Një ndeshje futbolli zgjat në pjesën më të madhe të tyre 90-minuta, megjithatë emocionet që përçojnë tek tifozët në mbarë botën kanë një jehonë të madhe, vala e të cilave mund të mos zbehet kurrë plotësisht, por mbetet vetëm të shkrihet në historinë e sportit më popullor në botë.

Kështu ka ndodhur edhe me historinë e dy vëllezërve Taulant dhe Granit Xhaka që dhuruan dhe përjetuan shumë emocione teksa u përballën si kundërshtarë në Euro 2016, kur luhej sfida mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Taulanti që përfaqësonte kuqezinjtë dhe Graniti që mbante veshur fanellën e helvetëve, ishte një përballje brenda familjes që ndodhte për herë të parë në historinë e Europianëve, teksa të dy futbollistët me këtë fakt kanë gdhendur një pjesë të bukur në lidhje me një nga eventet më të rëndësishme.

Por, si nis historia e dy vëllezërve kundërshtarë në fushë, por shumë të lidhur jashtë saj? Në vitin e largët 1986, babai i tyre Ragip Xhaka u burgos në Jugosllavi pasi mori pjesë në një protestë kundër regjimit komunist në Beograd. Në atë kohë, Ragipi ishte vetëm 22-vjeç, por ishte i detyruar të ndante qelinë me katër burra të tjerë dhe mund të dilte për t’u ajrosur vetëm një herë në ditë, për dhjetë minuta. Ragipi pësonte edhe dhunë si një i burgosur politik, ndërsa e kishte të ndaluar të komunikonte me të dashurën e tij Elmazen, me të cilën kishte një njohje vetëm tre mujore.

Megjithatë, ajo e priti Ragipin dhe pati mundësinë të bashkohej me të pas tre vitesh e gjysmë. Në fakt, Ragipi u lirua në mënyrë surprizuese më shpejt se sa pritej. Burgosja e babait është diçka që shkundi jetët e tyre, ashtu siç tregon edhe Granit Xhaka në një rrëfim për The Guardian në vitin 2017. “Babai ka treguar një forcë të madhe dhe ai është mentaliteti me të cilin jemi rritur.

Ne e kishim si idhull, ishte një model për të arritur atë që ne donim dhe kështu u rritëm shumë të fortë. Dhe, kjo është arsyeja pse në fushë kemi këtë mentalitetin e hekurt për t’i kaluar vështirësitë dhe për të marrë atë që kemi objektiv”.

Ndërkaq, pas lirimit të Ragipit, së bashku me Elmazen ai iu drejtua Zvicrës aty ku edhe Xhakat e vegjël u rritën. Pavarësisht moshës së vogël dhe diferencës, katër dhe gjashtë vjeç, ata luanin së bashku te Concordia Basel, çka ishte edhe një mënyrë për t’i mbajtur ata larg rrugës. Taulanti dhe Graniti vazhduan të luanin bashkë te moshat e Basel derisa në sezonin 2010-2011 kohë kur u promovuan në ekipin e parë të zvicerianëve.

Por, ndarja e parë në karrierën e tyre erdhi në momentin kur Taulanti u huazua te Grasshoppers në mënyrë që të fitonte më shumë eksperiencë. Ndërkohë, nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe dueli i parë si kundërshtar ku Baseli i Granitit mposhti 2-0 Grasshoppers të Taulantit.

Në vitin 2012, Borussia Monchengladbach bëri një ofertë për Granitin dhe e transferoi në Bundesliga për shifrën e 8.5 milionë eurove duke e stabilizuar si një nga mesfushorët më të mirë zvicerianë në Europë. Katër sezonet me Gladbach ishin një sukses për Granitin që regjistroi afërsisht 150 paraqitje me gjermanët, ndërsa fitoi kuriozitetin e klubeve të Premier League, me Arsenal që më pas e afroi në skuadër.

Por, koha e Granitit te Arsenal është turbulluese dhe për të ka opinione të ndryshme, nga të cilat disa e preferojnë dhe të tjerë jo. Granitit ndërkohë i pëlqejnë duelet fizike në Angli dhe nuk e tërheq asnjëherë këmbën në një dyluftim, por nuk ishte lojtari që Arsenali kërkonte në aspektin difensiv. Mbase sepse Arsenal nënshkroi një mesfushor pa i njohur mirë cilësitë e tij, teksa Graniti zotëron një aftësi të lartë për të shpërndarë lojën.

Dhe, prej faktit se nuk ka luajtur në mënyrën e tij, mesfushori ka vuajtur duke mos qenë konstant. Dukej se koha e tij te Arsenal erdhi drejt fundit në momentin kur gjatë një ndeshje me Crystal Palace ai u përplas në distancë me tifozët e skuadrës, ndërsa i dhuroi turmës disa duartrokitje ironike. Pas këtij veprimi, klubi i hoqi shiritin e kapitenit, megjithatë situata u kthye dhe me trajnerin Arteta duket sikur raporti me fansat është përmirësuar, kjo edhe pas triumfit në FA Cup sezonin e kaluar.

Ndërkohë që Graniti po shndërrohej në një yll të Premier League, Taulanti qëndroi te Basel duke koleksionuar tituj kampion në Zvicër. E vërteta është se Graniti ka një profil më të lartë, por Taulanti ka fituar më shumë trofe. Në fakt, Taulanti mund ta konsiderojë veten të pafat që asnjë klub i Premier League nuk u interesua për të, duke marrë parasysh sa i rëndësishëm është në mesfushë.

Të dy Xhakat e dinë se i kanë borxh Zvicrës, ishte vendi që i mirëpriti pas një momenti kur shtëpia e tyre kishte probleme të luftës, ndërsa Zvicra i dha mundësi që vendlindja nuk mund t’ia jepte. Prandaj, të dy përfaqësuan Zvicrën deri te niveli U21, por nuk i harruan rrënjët e tyre.

Sa i përket kombëtares, Graniti u zhgënjye që nuk ia doli të ishte pjesë e Shqipërisë, ndërsa më pas u bë pjesë e Zvicrës ku prej vitit 2011 ka shënuar 12 gola në 84 paraqitje. E kundërta ndodhi me Taulantin i cili pavarësisht se përfaqësoi Zvicrën në ekipet zinxhirë të moshave, në fund u bë pjesë e Shqipërisë duke realizuar dëshirën e madhe.

Megjithatë, për thuajse një vit, Taulanti qëndroi jashtë kombëtares teksa luheshin kualifikueset për Botërorin e vitit 2018 pasi kishte përplasje me trajneri De Biasi ndërsa pas shkarkimit të italianit, Taulanti u rikthye të vishte sërish fanellën kuqezi. Ndërkaq, duke u rikthyer edhe njëherë te përplasja e dy vëllezërve në kampionatin europian të Francës, Granit Xhaka u shpall njeriu i ndeshjes.

Kjo nuk ishte përballja e parë mes tyre dhe ndoshta nuk do të jetë as e fundit, megjithatë ndjesia e të qenurit në Europian me dy kombëtare të ndryshme ishte speciale. Aty bëhej fjalë për dy shqiptarë krenarë që përfaqësonin shtete të ndryshme dhe ishin në betejë me njëri-tjetrin. Futbolli është pasioni i dy Xhakave, por ashtu si edhe Graniti tha pas asaj ndeshje, në jetë ka gjëra më të rëndësishme se futbolli: “Ne u përballëm dhe luftuam kundër njëri-tjetrit, por ishte thjesht një ndeshje futbolli asgjë më shumë”.