sabah Bizit…

Atvidabergu i Suedisë – Partizani i Shqipërisë 1-1!

Dhe nga Torino e Italisë tek Atvidabergu i Suedisë.

Është 1970. Kryevepra e shtatë e Sabah Bizit dhe shokëve të tij. Atvidabergu i Suedisë–Partizani 1-1 po për Kupën e Kupave. Dhe, prej këtu, vetëm mbas dhjetë ditëve (23 gusht–2 shtator 1970) te Partizani–Advidaberg 2-0.

Kësisoj, kjo kujtesë e jona e gati gjysmëshekulli më parë vlen fort për t’iu kujtuar sidomos brezit të ri, disa mrekulli që, të krahasuara me fitoret e sotme që dimë t’i vlerësojmë në masën e logjikës së një zhvillimi apo qoftë dhe të një etjeje për të dalë prej një prapambetjeje, anipse dhe përmes kundërshtarëve modestë të sotëm, duken si të një bote tjetër të paarritshme, megjithatë.

Në këtë ide qëndron dhe vlera e kualifikimit të 2 shtatorit 1970. Kishte ndodhur pra, kualifikimi i parë i Shqipërisë në Kupat e Europës.

Po para 2 shtatorit është 23 gushti. Ndeshja e parë Atvidabergu– Partizani. Dhe është kjo ditë e 23 gushtit 1970, barazim 1-1, ku lind kualifikimi i parë europian i futbollit të Shqipërisë. Partizani ka udhëtuar për në qytetin Atvidaberg të Suedisë përmes një heshtje të shtypit. Pak radhë, pak lajme, pak tituj gazetash dhe thuajse asgjë radiofonike, se televizive merret me mend se assesi nuk kishte. Partizani është kthyer mbas këtij barazimi e heshtja thuajse ka mbuluar gjithçka. Puna ka shkuar deri aty sa autori i kronikës së ndeshjes është trajneri i skuadrës Loro Boriçi përmes një shkrimi pa shumë ritëm e pa vetëkënaqësi, shkrim që mban firmën e tij si të kishte qenë ai gazetari i dërguar i posaçëm i ndeshjes!…

Jam një gazetar i ri i së përditshmes “Bashkimi” dhe ia arrij të botoj një korrespondencë krejt të shkurtër për ndeshjen që kur sot që, bie fjala, vetëm për kampionatin e Italisë shtypi shqiptar shkruan faqe të tana, habitem se në ç’botë kemi qenë.

E rishoh sot korrespondencën time dhe prej saj arrij të kuptoj megjithatë vlerën e madhe të barazimit “nordik” të Partizanit 1970. Kujtoj se luftova jo pak që titulli i këtij shkrimi modest të ishte si sot. Titulloja: “Partizani i ka mundësitë për të kaluar turin”. Asokohe tituj të tillë sportiv, sidomos në një të përditshme, për shkak të pedanterisë të gazetarisë komuniste, nuk ishin fort të pranueshëm. Kryeredaktori, siç ka thënë Karl Marksi, ishte vërtet “diktatori i gazetës”, teksa rrëmbente lapsin (shumë prej tyre punonin me laps) e ta “radiografonte” shkrimin deri në një redaktim të pamëshirshëm, madje deri aty ku s’shkonte më. Nuk ka qenë si sot, kur liberalizmi apo zemërgjerësia e drejtuesve të gazetave ose dhe i vetë lirisë që solli demokracia, jo rrallë bëhet shkak të botohen shkrime autorësh mediokër që shpesh bëhen për interesa vetjake, për t’i bërë qejfin një “personazhi” që është miku yt, edhe pse ai ndoshta nuk meriton deri aty; apo të një “ideje”, një partie, të një drejtuesi organizate apo organizmi.

Ishte krejt ndryshe asokohe, teksa luftohej edhe për një titull që sot është një rutinë.

Botimi i përket 25 gushtit 1970 dhe gjithçka niste me këtë frazë kronikale:

“Përballë një kundërshtari mjaft të fortë, në fushë të huaj, skuadra jonë Partizani, fituese e Kupës së Republikës, barazoi pardje në qytetin Atvidaberg të Suedisë në ndeshjen kundër skuadrës me po të njëjtin emër. Rezultati ishte 1-1”.

Mandej vazhdohet me fjali e përcaktime të tipit se “ndeshja ka qenë e një niveli mjaft të kënaqshëm”; se “futbollistët tanë kanë luajtur me mobilizim të madh dhe gjatë ndeshjes kanë rënë në sy për lojë të mirë”.

Është vërtet interesant se si ky informacion, disi i sfumuar, mund të çonte peshë një ndeshje të kthimit që do të përcaktonte suksesin e parë të një klubi shqiptar në Kupat e Europës, teksa ndaloj te kjo frazë e korrespondencës sime “antike”, datuar 1970. Shkruaja:

“Minuta e dytë e pjesës së parë të kësaj ndeshjeje e gjeti Partizanin në avantazh 1-0. Qendërsulmuesi ynë Bizi me gjuajtjen e tij tundi rrjetën e portës së Atvidabergut. Edhe pas shënimit të golit, ritmi i lojës së futbollistëve tanë nuk ra. Porta suedeze kaloi edhe dy çaste mjaft të vështira. Ishin këto dy gjuajtje të tjera të Panos e Bizit, që përfunduan në shtyllë. Megjithatë, në minutën e 65-të, suedezët arritën të barazojnë. Rezultati 1-1 nuk ndryshoi”.

Stil kronikal, i qetë, i skemës së gazetarisë së asokohe, pa emfazë e eufori, pa fryrje, gati një lloj thatësire, si të thuash. E, pra, kjo është një ndeshje e Bizit dhe e Panos për sa i përket efektivitetit të rezultatit, teksa prej këmbëve të tyre lind goli përcaktues, madje sot mund të quhet “historik”, por dhe dy shtylla që trondisin fituesin “e panjohur” për ne të Kupës së Suedisë. Mbante emrin e qytetit: Atvidaberg. Në atë çast kryesonte kampionatin e Suedisë me 4 pikë epërsi, por një kampionat që do të fitohej nga Malmoe për të shpërthyer pra, ky Atvidaberg nja dy vjet më vonë me dy titujt e tij të bujshëm kampion e fitues i Kupës i Suedisë. Do të shpërthente edhe në Europë deri me Bayern Munchen, 1-3, por dhe 3-1, për fat, mënjanim me 11-metërsh! E prej këtu  menjëherë në dy kupa, të Kampioneve dhe të Kupës së Kupave, në tetëshe të Europës! Dhe në këtë vit 1970 me lojtarë të tillë si Blomberg, Karlsson, Augustsson, Eklund, Sandberg të gjithë në 22-shen e Suedisë, e cila vetëm dy muaj më parë në Kupën e Botës Mexico 1970 ishte renditur e 9-ta në botë. Tash, pa dashur të nëvleftësoj asgjë, i ftoj klubet e sotme shqiptare të eliminojnë një klub perëndimor Kombëtarja e të cilit është e 9-ta e Kupës së Botës 2014.

E çuditshme vërtet, po ky ka qenë futbolli i Partizanit të Sabah Bizit 1970.

Në fund të fundit ishte Suedia, e cila dihej se çka përfaqësonte, teksa qe tronditur nga “Partizani modest i Shqipërisë”, siç shkruante shtypi suedez. E, ndërkaq, për të kuptuar mjerimin tonë gazetaresk të asaj “epoke”, vetëm sot mbas 45 vjetëve po ia arrijmë të botojmë për herë të parë në shtypin shqiptar, skedën e kësaj ndeshjeje që, për ne, ishte nismëtare e kualifikimit të parë europian, ku Sabah Bizi ishte bërë kështu autori i golit më të rëndësishëm të Shqipërisë në Kupat e Europës. Tek është:

23 gusht 1970. Atvidaberg. Stadiumi “Kopparvallen”.

ATVIDABERGS FF – PARTIZANI 1-1

ATVIDABERGS FF: Blomberg, Olsson, Johansson, Gustafsson, Karlsson, Ljungberg, Augustsson, L-G.Andersson, Eklund, Franzen, Torstensson (Schenell 46’). TRAJNER:  Bengt Gustavsson.

PARTIZANI: Muhedini, Seferiaj, Cani, S.Berisha, Ziu, Shllaku (Thaka 80’), R.Rragami, Bizi (T.Shehu 87’), Pano, Balluku, A.Janku. TRAJNER: Loro Boriçi.

GOLAT: Bizi 2’, Franzen 61’.

GJYQTAR: R.Schaut (Belgjikë).

Partizani i Shqipërisë – Atvidaberg i Suedisë 2-0!

Dhe mbërrijmë te 2 shtatori 1970, çka nënkupton se, ashtu si ndeshja Bohemians–Gotvaldov, edhe ajo është ndeshje e turit kualifikues, e simbas vendimit të UEFA-s zhvillohet disi shpejt mbrenda vetëm 10 ditëve. Kur mendon peripecitë e udhëtimeve të skuadrave shqiptare të asokohe, trajnerit Boriçi nuk i mbetet shumë kohë për stërvitje e “rregullime”. Por Boriçi dihet se ka qenë i vetmi për të mos lëvizur formacione e për t’iu dhënë qëndrueshmëri atyre. Kështu ngjet edhe më 2 shtator, kur ai iu del suedezëve po me atë 11-sh që i kishte të gjitha: mbrojtjen më shtatlartë, ndoshta në krejt historinë e futbollit shqiptar në ndeshje europiane, ate Muhedini, Berisha, Ziu, Cani, përjashto paksa Suvorov Seferajn; mandej dy hijeshitë e mesit të fushës Shllaku–R.Rragami. E, mandej, Bizi elegant në fizik, elegant në lojë, elegant në pasim, elegant apo tejet fin në mendim.

Ndeshja është ndër të rrallat në historinë tonë, jo thjesht sepse është kualifikimi i parë i një klubi shqiptar në Kupat e Europës, në këtë rast në Kupën e Kupave, por mbi të gjitha, për nivelin e lartë që paraqiti Partizani nën drejtimin e shkëlqyeshëm të trajnerit Loro Boriçi, i cili do të mbyllte pikërisht në këtë 1970  pjesën tjetër të karrierës së tij të rrallë për një trajner shqiptar, atë të klubeve në Kupat e Europës: Norköping i Suedisë, Köln i Gjermanisë, Torino i Italisë (së bashku me Resmen), Spartak i Bullgarisë. Dhe, më së fundi, vepra e parë e një suksesi europian: kualifikimin e parë të një klubi shqiptar në Europë ndaj fitueses së Kupës së një vendi që kishte mbërritur deri në Nënkampion i Botës: Suedia!

Na dukej se ishim përpara një kthese të madhe…

Vetëm pak ditë më mbas Boriçi e bën Partizanin Kampion të Ballkanit, i vetmi rast sot e kësaj dite për ne. I paharrueshmi Loro Boriçi kishte formuar kështu një skuadër të mrekullueshme, një kombinim i shkëlqyeshëm Shllaku-Bizi-Pano (R.Ragami huazohej nga Vllaznia), çka e bënte boshtin e skuadrës tejet të fuqishëm, në një kohë që shtatlartësia e treshes Berisha-Ziu-Cani, që nuk ishte parë kurrë në një mbrojtje shqiptare, gjente një përkryerje më tepër te shpërthimet e krahëve të sulmit Balluku e A.Janku. Por:

“Shpirti i repartit sulmues ishte Pano i ndihmuar mjaft nga Bizi”.

Këto radhë të shtypit të mbas asaj dite të Partizani–Atvidaberg 2-0, të duket se ka qenë emblema e kësaj ndeshjeje. Në bllokun tim kam shënuar këtë fjali: “Asnjëherë nuk kam pa një lojë më kolektive prej një skuadre shqiptare në një ndeshje ndërkombëtare”. Ndoshta ishte një shënim disi euforik. Por, edhe nëse dua ta quaj si vendimtare lojën në mesfushë të Bizit, ndoshta nuk do të isha krejt i drejtë. Sepse me të, aty janë pra edhe Shllaku e Rragami, e ashtu si dy vjet më parë kjo treshe jo fort jetëgjatë në futbollin tonë, prapë së prapë është vendimtare.

Bizi është, si të thuash, bazamenti. Shllakut i duhet të kthehet shpesh mbrapa për te mbrojtja çka me Seferaj, Berisha, Ziu e Cani thuajse u bë e pakalueshme, sidomos për djem të kalibrit europian, siç ishin sidomos Eklund e Sandberg. Rragamit i duhej të vështronte jo pak te sulmi, ndërsa Bizit të ishte një ndihmës dhe ndërlidhës i njëkohshëm në tre fronte: mbrojtje, mesfushë dhe sulm.

Ajo ka qenë një ndeshje ku ka shkëlqyer Panajot Pano 31-vjeçar përtej rinisë dhe pjekurisë së tij.

“Shpirti i repartit sulmues ishte Pano i ndihmuar mjaft nga Bizi”, pra. E ndeshja sigurisht ka dramaticitetin e saj, çka do të përmblidhet në këto katër episode kulmore:

Minuta e 12-të është e Bizit. Goditje nga këndi e Agim Jankut dhe Bizi plot teknikë me krye, por topi “udhëton” vetëm ngjitur me shtyllën, kur goli dukej punë e kryer. Minuta e 15-të është e Panos, ndonëse topi për të shkon po përmes këmbëve të Bizit. Kaq don Panajoti, teksa, nga 20 metra larg, nxjerr nga arsenali i tij gjuajtjen që u bë historike. Është tronditje e deri në “fortissimo”: 1-0!

Ky është dhe çasti i kualifikimit të parë shqiptar në Kupat e Europës për klubet.

Mandej minuta e 42-të që është e “bombës” së Shllakut nja 25 metra larg dhe Blomberg, që grushton. Minuta 44 është e Ramazan Rragamit, por edhe në këtë përpunimi vjen prej këmbëve të Sabah Bizit, i cili ia vë topin  mbi “pjatancë”. Dhe Rragami që shënon me krye, diçka e rrallë për mjeshtrin pa praninë e të cilit Partizani nuk bën. Është 2-0 përtej historisë!

Sigurisht jam në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Dhe sot habitem se si në shkrimin tim të 3 shtatorit 1970 në “Bashkimi” kam vënë këtë titull: “Suksese me fituesen e Kupës së Austrisë, shokë futbollistë të Partizanit!”.

Ishte koha e “shokëve” deri aty sa s’ka ku shkon më…

Shkruaja:

“Të djersitur, të lodhur, por buzagaz dolën dje nga fusha e stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’ futbollistët e Partizanit. Ata përshëndetën me dorë publikun sportdashës të kryeqytetit, që i duartrokiti gjatë lojës, ndërsa aty, tek hyrja në dhomat e çveshjes, të parat duar drejt futbollistëve tanë u zgjatën ato të trajnerit të tyre, Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Loro Boriçi. Ashtu është. Të parët për fitoren le të gëzojnë autorët e saj, futbollistë e trajnerë, pastaj ne spektatorët…”.

Gazetari patetike e 45 vjetëve më parë…

Më fort se çdo retrospektivë flet vetë skeda e pamjes së kësaj ndeshjeje po të jashtëzakonshme, e plotësuar edhe kjo për herë të parë në këtë botim:

2 shtator 1970, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”

PARTIZANI – ATVIDABERG  SUEDISE 2-0

PARTIZANI: Muhedini, Seferi, Berisha, Ziu, Cani, Shllaku, Balluku (Thaka 66’), R.Ragami, Bizi, P.Pano, A.Janku. TRAJNER: L.Boriçi.

ATVIDABERG: Blomberg, Olsson, Karlsson, Andersson, Gustafsson, Augustsson (Franzen 55’), L-G.Andersson, Ljungberg, Vallinder, Eklund, Sandberg (Johanson 80’). TRAJNER: Bengt Gustavsson.

GOLAT: Pano 15’, R.Rragami 44’.

GJYQTAR: Babadzan (Turqi).

E rëndësishme ishte se Partizani bëhej skuadra e parë shqiptare që kalonte një tur në Kupat e Europës. E kalon me fituesen e Kupës së atij shteti, i cili 8 vjet më parë, më 1962 me Nörköping kishte qenë vizitori i parë europian në Shqipëri për klubet e Europës. Asokohe Bizi ishte 14 vjeç. Tash një 22-vjeçar, teksa po bëhej numër 1 në futbollin e vendit të tij.

Është 1970. Nga Torino ‘68 tek Atvidabergu ‘70, trajnerit Loro Boriçi i ishin dashtë 24 muaj për të formuar deri në pjekuri të plotë këtë Partizan. Për të ndalë mû këtu vrullin fantastik të 17 Nëntorit të viteve ’60, për të shkuar te titujt partizanas nga ato kombëtarë e ballkanikë dhe për ta shndërruar këtë Partizan në thuajse Kombëtare të Shqipërisë, ndoshta më interesantja e krejt Mbasluftës.

Mbas Atvidabergut ai do të ishte një Partizan tjetër fitimtar. Kishte në përbërje autoritetin e 22-vjeçarit më të shquar të futbollit shqiptar me emrin Sabah Bizi, me të cilin mbërrinte te titulli kampion i Shqipërisë, kampion i Ballkanit, fitues i Kupës së Shqipërisë, kualifikues i parë i Shqipërisë në Europë, Kombëtares e pakta i tri ndeshjeve të paharrueshme po në Kampionatin Europian ‘70-‘72. Dhe pa menduar kurrnjiherë pra ky Partizan fitimtar se mbrenda vetëm 12 muajve ai do të humbiste atë për të cilin nuk u shkonte assesi në mend gjeneralëve të Ushtrisë: Sabah Bizin “e Vllaznisë”…
Do të përshkohemi në këto 12 muaj vendimtarë përmes Kapitullit IV të tregimit tonë…


Ndërprerje në kulmin e Sabah Bizit…

KAPITULLI VIII

Sabah Bizi kishte mbërritur në kulmin e tij. Ishte përshkuar në shtatë vite me radhë qysh kur kishte hyrë në elitën e futbollit shqiptar duke fituar me Vllazninë e tij Kupën e Shqipërisë 1965. Kishte qenë vetëm 17 vjeç, titullari – fituesi më i ri i Kupës së Shqipërisë deri më sot. Në shtatë vjet të tana vështirë t’i gjeje një ndeshje të kritikueshme këtij fenomeni. Shqipëria nuk kishte njohur deri atëherë një futbollist kësisoj, i cili në shtatë vitet e para të karrierës së tij në rangun e futbollit kombëtar, si dhe atë përfaqësues, thuajse të mos ketë qenë gati asnjëherë i kritikueshëm. Viti 1972 ishte një apogje për të dhe shokët e tij. Vllaznia kampione mbas 26 vjetëve (1946) dhe përmbysje e sundimit të kryeqytetit të treshes së palëkundshme Partizani-Dinamo-17 Nëntori. Kjo ishte Vllaznia e Sabah Bizit dhe shokëve të tij, sepse dihet futbolli është një sport kolektiv, pavarësisht se pa protagonistë të jashtëzakonshëm, ai nuk mund të mbërrijë shumë lart. Për herë të parë po rreshtoj këtu të plotë të gjithë emrat kampionë të Vllaznisë 1972, duke ndrequr mbas 43 vjetëve një histori të cilën gazeta e vetme sportive e kohës “Sporti popullor” nuk e tregoi assesi kur ngjau. Mbeten djem historikë të futbollit shqiptar, sepse kishin ndërruar vetë historinë e Kampionatit të Shqipërisë.

Ata janë: Paulin NDOJA, Hajro LEKAJ, Millan VASO, Menduh DEDJA, Suat DURAJ, Ramazan RRAGAMI, Sabah BIZI, Lekë KOÇOBASHI, Ismet HOXHA, Medin ZHEGA, Çesk NDOJA, Rauf ÇANGA, Esat RAKIQI, Selami DANI, Zyhdi BASHA, Viktor PLUMBINI, Nazmi QERAJ. I kishte drejtuar trajneri i madh Xhevdet SHAQIRI dhe bashkëtrajneri i tij, i çmueshmi Xhelal JUKA. I rreshtova pa një kriter shkencor dhe të meritave, por simbas vendosjes në ecurisë e roleve. Ndonëse, siç e kam thënë në kapitujt e më- parshëm, Sabah Bizi do të ishte truri…

Izolimi i pamëshirshëm që fillon me Vllazninë…

Dihej dhe pritej, megjithatë… Një vit më parë, Vllaznia e përjashtuar prej shtetit të saj, nuk kishte pranuar të ndeshej me Rapidin e Vjenës për UEFA-n. Tash dënimi vjen po prej UEFA-s. Është e vetmja skuadër kampione e shteteve në Europë, e cila nuk do të jetë në Kupat e Europës 1972-1973, ndonëse këtë të drejtë ajo e kishte fituar me titullin e sapo fituar. Ky do të ishte dhe përfitimi spektakolar i Besës së Kavajës, e cila si e dyta e Kupës së Shqipërisë merr pjesë në Kupën e Kupave të Europës dhe, nën drejtimin e trajnerit të pashlyeshëm Muhamet Vila dhe bashkëtrajnerit të tij, të mirënjohurit Agim Dizdari, kalon turin. Është 1-1 e 0-0 me skuadrën e panjohur të Danimarkës, Fremad Amager, duke u bërë kështu Besa i pari klub shqiptar që hyn në 16 më të mirat e një Kupe të Europës. Ajo ishte Besa e shkëlqyeshme Muharrem Karriqit me shokë. Kualifikohet për shkak të golit të fushës kundërshtare, autor të së cilës ishte Nimet Merhori. Ky është dhe rekordi i Besës së Kavajës, e cila sot është skuadër e Kategorisë së Dytë të Shqipërisë! Ajo ka qenë një Besë tejet tërheqëse: Arkaxhiu, Mullaiu, Kapidani, Hushi, Qerolli, Dyla, M.Karriqi, Kashami, Leshteni, N.Merhori, Pagria, Bishtaja dhe Allaj. E para skuadër jokryeqytetase e Shqipërisë që merr pjesë në Kupën e Europës. E pafat në turin e dytë, ajo humbet 7-1 në Edimburg të Skocisë prej Hibernien, duke shënuar përsëri Merhori, të ashtuquajturin gol të nderit. Në kthim zhvillon një ndeshje dinjitoze duke barazuar 1-1 në Durrës (gol i Pagrisë) dhe duke pasur në pjesën e dytë Mexhid Haxhiun e Flamurtarit. Të dukej se kjo histori i përkiste sadopak edhe Vllaznisë së ndaluar, të cilën për ta ngushëlluar e çojnë për nja dy ndeshje krejt të pavlerë në Rumani. Ka qenë 6 nëntor 1972. Kjo duhet konsideruar dita fatale e ndalimit të madh të futbollit shqiptar. Ishte lejuar Besa e Kavajës, por ishte ndaluar kampionia Vllaznia e Sabah Bizit me shokë. Dhe përkimi do të jetë vërtet fatal. Gjithçka ishte mbyllur me Vllazninë, po gjithçka do të rifillonte po me Vllazninë në Kupat e Europës. Do të rifillonte vonë, tepër vonë, mbas nja plot 6 vjetëve!… Kjo braktisje e Europës së klubeve për gjashtë vjet është një ndër dëmet më të mëdha që i është shkaktuar futbollit shqiptar. E, ndërkaq, asgjë nuk ndal këtu. Pa kaluar një vit, më 3 nëntor 1973, mbasi humbet 4-1 në Tiranë me RD Gjermane për Kupën e Botës, Shqipëria do të ndërpresë për plot shtatë vjet pjesë- marrjen e saj, duke hequr dorë nga Kampionatet e Europës dhe të botës! Ironia e fatit arrin kulmin kur tri ditë mbas humbjes me gjermanolindorët në Shqipëri mbërrin Kombëtarja e Kinës dhe 1-1. Të dukej se kishte ardhur për të urdhëruar përvetësimin e revolucionit kulturor kinez edhe në sport. Asnjë marrëdhënie me kapitalizmin botëror edhe në sport! Ndalimi ishte sanksionuar me Plenumin e IV të KQ të PPSH të qershorit të atij viti, që kishte vendosur izolimin “madhështor” të Shqipërisë në të gjitha fushat e jetës. Muri i Berlinit nuk ishte asgjë përpara këtij të sapongritur të Tiranës, i arkitektuar e ndërtuar pa mëshirë prej Shqipërisë Komuniste. Vetvetiu ky është dhe çasti i ndërprerjes edhe të futbollit ndërkombëtar të Sabah Bizit. Ai ishte vetëm 25 vjeç.

Nis epilogu spektakolar i Bizit në Kombëtare

Ishte e paracaktuar që Sabah Bizi në moshën e tij 25-vjeçare, në kulmin e karrierës, ta mbyllte futbollin e tij me Kombëtaren. Dhe këtu mund të themi se ndalon interpretimi i artit të futbollit të Sabah Bizit në nivel Kombëtaresh, ndonëse pak vite më vonë një Biz 30-vjeçar do t’ia arrijë të tregojë një tjetër epilog të rrufeshëm, tejet befasues. Do ta tregojmë më mbas edhe këtë… Por qëndrojmë këtu ku jemi, kur me tronditjen e mospjesëmarrjes së Vllaznisë në Europë, nis Kampionati 1972-1973, në fund të të cilit skuadra shkodrane zë vendin e katërt. Gjithçka ishte e kuptueshme, mbas goditjes së pamëshirshme të ndalimit për Europën. Vllaznia ka po ata djem të titullit 1972, por sigurisht që nuk ka qetësinë dhe shpirtin futbollistik të etjes për garë. Në dy vjet kishte humbur dy herë Europën dhe jo për fajin e saj. Dhe vetëm e katërta pra në kampionat, ky 1972-1973, të fituar nga Dinamo, e cila po paralajmëronte edhe ajo rilindjen e saj të bujshme, mbas gati 13 vjetëve, sepse titulli i saj 1967 ishte një vendim i padrejtë zyrash, një kampionat që pa i ardhur keq askujt, me rregullat organizative të futbollit, nuk duhet njohur sot e kësaj dite… Ky do të ishte viti 1973, kur për 25-vjeçarin Sabah Bizi do të ndalej përgjithmonë fanella e Kombëtares. Ndonëse vetëm para pak, ajo kishte pasur pjesëmarrjen e saj më të mirë në histori, atë të Europianit 1972, që do të mbeste e paarritshme për kah rezultati dhe paraqitja e mirë e tij deri te Belgjika 1984. Dhe në këtë paraqitje një emër është mbi të gjithë: Sabah Bizi! Siç kam shkruar në “Libri i Kombëtares”, është viti 1967 ai që e thërret këtë Kombëtare të zhdukur qysh prej një viti e gjysmë, në ndeshjen e 8 prillit 1967 të Dortmundit me RFGJ-në në premierën e Kampionatit të 3-të Europian. Ka qenë një 6-0 i pamëshirshëm prej 4 golave të një debutuesi të panjohur gjerman që quhej Gerd Myler! Në 11-shin e trajnerit Helmut Shen ishin 6 titullarë të finales dramatike të Botërorit të Londrës të një viti më parë kur Shqipëria e Loro Boriçit kishte përjashtuar Irlandën e Veriut të George Bestit dhe kishte dërguar atje Zvicrën e Dr. Fonit – një bashkëlojtar i Boriçit në Serinë A të Italisë së viteve ’40. E megjithatë, ka edhe ai një debutues të kalibrit në këtë katastrofë. Eshët një djalosh, të cilin Boriçi e thërret nga Vllaznia e Shkodrës. Quhej Sabah Bizi, vetëm 19 vjeç dhe të cilin mbas ndeshjes, edhe pse ajo ishte humbur 0-6, një revistë gjermane e tipizonte duke i bërë këtë karikaturë miqësore: kryet e madhe, trupi i vogël! Loro Boriçi i kishte dhuruar Shqipërisë trurin e Kombëtares, edhe pse kishte qenë 6-0. Mbërrin 14 maji 1967 dhe, mbas plot 20 vjetëve në Tiranë, shfaqet Jugosllavia e Dragan Xhaiç-t, i cili është i pandalshëm jo vetëm për Shqipërinë. Ai ia arrin të shkatërrojë mbrojtjen shqiptare, e cila pa Halilin e Kasmin është e shpërbërë dhe Zambata është autor i dy golave kur atje përtej Zhega e Pano humbasin raste të sigurt. Nuk është Sabah Bizi. Ai do të jetë gjashtë muaj më vonë në Stadiumin e Armatës Popullore në Beograd, aty ku ka ndodhur episodi i vitit të shkuar 2014 të ndeshjes Serbi-Shqipëri 0-3 me vendim. Jugosllavia fiton 4-0, si në një revansh të vonuar për 19 vjet të barazimit famëmadh 0-0 të 1948-ës me Shqipërinë, asokohe të udhëhequr në fushën e blerë prej universalit të parë të futbollit shqiptar me emrin Loro Boriçi. Protagonisti-lojtar i atij viti të paharruar, Boriçi – tash trajner, risjell Sabah Bizin e ri, i cili për 44 minuta është edhe ai rezistent i një 0-0, çka radiokronisti jugosllav e përcaktonte si “betoni i Loro Boriçit”. Ishte viti 1967 që, ndonëse një ndër vitet më të vështira, më të mbyllura të Shqipërisë, për futbollin ai do të jetë ndër më historikët. Loro Boriçi ka drejtuar Kombëtaren në një turne të bukur në Egjipt në tri ndeshje, dy barazime 0-0 dhe njëitore 2-0 me klubet më të fortë të Egjiptit, një fitore e shkëlqyer 2-0 me Partizanin në Izmir, një klub ndër më të mirët e Turqisë, 2-0 Olimpikes së Bullgarisë, 2-0 Fenerbahçes për Kupën Ballkanike, ku thuajse në të gjitha spikat 19-vjeçari Sabah Bizi. Kështu do të mbërrihej në ditën magjike të 17 dhjetorit 1967: Shqipëri-Gjermani 0-0!

Për Bizin jo vetëm 0-0 i Gjermanisë…

Siç kam shkruar me kohë, ajo ka qenë një ndeshje e madhe taktike e mbështetur te një forcë fizike e jashtëzakonshme e një ekipi edhe të një moshe të re, një grup atletësh futbolli, të një qëndrese të rrallë. Dinella – 20 vjeç, Rragami 23 vjeç, Zhega 21 vjeç. Dhe më i riu: Sabah Bizi 19 vjeç. Ndërkohë që të tjerët prej Gjinalit e deri te kapiteni Shllaku, shkonin nga 24 deri në 29 vjeç, duke krijuar një baraspeshë të rrallë force rinore e pjekurie futbolli, çka i jepte këtij 11-shi që për ne ka mbetur legjendar, një interpretim krejt origjinal. Dhe sot mund të them se mesfushori, asokohe disi i njohur më tepër si një mesfushor sulmues se sa mbrojtës me emrin Sabah Bizi, edhe ai ka qenë një nga mbrojtësit më universalë të këtij rezultati. Rrallë, tepër rrallë është pa te porta gjermane. Aty ishin të tjerë. Panajot Pano i madh mbi të gjithë, pranë të cilit ndodhej gjithnjë një Medin Zhegë po i madh. Sot, mbas 48 vjetëve, duke i qëndruar besnik temës së këtij “libri”, them se Loro Boriçi i ka vënë vulën edhe futbollit të Sabah Bizit si një mesfushor universal i pazëvendësueshëm në të gjitha ndeshjet e mëmbrame. “Unë dua t’i bëj një kompliment shumë të madh skuadrës shqiptare dhe trajnerit të saj, kolegut tim Loro Boriçi!”, – kjo thënie emblematike e trajnerit gjerman Helmut Shen që ruan përjetimin e saj të pandalshëm deri në “mërzi” prej nesh, tregon gjithë madhështinë e kësaj ndeshjeje që, sot e kësaj dite, përsëritet e përsëritet dhe nuk del assesi prej botimeve të pafund të historisë botërore të futbollit. Pa harruar mandej edhe përcaktimin e agjencisë DPA që transmeton përcaktimin se “Shllaku është një kapiten i madh dhe Pano gjithashtu një futbollist i madh”. Po aq, pa harruar as atë të Junajtid Press: “Barazim sensacional, që nuk pati forcën të thyente mbrojtjen masive dhe të vendosur të shqiptarëve”. Pesë ditë më vonë, më 22 dhjetor, një ndeshje e Kupës Ballkanike në Shkodër, Vllaznia- Bero e Stara Zagorës 4-0 dukej si një vazhdim spektakolar i asaj çka ishte arritur më 17 dhjetor. E bashkë me të tjerët, aty është dhe Sabah Bizi protagonist. Ndërkaq, logjika të thoshte që asgjë nuk mund të ndalonte me kaq. Futbolli shqiptar sapo kishte çelur faqen e tij madhështore me një sensacion, ndonëse të vetëm apo “episodik” botëror në gjithë historinë e futbollit. Mirëpo, ja që Shqipëria e Loro Boriçit dhe e Sabah Bizit të ri nuk merr pjesë në eliminatoret e Kampionatit Botëror të “Meksikë 1970″ dhe për tre vjet me radhë, Shllaku, Pano, Bizi me shokë nuk do ta vishnin fanellën e Kombëtares. Janë tre vjet heshtje e pafund në gjatësinë e saj. E pra 10 muaj më vonë Partizani me Sabah Bizin me shokë ka fitoren e tij të famshme 1-0 me Torinon e Italisë për Kupën e Kupave të Europës në një 1968, kur Shqipëria ishte fortifikuar në kafazin e vet të vetmisë dhe të mbylljes së pashembullt. Dhe qysh nga ky dhjetor 1967 e deri te 14 tetori 1970 Shqipëria nuk ekziston si Kombëtare e futbollit. Edhe pse Loro Boriçi, siç e kemi treguar më parë, me Panon e Bizin, e bën Partizanin Kampion të Ballkanit dhe po me të në Kupën e fitueseve të Kupave të Europës, ai krijon bukuritë 1-1 e 2-0 me fituesen e Kupës së Suedisë, Advidaberg, një kualifikim i vlerave të mëdha futbollistike. Lojtarët pra ishin aty, më të shumtë se asnjëherë tjetër, madje në përtëritje të vazhdueshme. Brezit të Panajot Panos po i afrohej një brez tjetër me në krye talentin e madh Sabah Bizi dhe Loro Boriçi të duket se po shkonte drejt një ndryshimi, një bashkimi elokuent të tre brezave të futbollit. Sabah Bizi është vetëm 22-vjeçar. Dhe do ta marrë ai rolin kryesor të paraqitjes së futbollit modern për Shqipërinë, pa guxuar të cenojë assesi atë klasiko-modern të një Panajot Panoje apo Lin Shllaku. Më 14 tetor 1970, në stadiumin gjigant të Shlonskit në Katovicë kundër Polonisë për Kampionatin Europian, për fat Loro Boriçi ka vetëm gjashtë prej heronjve të 1967-ës: Dinella, Shllaku, R.Rragami, Bizi, Pano dhe Zhega. Dhe 3-0 për Poloninë e Lubanskit, Gadohës e Dejnës me dy gola të 7 minutave të fundit. Kombëtarja dukej diçka krejt tjetër nga ajo e dhjetorit ’67. Dy muaj më vonë, më 13 dhjetor 1970, Boriçi ka një humbje 2-1 në Stamboll me Turqinë, një lojë e shkëlqyer e Sabah Bizit, që nuk jep rezultat me gjithë baraspeshën e saj për 90 minuta të tana. Dhe, pavarësisht nga rezultatet e gjithë këtyre ndeshjeve, është shumë e vështirë t’i gjesh ndeshje të dobët Sabah Bizit, i cili si lojtar i Kombëtares përsosej nga ndeshja në ndeshje. Deri aty sa me mungesën e tij gjithçka duhej menduar për së pari. Të dukej sikur pa Bizin nuk mund të luhej dhe se prej tij vareshin të gjithë të tjerët. Ndeshja e stadiumit “Mithat Pasha” me Turqinë sot e kësaj dite mbetet një nga më të rrallat e Kombëtares së Shqipërisë, pavarësisht se humbje. Vlerat e mëdha të kësaj ndeshjeje i kam treguar në Librin 9 të të paharrueshmit Dr. Vasfi Samimi. I gjithë shtypi turk nuk ka në qendër skuadrën e vet, por Shqipërinë. “Në mes të shumë shkrimeve të tjera, shkruan Dr.Samimi, një firmë në gazetën ‘Terxhuman’ dallohet me një karakteristikë jashtëzakonisht interesante për reportazhet e futbollit. Vetëm ata që mërziten nga artikujt e zakonshëm, për kuriozitet mund të lexojnë këtë autor që ka qëndisur me kaq merak ndeshjen. Dhe autori ka një emër që tingëllon afër: Islam Çupi. Skuadrën shqiptare ai e çmon, e vlerë- son dhe shpeshherë e gjen më mirë sesa skuadra kombëtare turke”. Islam Çupi (1932-2001) është i biri i Allaman Çupit, oficerit të gardës mbretërore që u largua nga Shqipëria me Mbretin Zog, duke marrë pra me vete në atë prill 1939 edhe shtatëvjeçarin Islam Çupi (ai do të mbërrijë deri president i Shoqatës së Shtypit Sportiv të Turqisë), i cili konsiderohet si gazetari më i madh sportiv i Turqisë. “Shëndeti futbollistik i skuadrës shqiptare rritej vazhdimisht, – shkruante Islam Çupi më 1971, – dhe ata zbatonin një metodë të mirë, sepse sikur e zgjeronin fush- ën… Mos ta përmendim ndeshjen, por mjafton rezultati! Le të bëhet çfarë të bëhet, le të dalë ku të dalë, sot është dita jonë… Shqipëria ka dalë shumë e fortë.” Dhe vazhdonte: “Bizi ishte lojtari që shquhej prej të gjithëve. Mbasi e bllokoi Qamuranin, atëherë ai bëri çka deshi”. Qamuran (Kamuran) ishte mesfushor organizator i Turqisë, të cilin Loro Boriçi ia kishte ngarkuar si detyrën parësore Sabah Bizit. Dhe, dihet, ka qenë nxjerrja jashtë mundësive të tij të Qamuranit ajo çka, përveç të tjerave, i ka dhënë vlerën e madhe ritmikës së shqiptarëve, ndonëse pa mundur të mënjanojë humbjen.

Sabah Bizi – universali i Gjermanisë dhe Turqisë 1971

Kur mbërrin viti 1971, dy muaj pas ndeshjes së Stambollit, Tirana “pushtohet” prej Gjermanisë ose RFGJ-së me emërtimin si shtet. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” gumëzhin prej shqiptarëve, të cilët dashamirë të mëdhenj të futbollit, banorë të shtetit më të izoluar në Europë janë ngurosur për t’i parë sadopak futbollistët gjermanë, të cilët hyjnë e dalin në hotel “Dajtin” historik, sot të rrënuar! Dhe gjermanët do t’u jepnin atyre një kënaqësi të madhe në stërvitjen në stadiumin “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”) ku të rinjtë shqiptarë hyjnë deri brenda në fushë, lënë tribunat pra, dhe e rrethojnë atë, ndërsa Gjermania e bën stërvitjen e saj shkrydhëse thuajse me buzëqeshje vetëm dy metra larg spektatorëve të rinj shqiptarë. Kjo atyre nuk u kishte ndodhur në asnjë vend të botës!… Nga 0-0 mitik i 1967-ës janë vetëm Packe, Veber dhe Overat. Shqipëria ka pesë: Dinella, R.Rragami, T.Vaso, Bizi, Pano. Janë dhe dy trajnerët e mëdhenj: Helmut Shën dhe Loro Boriçi. E ndërsa Gjermania e Shënit ka “të rinj” të tillë si Bekenbauer, Vogts, Shnelinger, Metzer, Grabovski, Overat, G.Myler, Hajnks – formacioni mbase më i fortë në gjithë historinë e Gjermanisë, Shqipëria e Boriçit ka të rinj pa thonjëza, të tillë si: M.Gjika, Dhales, Cani, Kasmi, Ziu… Çka do të ngjiste? Shumë herë kam shkruar edhe për këtë ndeshje. Libra, kujtime, foto, komente, përsiatje. Në të vërtetë, më duhet të krahasoj. Prapë them se ajo është një përsëritje e dramës së 1967-ës, ndonëse në rezultat është humbje dhe jo barazim. Por, në cilësinë e lojës, kjo është më e mirë, pa dyshim. Nuk është një ndeshje mbrojtëse, është një ndeshje midis të barabartëve. Goli gjerman, një rast i vetëm kur bllokuesi i famshëm i Gerd Mylerit, Bujar Cani, nuk qe pranë tij, është natyrisht një e dhënë e rëndësishme statistikore. Veçse përmbajtja e lojës është diçka tjetër. Ma do mendja se nëse sot do të bëhej një referendum se cilat janë ndeshjet më të mëdha të Kombëtares, kjo humbje fatale me Gjermaninë e Franc Bekenbauerit e 17 shkurtit 1971, synon vendin e parë. Nuk di nëse me këtë që them e “trondis” sadopak trajnerin e sotëm Xhani De Biazi, i cili sapo ka hyrë plot siguri në panteonin e Shqipërisë së një futbolli gjithsesi modest. Kur ndërkaq nuk e di se sa ai është i njohur me historinë e Kombëtares së Shqipërisë, qoftë edhe modeste, por me jo pak sensacione, edhe pse të vetmuara, deri në sferat e larta të futbollit europian. E them këtë sepse këtu në Shqipëri është një zakon shumë i keq që shprehet përmes “pseudosentencës” që thotë se “historia fillon kur filloj unë”! Mû këtu do të gjejmë dhe shkaqet e harresave të rënda dhe mosnderimit të futbollistëve të shquar të mëparshëm shqiptarë. Ajo ndeshje ka qenë një tjetër kryevepër e trajnerëve Loro Boriçi e Ilia Shuke. Një ndeshje e rrallë taktike, një ngjarje, e cila fajëson sot e kësaj dite prishjen për tre vjet të kësaj Kombëtareje prej shtetit të atëhershëm. Astrit Ziu, një mbrojtës tipik, i fuqishëm, atletik dhe i palodhshëm, ishte një prej mekanizmave të fshehta taktike të Loro Boriçit, një krijim taktik që për 90 minuta e befasonte mbrojtjen gjermane. 23-vjeçari Sabah Bizi ka duelin e jetës me 26-vjeçarin Franc Bekenbauer. Panajot Pano 32-vjeçar ka rininë e tij të dytë. Mbrojtja me në krye pasardhësin e denjë të të paharrueshmit Skënder Halili, Perikli Dhalesin, falë forcës së pashtershme të një Gë- zim Kasmi e Koço Dinelle, të një Bujar Cani e Teodor Vaso sinkronizohej me një mesfushë të papërshkueshme Rragami – Bizi – Ziu – Çeço. Në të vërtetë disi të çuditshme. Në sulm dukej sikur ishte vetëm Pano në një tjetër interpretim brilant të tij, por për herë të parë në Kombëtaren shqiptare shfaqej si një mrekulli më vete aftësia sulmuese e mesit të fushës, çka shpeshherë shumëfishonte pikërisht sulmuesit para një Majeri tejet të shqetësuar. Ndoshta e gjithë kuintesenca e vlerave të kësaj ndeshjeje është ajo çka do të thotë në mbarim të saj trajneri gjerman Helmut Shën në intervistën e paharrueshme që i kam marrë në hotel “Dajti” në mbrëmjen e atij 17 shkurti 1971: “Dua t’i bëj komplimentet më të mira kolegut tim Boriçi, i cili e ka ngritur shumë nivelin e lojës së skuadrës së tij. Ndonëse fituam, barazimi do të ishte më i drejtë, pra do të isha dakord edhe me rezultatin 1-1. Shqiptarët nuk shënuan megjithëse patën shanse më shumë se ne. Po të luani kështu, çdo skuadër e Europës e ka të vështirë të matet me ju. Më pëlqyen nga lojtarët tuaj sidomos Bizi, Vaso, Dinella e si ngahera Pano.” Po kaq emblematik është përkufizimi i gazetës “Veizbeten Kurier”: “Mund të themi se kjo fitore e gjermanëve ishte një nga fitoret më fatmëdha që mund të kenë ekzistuar mbas Luftës së Dytë Botërore. Epërsia e shqiptarëve u duk gjatë gjithë zhvillimit të lojës. Pa dyshim skuadra shqiptare në këtë ditë duhej të kishte marrë më tepër.” Kjo ndoshta ishte edhe ndeshja e jetës së Sabah Bizit. I kudondodhur, i lëvizshëm sa në një krah në tjetrin, pasues thuajse i pagabueshëm, pa harruar kurrsesi lojtarin më të madh të botës, Franz Bekenbauer. Vetëm 1-0 për gjermanët që ka vlerën dhe jehonën e një fitoreje. E vërteta është se në tanësi këto nuk janë ditë të mira për Loro Boriçin kur mendon se si në një intermexo krejt të pafat, ai e çon këtë Kombëtare të shndërruar në Olimpike më 18 prill e 26 maj 1971 në dy ndeshjet për Lojërat e Olimpike të Mynihut me Rumaninë e Jordaneskut, Tataur-t, Dumitreskut, Dumitrit e Dinkucës. Ishin dy humbje 1-2. Thelbi i sulmit të një pjese të shtypit me në krye “Zërin e popullit” që i bëhet, është se “kjo skuadër është e plakur”, kur me përjashtim të Panajot Panos të pazëvendësueshëm, të gjithë të tjerët ishin nga 22 deri në 27-28 vjeç! E pata pyetur: “Do t’i ndërrosh lojtarët Loro?”. “Unë jo, – tha me vendosmëri, – këta janë Kombëtarja e Shqipërisë. Nuk ka të tjerë, këta janë më të mirët”. Dhe nuk ka ndërruar askënd. I ka hyrë midis ndeshja me Poloninë e 12 majit 1971, por tash për Kampionatin Europian. Është 1-1! Edhe këtu Sabah Bizi. Nuk ndalet. Ai ka një kulm tjetër në këtë barazimin 1-1 me Poloninë më 12 maj 1971 në Tiranë kur barazon Zhega. Një ndeshje që prapë kritikohet tejet! Dhe veçohet vetëm një njeri: Sabah Bizi. Deri aty sa u tha se ai pati pa dyshim lojën e tij më të madhe. Ajo ishte një Poloni e rrallë e trajnerit të shquar Kazimies Gurskit, me lojtarë të nivelit botëror: Ancok, Soltisik, dhe me treshen në majë të botës: Dejna – Lubanski – Gadoha. Midis tyre, siç shënon edhe shtypi, vetëm një njeri qëndron mbi të gjithë: Sabah Bizi. U tha se kjo ishte ndeshja e tij më e mirë në histori. Nuk e di… Ai ishte vetëm 23 vjeç. Karriera e tij kombëtarase mendohej të shkonte deri përtej viteve ’80. Dhe askush nuk mendonte se në të vërtetë, këto do të ishin ndeshjet e fundit të Sabah Bizit të Kombëtares. Mbas një muaji në Karlsruhe është Gjermani – Shqipëri 2-0. Më se normale. Por sulmet kundër Loro Boriçit nuk ndalin. Shqipëria humbet 0-2 në Karlsruhe me Gjermaninë. Kombëtarja kritikohet sikur të ishte skuadra e botës, teksa quhet antifutboll humbja 0-2 me gjermanët. Pa i shkuar askujt ndër mend se mbas 5 muajve në qetësi të plotë, Boriçi do të nxjerrë nga arkivi i tij një tjetër bukuri. 14 nëntor 1971 dhe 3-0 Turqisë në ndeshjen e fundit për Kampionatin Europian. Në thelb, Kombëtarja është po ajo, ndonëse Boriçi ka megjithatë katër debutues, Sejdini, Leshteni, Duçka në pjesën e dytë dhe “njëfarë” Ilir Pernaska, vetëm 20 vjeç. Dhe dy gola bash të këtij Ilir Pernaske 20- vjeçar. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” nuk përmbahet! 32-vjeçari Panajot Pano, kapiteni tjetër i madh, ka dhe ai golin e tij të minutës së 60-të duke kurorëzuar një 3-0 që për mbi 20 vjet do të mbetet fitorja e artë e Kombëtares në Kampionate Europiane e Botërore. Asnjëherë nuk ishte parë kësisoj efikasiteti i një futbolli të këtillë sulmues për Shqipërinë e vogël. Me 3 pikë (ishte sistemi i 2 pikëve për fitoren) Shqipëria kishte arritur përfaqësimin e saj më të mirë në një Europian apo Botëror dhe ky rezultat shkakton tronditje në gjithë ndërtesën e drejtimit të futbollit turk me shkarkime të pamëshirshme. Për çudi, kjo është ndeshja ku Sabah Bizi nuk është një mesfushor universal. Është një mesfushor tipik sulmues dhe e ka mendjn veç te golat, që do të ishin plot tre. E ka mendjen te Pano e Pernaska. Harkon, shtrin topa, gjuan dhe vetë, kthehet paksa dhe përsëri sulmon. Loro Boriçi ngrihet shpesh duke tundur kryet e ndonjëherë ka buzagazin e tij të çuditshëm, teksa kthehet prapë te stoli duke tundur kryet. Është një 3-0 shembullor, fitorja më e thellë në histori e Shqipërisë për Kampionatet Europiane e Botërore, mbas dy herë 3-0 pa luajtur asnjë minutë më 1964 ndaj Greqisë mospranuese. Askujt nuk i shkonte ndër mend se mû këtu, në këtë ditë të paharrueshme, po bëhej gati të merrte fund dhe historia kombëtarase e vetëm 23-vjeçarit Sabah Bizi. Njeriut, i cili, sa me ndërprerje dhe kaq të shkurtër që do ta kishte pjesë- marrjen e tij në Kombëtare, tejet të gjatë do ta kishte jetën e tij futbollistike në tanësi. Kësisoj, përmbyllja e futbollit të tij të pashlyeshëm do të ruante edhe një kulm tjetër, mû atëherë kur nuk mendohej… Do ta tregojmë në kapitullin e ardhshëm që do të jetë i fundit i sagës bizjane.

 

Epilogu i pashlyeshëm i historisë së Sabah Bizit…

Kapitulli IX

Viti i frikshëm 1973 dhe Vllaznia 1974 …

Kur më 16 shtator 1973 nis kampionati i ri, lajmi i parë duhej të ishte mungesa te Vllaznia e portierit të një talenti të përmasave, siç ishte Paulin Ndoja. Po askush nuk guxon ta japë këtë lajm. E kishin përjashtuar nga futbolli pa bërë asgjë. Madje, duke bërë vetëm gjëra të bukura me ndeshjet e tij të pashlyeshme. Ky mund të ishte rasti i vetëm në historinë e futbollit botëror, kur një djali të ri 28-vjeçar i ndalohej të luante futbollin e tij të shkëlqyeshëm, sepse dikush nga fisi i tij nuk pat qenë pro regjimit në fuqi! Vllaznia e Sabah Bizit, ndonëse pa Paulin Ndojën tashmâ, e nis megjithatë me fitore: 1-0 Partizanit, duke shënuar eleganti Halil Puka, i cili sapo ka lënë Lokomotivën dhe plotëson 11-shin shkodran nën këtë pamje: Meta (Sukaj), Z.Basha, R.Rragami, Dedja, Duraj (L.Basha), Bizi, Lekaj, Ç.Ndoja, Hoxha, Puka, Zhega. Është një 11-sh ku 32-vjeçari Ramazan Rragami – një nga universalët më të plotë të futbollit shqiptar – shfaqet në rolin e tij të ri të qendërmbrojtësit të lirë. Vllaznia ka në skuadër plot 9 kampionë të vitit 1972 dhe gjithçka do ta realizojë si me një betim në heshtje. Bizi shënon me Shkëndinë në Javën 2 në Tiranë dhe mbas këtyre dy fitoreve të para, Vllaznia merr kryesimin e saj të fuqishëm që thuajse nuk do ta lëshonte më. Në plot 26 javë ajo nuk zbret nga kreu. Rast i vetëm deri më sot në historinë e Kampionateve të Shqipërisë! Kështu, radhazi do të kemi Vllaznia – Skënderbeu 2-0, Vllaznia – 17 Nëntori 1-0, Vllaznia – Besa 3-0, Naftëtari – Vllaznia 0-1, Vllaznia – Besëlidhja 3-1, Luftëtari – Vllaznia 2-3, Vllaznia Lokomotiva 2-1, Traktori – Vllaznia 0-2! Çka do të thotë asnjë humbje, vetëm 3 barazime dhe “Kampion i Dimrit”, ndonëse me vetëm 1 pikë mbi Partizanin. Sot, mbas gati 40 vjetëve, them se ajo ishte përsëri Vllaznia kulmore e treshes Rragami – Bizi – Zhega. Dhe 11-shi ishte gjithsesi në “duart” e Sabah Bizit, i cili si gjithnjë zotëronte tokën, përkufizonte hapësirën, drejtonte, bllokonte, niste sulme, gjuante, harmonizonte. E rrallë është se për herë të parë Ramazan Rragamin e ka disi larg, andej kah mbrojtja, por kapiteni i madh, edhe ai falë shumanshmërisë së tij, shpesh e linte rolin e tij të ri të “mbrojtësit të lirë” dhe atëherë skuadra shkodrane shfaqej më e sigurt se kurrë. Sidomos kur kujton se atje përtej, në skajin e sulmit, Medin Zhega veç bukurina krijonte. E nuk do të ishim të drejtë nëse këtë treshe magjike për historinë e futbollit tonë modest ta paraqesim si të vetmuar. Rreth saj ishin në mbrojtje i paharrueshmi Suat Duraj (më saktë Suat Adem Smajli), sot e kësaj dite ndoshta dëshmori i vetëm drejtpërdrejt i fushës së blertë. Mandej Menduh Dedja e Zyhdi Basha apo i padorë- zueshmi Hajro Lekaj, teksa sulmi fuqizohej tejet me Ismet Hoxhën (me Zhegën shënues të 19 golave (9+10) thuajse gjithnjë shpërthyes, në krah të të cilëve qenë Çesk Ndoja e Halil Puka. Mbas tyre vinte skalioni i dytë me në krye Lekë Koçobashin, të cilin e ndiqnin më të rinjtë Meta e Sukaj, Lugji e Axhani, Hakaj e S.Çanga, L.Basha e S.Basha, duke e rritur në tre numrin e Bashajve nën fanellën e kësaj Vllaznie 1974 të trajnerit punëshumë Xhevdet Shaqiri. Do të ishte e vështirë, tejet e vështirë periudha e dytë e këtij Kampionati për skuadrën shkodrane në fillimin e së cilës Partizani për pak sa nuk fiton në Shkodër, por shpëtimtari është Sabah Bizi me golin e tij dhe 1-1. Sensacioni ishte lënë për një javë më vonë kur Shkëndia fiton 1-0 në Shkodër me gol të një shkodrani: Fatmir Paçrami! E, për një çast, të dukej se këtu mund të merrte fund ëndrra shkodrane, teksa mbas një fitoreje në Korçë, ajo shkon e humbet 3-2 me 17 Nëntorin në Tiranë. Dy humbje, vetëm 1 fitore në tri ndeshje rresht! E megjithatë çudia e bujshme: Vllaznia nuk zbret nga vendi i parë. Kjo ishte trysnia e fuqishme psikologjike e Sabah Bizit me shokë ndaj më- tueses tjetër, Partizanit. Më 9 qershor 1974, Vllaznia shpallet Kampione për herë të dytë brenda tre vjetëve nën këtë pamje të renditjes:

1. VLLAZNIA 37 16 5 5 38-18
2.PARTIZANI 35 13 9 4 37-16
3. BESA 30 8 14 4 20-14
4. DINAMO 28 11 6 9 24-19
5. FLAMURTARI 28 9 10 7 24-25
6. SHKËNDIA 27 9 9 8 25-22
7. LABINOTI 24 7 10 9 21-20
8. SKËNDERBEU23 8 7 11 16-20
9. LOKOMOTIVA 23 7 9 10 16-22
10.TRAKTORI 23 6 11 9 20-32
11.NAFTËTARI 22 6 10 10 16-24
12.BESËLIDHJA 22 6 10 10 14-23
13.17 NËNTORI21 7 7 12 21-28
14.LUFTËTARI 21 5 11 10 13-2
Nuk mund të përshkruhet çasti i ceremonisë së titullit në stadiumin “Vojo Kushi” atë ditë të 9 qershorit 1974, teksa fiksohet dhe rasti i paprecedentë në vetë historinë e mbylljes së një kampionati nën regjim. Sekretari i parë i Komitetit të Partisë, Prokop Murra, dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Bilal Parruca, shkojnë dhe përgëzojnë futbollistët kampionë, duke tejkaluar rreptësinë e çdo protokolli të asokohshëm. Ishte si një hipnotizim që vinte i pandalshëm prej një publiku që veç futbollin kishte… Izolimi i madh i futbollit të Bizit e shokëve të tij E prapë ajo do të mbeste Vllaznia e izolimit të madh. Ashtu si kampionia Dinamo një vit më parë, prapë nuk ka pjesëmarrje në Kupat e Europës. Nuk ka as Kombëtare në fushën e lojës. Çuditërisht ka stadiume të mbushura plot me spektatorë. Më e pakta gati nja pesë herë më shumë sesa sot! Rivalitetet tërheqëse, sidomos në vijën Shkodër – Tiranë – Kavajë – Vlorë – Elbasan – Korçë, ishte shndërruar gati në mit kulturor të çdo jave. Futbolli cilësor i Sabah Bizit dhe shokëve të tij ka qenë pa dyshim një vlerë e asaj pamjeje vërtet modeste të futbollit shqiptar, por dëfryese me peshë e mjedisit kulturor të një populli të tanë! Ka qenë periudha kur sapo kishte mbërritur Dinamo! Për tre vjet rresht 1975, 1976, 1977 është ajo Kampionia e plotpushtetshme e Shqipërisë falë një katërsheje Çeço – Zëri – Sh.Ballgjini – Pernaska, thuajse e papërmbajtshme, e drejtuar radhazi prej trajnerëve Sabri Peqini dhe Durim Shehu. Ndërkaq, Vllaznia e Sabah Bizit është nënkampione më 1975, e treta më 1976 dhe 1977. Siç shihet, gjithnjë protagoniste. Sabah Bizi është po aty, parësor dhe udhëheqës i një futbolli sfidues, elegant dhe solid. Ajo ishte periudha e një Shqipërie pa Kombëtare që do të ketë vetëm një episod kombëtaras. “Episodi” regjistrohet në ditën e 10 tetorit 1976, kur krejt papritmas në Tiranë vjen Kombëtarja e Algjerisë dhe 3-0 për Shqipërinë. Risia është se trajneri Loro Boriçi i jep shiritin e kapitenit të Kombëtares Sabah Bizit, nxënësit më të denjë të tij. Dhe ndodh që 48 orë para ndeshjes Shqipëria – Algjeria, kjo e fundit luan në Shkodër me Vllazninë. Fiton Vllaznia 3-0, duke qenë ky i vetmi rast në historinë e futbollit shqiptar që një skuadër klubi fiton ndaj Kombëtares së një shteti! Ky është një tjetër rekord i Sabah Bizit, i cili shpalos një interpretim të përsosur të tij. “Në radhë të parë, – shkruan gazetari Namik Mehmeti në “Sporti popullor”, – u pëlqye sulmi, ku u shqua Bizi për rendiment e pjekuri taktike. Megjithëse këtë radhë luajti si sulmues i avancuar, nuk priti që të punonin të tjerët për të, por u bë një organizator i aftë, duke e lidhur mirë mesin e fushës me sulmin dhe duke marrë pjesë ai vetë në përfundimin me sukses të mjaft aksioneve. Veprimet e tij sa të bukura, aq dhe të larmishme i dhanë lojës së Vllaznisë faza tërheqëse dhe spektatorëve kënaqësi për t’i ndjekur…”. Ky ishte Sabah Bizi edhe i kësaj ndeshjeje – autor i golit të parë dhe ndërtues i pagabueshëm i dy golave të tjerë të Pukës dhe Hoxhës, pa menduar askush se në moshën 28- vjeçare ai do ta mbyllte me Kombëtaren. Për fat, me kujtimin e fundit të pashlyeshëm si kapiten i saj dhe fitimtar i thellë. Madje, në tërësi, fitues dy herë po 3-0 brenda vetëm 48 orëve. Asnjë skuadër perëndimore nuk e shkel Shqipërinë! Vetëm Kupa e Ballkanit me klubet dhe dy-tri pjesëmarrje në Kampionatin Ballkanik të “Shpresave”, të rënë tejet nga rëndë- sia e cilësia bashkë. Sundon Kina Popullore! Vetëm në periudhën 1973-1978, Shqipëria ka zhvilluar plot 45 ndeshje me skuadra krejt të rëndomta të Kinës, futbolli i së cilës ishte në krizë të plotë. Këto skuadra janë të një larmie për studim sa në emërtim aq dhe në përmbajtje. Gjimnazistët e Kinës, Ushtria e Kinës, Kirini, Liaonini, Kuantuni, Shangaj, Kina B, “1 Gushti”… Në to vështirë të shkrihej futbolli europian i Sabah Bizit… Vllaznia 1978 – kampionia e përtërirë… Duhej ndërprerë sundimi dinamas. E merr përsipër këtë edhe një herë Vllaznia e Sabah Bizit, por edhe Ramazan Rragamit e Din Zhegës me shokë, ajo që qysh nga viti 1971- 1972 shqetësonte me fitoret dhe futbollin e saj kryeqytetin sundimtar të gati 30 vjetëve. Më 18 shtator 1977, nis Kampionati i ri. Një nisje spektakolare. Është Vllaznia – Dinamo 3-0! Dhe në këtë 3-0 të Dinamos, “rifinitori” i të tre golave elektrizues të F.Rragamit (2) dhe Zhegës është vetëm ai, Sabah Bizi. E paparashikueshme për tri herë kampionët radhazi të Dinamos, në 11-shin e së cilës ishin plot 10 lojtarë të fanellës së Kombëtares. Ajo do të ishte një Vllazni tejet e ndryshuar tashmâ. Kapiteni Ramazan Rragami është larguar nga fusha e blertë dhe i është vënë në krah trajnerit Xhevdet Shaqiri, duke nisur karrierën e tij të drejtimit teknik. 11-shi i fitores së parë ndaj Dinamos kampione ka këtë pamje gati të re: Boshnjaku, L.Basha, M.Vaso (Gurori), E.Hafizi, Duraj, F.Rragami, A.Hafizi, Borshi, Vukatana, Bizi, Zhega. Sabah Bizi shfaqet ndërkaq, përmes një befasie të tij, teksa luan jo në rolin e tij klasik të mesfushorit organizator, por në atë të qendërsulmuesit të përparmë. Ky ishte universalizmi i tij që edhe kështu shfaqej tejet i pasur. E kishte nisur sulmues i krahut. E kishte vazhduar qendërsulmues sulmues. Kishte sunduar në futbollin shqiptar për vite të tëra si mesfushor universal, mandej si organizator i mbrojtjes dhe i sulmit. Po i kthehej qendërsulmuesit dhe për të pasur një mbyllje të jashtëzakonshme, do ta përfundonte këtë kampionat si qendërmbrojtës i lirë, duke i vënë një vulë tjetër pikërisht këtij universalizmi të pashtershëm të tij. Asnjë futbollist deri më sot në historinë e futbollit shqiptar si Sabah Bizi nuk ka luajtur në ndeshje të tëra të Kampionateve të Shqipërisë në katër role krejt të ndryshme: mbrojtje, mesfushë, sulm. Ai nuk luajti vetëm portierin. Shtatë ditë më vonë, Vllaznia shkon në Tiranë dhe 1-0 Partizanit! Protagonisti dihej. Është qendërsulmuesi Bizi. Madje, në një episod të rrallë. Dëmtohet Duraj dhe trajneri Shaqiri kthen në qendër të mbrojtjes qendërsulmuesin Bizi! Ja si e përshkruan këtë episod në “Sporti popullor” gazetari i shquar, Prokop Koreta: “Bizi zë vend në mesin e mbrojtjes, vendos qetësi e besim me ndërhyrjet e tij efikase dhe teknike. Dhe sa herë që merr topin nuk harron “profesionin” e parë, atë të sulmuesit. Kështu, loja e tij dhe ajo e Zhegës (ku disa veprime vlejnë për t’u përfshirë në manualin tekniko-taktik të futbollit tonë), qenë pjesa më tërheqëse e kësaj ndeshjeje. Me të drejtë, spektatorët i përshëndetën gjatë në fund.”… Ishte një ndeshje për antologjinë e futbollit para plot 20.000 shikuesve! Dhe, mbas një jave, 2 tetor 1977, është spektakli tjetër bizian: Vllaznia – 17 Nëntori 3-2 (E.Hafizi, A.Hafizi (2), Dibra (2)). Dhe 3-0 qysh në pjesën e parë! Nuk ka ndodhur asnjëherë deri më sot si Vllaznia e Sabah Bizit dhe e Din Zhegës, e cila brenda 14 ditëve në tri ditë kampionat të shkatërronte asisoj kryeqytetin Partizan-Dinamo-17 Nëntor me tri fitore të bujshme. Me këto tri fitore, në të vërtetë Vllaznia po “rrëmbente” titullin para kohe. Nga 22 javë, skuadra shkodrane do të kryesonte në plot 18 prej tyre. Kishte mënjanuar tre kryeqytetasit e mëdhenj, po krejt papritmas asaj do t’i shfaqej një rival i paparashikueshëm: Luftëtari i Gjirokastrës së Sefedin Brahos. Madje, deri në 90 minutat e fundit, ditë kur gjirokastritët do t’i dorëzoheshin 4-3 Tomorit në Berat, ndërsa Vllaznia do të fitojë 2-1 në Lushnjë me Traktorin. Ky do të ishte rasti i parë kur titulli Kampion i Shqipërisë do të përcaktohej në dy duele të paharrueshëm në vijën prej vetëm 37 kilometrash Berat – Lushnjë, një relief i vërtetë futbolli, sot çuditërisht i rrafshuar!… Ka qenë 7 maj 1978. Ditë e gabimit fatal të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila e lë 30 minuta përpara ndeshjen Tomori – Luftëtari, çka 30 minuta më vonë, kavalerizmi lushnjar sikur nuk do që ta “prishë” titullin e Vllaznisë, e cila nga 0-1 kalon në 2-1 me gola të A.Hafizit dhe Zhegës. Luftëtari është nënkampion për herë të parë. Renditja ishte kjo:

1. VLLAZNIA 29 10 9 3 32-19
2. LUFTËTARI 26 10 6 6 26-22
3. PARTIZANI 25 11 3 8 30-22
4. DINAMO 24 8 8 6 24-20
5. FLAMURTARI 23 7 9 6 25-20
6. 17 NËNTORI 21 7 7 8 21-20
7. TOMORI 21 7 7 8 24-29
8. SHKËNDIA 21 6 9 7 18-23
9. TRAKTORI 19 6 7 9 22-28
10.LOKOMOTIVA 13 4 11 7 15-24
11.SKËNDERBEU 18 6 6 10 16-19
12.LABINOTI 18 6 6 10 12-19

“Mjeshtri Sabah Bizi 30-vjeçar, – shkrova në “Bashkimi” , – duke u treguar edhe një herë si një futbollist i shumanshëm, i mprehtë, energjik, teknik e i shpejtë, luajti një rol të rëndë- sishëm për ta çuar Vllazninë në fitoren e këndshme”. Ndërkaq, mbas përfundimit të kampionatit, përmes redaksisë së “Bashkimit”, organizova me gazetarë anketën për të përcaktuar 11-shin e kampionatit. Ishte një risi absolute në historinë e shtypit shqiptar që një gazetë organizonte një votim kësisoj vetëm me gazetarë. Sot, për dokumentim historik gazetarie, me respekt po përmend emrat e të gjithë gazetarëve që morën pjesë: Petrit Çani, Ismet Bellova, Petrit Ajdini, Ahmet Shqarri, Vladimir Grillo, Nexhat Gjuzi, Demokrat Anastasi, Skifter Këlliçi, Namik Mehmeti, Ymer Striniqi, Frederik Fico, Maqo Prodani, Vlash Pambuku, Bujar Qesja. Dhe fitoi ky 11-sh: Kaçi, K.Hysi, Gurma, Bizi, Berisha, Zëri, A.Hafizi, Liçaj, Braho, Zhega, Sh.Ballgjini. Ishin tre futbollistë të Kampiones Vllaznia: Bizi, A.Hafizi, Zhega. Befasia e madhe është se Sabah Bizi fiton si mbrojtës i lirë. Ishte edhe kjo risi befasuese e titullit të Vllaznisë. Po, ndërkaq, ndeshjet e Din Zhegës dhe të Astrit Hafizit kanë qenë një elegancë e tërë, përveçse të dy së bashku ata kishin shënuar 17 gola (9 + 8) fitoresh flakëruese. E mandej risia e risive: Vllaznia e kishte fituar titullin me plot 8 lojtarë të rinj: Sukaj 22 vjeç, F.Rragami 20 vjeç, Arra 20 vjeç, Gruda 21 vjeç, Borshi 20 vjeç, Boshnjaku 19 vjeç, Vukatana 18 vjeç! Prej të cilëve, katërshja 18-20-vjeçare Borshi – F.Rragami – Vukatana – me virtuozin e pafat Ardian Arra ishte zbulimi spektakolar i këtij kampionati. Prej vitesh, futbolli shqiptar nuk kishte parë që katër djem të rinj të shfaqen kësisoj njëherësh kampionë në stilin e futbollit universal. Të katërt ishin në stilin e shkollës së Sabah Bizit. Ky i vitit 1978 ka qenë titulli i fundit i Sabah Bizit dhe Din Zhegës, por jo fundi. Prej këtij titulli të tij të tretë brenda 6 vjetëve midis kësaj Vllaznie të përtërirë, dyshja Bizi – Zhega, legjendare për Shkodrën, do të shkëlqente përmes një perle tjetër, tash ndërkombëtare. Kjo po do të ishte e fundit për ta… … Çizolimi bizian në 2-0 Austrisë së Vjenës Na duhet ta pranojmë se kjo është ngjarja më e madhe e krejt viteve ’70 për futbollin shqiptar. Sa sportive po aq dhe gjeopolitike. Sepse çan perden e një izolimi 6-7-vjeçar me një ndeshje të bujshme europiane. Sepse vërteton pandalshmërinë e talenteve të fuqishëm të futbollit shqiptar, edhe pse ky, pa peshë në Europë për shkak të nja njëqind arsyeve… Ishin metodat e revolucionit kulturor kinez, terrori, burgjet, internimet, jeta e vështirë e popullit deri në pamëshirë, që përmblidhnin një Shqipëri të braktisur nga Europa, ndërkohë që mbrenda saj ditirambet për Partinë e Punës dhe udhëheqësin e saj nuk rreshtnin. Kujtoj që në krye të tribunës së stadiumit “Vojo Kushi” të Shkodrës (sot “Loro Boriçi”) qëndronte fotografia gjigante e Enver Hoxhës, krejt e papërshtatshme me vetë etikën e një ndeshjeje të Kupës së Europës. Interesantja ishte ndërkaq, se dy të mëdhenjtë e skuadrës së shquar të Shkodrës, Sabah Bizi e Medin Zhega, ishin afërsisht në fund të karrierës, 30 dhe 32 vjeç! E pra do të shkëlqenin në këtë ndeshje për Kupën e Kampioneve, ndoshta më e paharrueshmja e tyre mbas asaj të 11 vjetëve më parë, 0-0 me Gjermaninë më 1967! Partia ndërkaq, e kishte këtë edhe ajo ngjarjen e saj. E kishte izoluar vendin edhe futbollistikisht për 6 vjet të tana, e me sa duket, ia kishte ënda që të bënte diçka. Gjatë verës, në Shkodër vjen për një vizitë private sekretari i Komitetit Qendror të Partisë, Ramiz Alia, i cili mbulonte ideologjinë, pra dhe kulturën e sportet. Ai bën një takim me trajnerin Xhevdet Shaqiri, madje siç më ka treguar trajneri i paharrueshëm, Alia, i cili e njihte jo keq futbollin, kërkoi deri dhe imtësi teknike për ndeshjen, duke mos ngurruar të japë edhe ndonjë mendim deri në vendosje të lojtarëve në fushë, e posaçërisht për Bizin, të cilin e donte në mesin e fushës! Siç e kam treguar, për stinën 1971-’72 Vllaznia e Shkodrës duhej të kishte luajtur sipas shortit, pikërisht me një skuadër austriake, Rapid të Vjenës për Kupën UEFA, tërhequr nga Regjimi. Dhe mbas 7 vjetëve shorti kapricioz ia ruan me besnikëri një klub po austriak, kësaj radhe Austria e Vjenës! Është kampionia e famshme e Mitteleuropa-s (Europës Qendrore), Austrisë, e cila në Kampionatin Botëror përfunduar vetëm dy muaj më parë, kishte zënë vendin e 7-të në botë, duke pasur në përbërje 6 lojtarë të kësaj kampioneje me emrin Austria. Ishin Baumgartner, R.Sara, Obermayer, Baumeister, Prohaska dhe Schachner. Në fushën e stadiumit “Vojo Kushi” të Shkodrës kishte zbritur thuajse Kombëtarja e Austrisë, e cila kishte lënë në kujtimin e Botërorëve edhe fitoren historike 3-2 kundër Gjermanisë! Është 13 shtator 1978. Një ndeshje, e cila parafillon me habinë e parë të madhe për skuadrën mike. Lojtarët e Vllaznisë i ftojnë ato austriakë për një fotografi të përbashkët para shkelmimit të topit – krejtësisht jashtë protokollit të ndeshjeve të Kupave të Europës! Ata me hezitim dhe të stepur megjithatë pranojnë… Dhe mandej Vllaznia-Austria 2-0! Nuk duhet harruar se Vllaznia u përforcua me tre futbollistë të tjerë të mëdhenj të kohës, portierin e pazëvendësueshëm Jani Kaçi të Skënderbeut, qendërmbrojtësin numër 1 të Shqipërisë së kohës, Safet Berisha të Partizanit, dhe sulmuesin e papërmbajtshëm Shyqyri Ballgjini të Dinamos, të cilët plotësuan një Vllazni përtej historisë, “rrëmbime” këto që futbolli shqiptar i kishte mënyrë “origjinale” përfaqësimi. Sot të duket sikur kemi qenë ne pararendës për UEFA-n, e cila tashmâ i ka ligjëruar këto lloj marrjeje të përkohshme lojtarësh për ndeshjet e Kupave të Europës. Jam kthyer vonë nga Shkodra atë mbrëmje të 13 shtatorit 1978. Kam propozuar që shkrimi të fillonte nga faqja e parë e “Bashkimit”, çka ishte një kapërcim kompetencash edhe për kryeredaktorin Hamit Boriçi, përveç të tjerave profesor i shquar i gazetarisë, i cili me dituritë dhe stilin e tij guxonte të kalonte caqet e sistemit të ngushtuar të mjedisit shqiptar të kohës. Ai vendosi. E dinim se fitorja ia kishte marrë mendtë disi edhe vetë Partisë. Shkrimi u vendos dukshëm në “taglio”-n e faqes së parë. Suksesi te publiku ka qenë i papërshkrueshëm… Dy javë më vonë, më 27 shtator 1978, Vllaznia u mund 4-1 në Vjenë dhe në tanësi eliminohet për vetëm 1 gol (4-3). Televizioni Shqiptar çoi kameramanin e tij, të mirënjohurin Astrit Omeri, i cili i vetëm me aftësi të larta profesionale e regjistroi të gjithë ndeshjen. Kam pas fatin ta shoh ndeshjen e dhënë për zëvendëskryeministrin Manush Myftiu dhe një grup gazetarësh në studion e TVSH dhe nuk qe kaq tragjike. Po ndeshja nuk u transmetua për publikun. E pabesueshme, por e vërtetë! Sidoqoftë, fitorja 2-0 e Shkodrës mbas një ndalimi të futbollit ndërkombëtar prej 6-7 vjetësh për Shqipërinë, përbënte një ndeshje të madhe, të paharrueshme, model, madje një brilant të historisë së futbollit shqiptar. Gola spektakolarë të Ballgjinit dhe Zhegës, një 11-sh vërtet i rrallë. Kaçi, Berisha, Sh. Ballgjini, të cilët, të shkrirë me Zyhdi Bashën, Seit Çangën, Suat Durajn e paharrueshëm, Luan Vukatanën – vetëm 19 vjeç, Astrit Hafizin, Sabah Bizin, Fatmir Axhanin – zbulim i bukur i kësaj ndeshjeje, Medin Zhegën – futbollistin tonë të madh po aq të pashlyeshëm dhe të paharrueshëm, të cilët paraqitën një bukuri të tanë shqiptare në Europë mbas një izolimi të paprecedentë gjashtëvjeçar. Shkruaja në “Bashkimi”: “…E Bizi si në vitet e tij më të mira, plot freski lëvizjeje e teknikë pasimi, me një roveshatë emocionuese nis Zhegën, ky Axhanin, i cili krejt i vetëm i detyron Baumgartnerit një pritje të përsosur. Veç nuk ka shumë kohë të ndiejë kënaqësinë e saj. Se vjen minuta e 16-të me kombinacionin e rrufeshëm Zhega-Bizi. Gjuajtja e Sabahut nga 20 metra larg vulos shtyllën e portës së “Austria”-s në një goditje që në stadiumin ‘Vojo Kushi’ do të kujtohet gjithnjë”. “…Në pjesën e dytë pas kombinacioneve të shpejta, të nisura që nga Basha, Berisha, Duraj e Çanga, të përpunuara me inteligjencë nga Bizi, vazhdojnë gjuajtjet…”. “…Minuta e 57-të. E nis sulmin Bizi, e vazhdon Zhega me koleksionin e finteve të tij dhe, ashtu siç i shërbeu Ballgjinit për golin e parë, tamam kështu i shërben tani kapiteni sulmuesit tonë energjik….”. “… Stadiumi ‘Vojo Kushi’ gradualisht bie në qetësi. Vllaznia me kapitenin 33-vjeçar Zhega, me Bizin e gjithanshëm, me Kaçin më të përpiktë se asnjëherë, me Bashën luftarak, me Çangën, Durajn, A. Hafizin, Vukatanën, Axhanin e me Ballgjinin, shpërthyes e golashënues, e lë fushën e lojës nën duartrokitjen entuziaste të spektatorëve”… Në të vërtetë një patetikë që vetvetiu sikur pasqyron një shfrim ndjenjash të ndrydhura… “Keni sportistë të mrekullueshëm”, thotë i deleguari i UEFA-s. “Skuadra e Shkodrës ishte shumë e mirë, – thotë trajneri austriak Shtesl, – dhe në të gjitha pikat e formacionit ka qenë më e mirë se ne. Ajo më la një përshtypje të shkëlqyer teknike, taktike e fizike në këtë ndeshje të nivelit të vërtetë ndërkombëtar”. “Kundërshtari im Bizi, – thotë Prohaska, – ishte shumë i mirë, por e gjithë skuadra shqiptare ishte e përgatitur dhe ajo ka një futboll teknik, me lëvizshmëri, moderne”. Ndërsa gjithashtu i shqetësuar për rezultatin, shton: “Vllaznia ka luajtur mjaft mirë, – pohon kapiteni R. Sara, – dhe rezultati 2-0 i përgjigjet lojës së saj teknike e të fortë”. Kjo ishte historia “epike” e çizolimit bizian në 2-0 Austrisë së Vjenës. Epilogu… Këtu merr fund “libri” ynë për historinë tejet të pasur të Mjeshtrit të Madh, Sabah Bizi. Ndonëse Sabah Bizi në rolin e qendërmbrojtësit të lirë, më e pakta do të fitonte edhe dy trofe të tjerë me Vllazninë e tij. Janë dy Kupa të Shqipërisë më 1979 dhe 1981. Fiton Shqipërinë, por në të dy rastet humb Europën për shkak të mospranimit për t’u matur me Dinamon e Moskës dhe dënimit të mëpasmë të UEFA-s së pamëshirshme. Sabah Bizi largohet nga futbolli i fushës së blertë më 14 shkurt 1982 mbas 18 vjetëve pa asnjë ndërprerje, nga 17 vjeç deri në 34 vjeç, duke mbetur protagonist i pambërritshëm prej askujt në futbollin e tij. Nuk zmadhoj asgjë. Në ditën e ceremonisë së tij në “Bashkimin” “tim”, shkrova: “Në qoftë se do të flasim për Vllazninë e viteve ’70, vetvetiu do të ndalim te tre emra: Rragami, Zhega, Bizi. Kanë lindur në interval dyvjeçar larg njeri-tjetrit. Rragami më 1944, Zhega më 1946, Bizi më 1948. Dhe kanë hyrë në skenën e madhe të futbollit gjithashtu në interval 2-vjeçar larg njeri-tjetrit. Rragami më 1961, Zhega më 1963, Bizi më 1965. Dhe secili qe kapiten i Vllaznisë e pjesëtar i denjë i Kombëtares së Shqipërisë, teksa u bënë mjeshtra të merituar të futbollit tonë. Midis kësaj tresheje njeri, Sabah Bizi ishte më i privilegjuar se dy shokët e tij, sepse më 1965 ky 17-vjeçar do të ishte pjesëtar kryesor i Vllaznisë – fituese e Kupës së Republikës. Një fillim me fitore për të. Dhe dy vjet më vonë, më 1967, 19-vjeçari Sabah Bizi do të vishte fanellën e përfaqësueses, e pak muaj më mbas, më 17 dhjetor 1967, ai do të ishte qendra e mesit të fushës i ekipit tonë kombëtar në atë 0-0 të paharrueshëm me skuadrën e RFGJ – nënkampione botërore. E prapë Bizi më i privilegjuar: 20 vjeç ai fiton titullin e Mjeshtrit të Sportit, duke qenë kështu mjeshtri më i ri në historinë e futbollit tonë…”. E sot do të shtoja një harresë të madhe ndaj tij, të veçantën e të veçantave. Më 1966, 18 vjeç djalë, ai fiton në anketën më të famshme të sportit shqiptar, atë të gazetës së vetme sportive, “Sportit popullor” të “Pesë sportistëve më të mirë”! Edhe ky rasti i vetëm i një futbollisti kaq të ri në një përzgjedhje që asokohe në Shqipëri konsiderohej arritje e jashtëzakonshme. Ky është Sabah Bizi. Sabah Bizi, sot është një ish-futbollist i madh, një qytetar i zakonshëm i Shqipërisë, edhe pse tejet i respektuar, një mësues në pension, një trajner “i panjohur” i futbollit. Dhe i cili mbasi ia mësoi qysh pesë vjeç futbollin të birit, virtuozit “të vogël” Brikeno Bizi, i cili luajti për bukuri edhe ai nja nëntë kampionate të Shqipërisë, për pak kohë së bashku me të, stërviti fëmijët e Shkodrës. Sabah Bizi sot është një “i dikurshëm”, një model unik i futur në arkiv, një qytetar që si të gjithë ne lufton për ditë me jetën, doemos edhe në vështirësitë e zakonshme të qytetarit të mesëm. Ngado që ta marrësh, shumë mirë kështu. Në 18 vjet rresht, ai luajti e u stërvit në baltë, diell, shi, akull e pluhur dhe i mbushi stadiumet e Shqipërisë jo me 1200 spektatorë sa sot, por me 10.000, 15.000 e 20.000. Kësisoj, ai është nderi i Shkodrës dhe i Shqipërisë sportive, nderi i qytetarëve të qytetit e Atdheut të tij që si shumë bashkëshokë të tij, i fali rininë e tij, duke marrë natyrisht gëzime e kënaqësi popullore të pafundme. Sabah Bizi është një majë e lartë, ndër më të lartat. Është një shkollë futbolli, ndonëse tash disi imagjinare, në kuptimin se duhet ta marrësh me mend se çka ka qenë. Ai është një histori e rrallë për këtë vend që, për fat, nuk ka dhe aq shumë histori të pashlyeshme kësisoj. Duhet të kthehemi në kohë për të kuptuar se në tri dekadat e Sabah Bizit, që u përkasin viteve ’60, ’70, ’80, në Shqipëri thuajse ka pasur vetëm një spektakël të rregullt mesatarisht në 40 javë në vit. Ky ka qenë spektakli i futbollit. Nuk ishte pra si sot. Me një ndeshje, shpirtërisht ti jetoje një javë pa ndërprerje, sepse nuk kishte diçka tjetër më të veçantë që të të emociononte. Me futbollin e Sabah Bizit ti përshkoheshe në gati gjithë vitin, duke harruar për disa çaste varfërinë, shtypjen, jetën e vështirë, mungesën e lirisë. E pra, cili duhet të jetë sot Sabah Bizi dhe jo vetëm ai, siç kam pyetur edhe një herë tjetër? Moralisht dhe materialisht Sabah Bizi duhet të jetë në krye të vendit me gjithçka që Shqipëria, duke të nderuar kësisoj, e ka për detyrë atdhetare. Atje lart, në Angli atyre u japin titullin “Sër”, prej të cilit vijnë një tufë favoresh e përfitimesh. Këtu afër, në Greqi kampionët e saj të mëdhenj, madje edhe ata që i janë rrëmbyer Shqipërisë, i bëjnë kolonelë të Ushtrisë për t’i shpërblyer gjithë jetën. Për fat të keq, sporti dhe josporti shqiptar ka zyrtarë që kryesisht mendojnë vetëm për vete. Jo për Sabah Bizin e shokët e tij. Paç përherë forcë, shëndet, gëzime e jetë të gjatë, Sabah Bizi! ” FUND