Hysen Dedja, një nga emrat e njohur të futbollit shkodran, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” së fundmi.

Ish-trajneri dhe ish-lojtari kampion me Vllazninë ka analizuar sezonin e kuqebluve. Ndër të tjera, ai thekson se që nga ndeshja e gjysmëfinales me Dinamon në kupë ka besimin se shkodranët do të jenë kampionë të vendit. Po ashtu, ish-mbrojtësi ka edhe disa “këshilla” për futbollistët dhe stafin kuqeblu se si arrihet suksesi final për titullin kampion.

Profesor, si e gjykoni sezonin e rregullt që mbylli Vllaznia?

Mund të them se ishte një sezon me uljet dhe ngritjet e tij. Si çdo skuadër në Superiore, edhe Vllaznia kishte momentet e saj shumë pozitive, por edhe momente “jo”. Që ndoshta ndonjëherë edhe zhgënjenin, por ekipi arriti objektivin minimal dhe tashmë duhet të shohë përpara, sepse nuk duhet të ndalet me kaq dhe të kënaqet vetëm me arritjen në kupat e Europës. Tashmë është sezoni i duhur për të arritur atë çfarë nuk arrihet prej vitesh.

Mund të bënin diçka ndryshe kuqeblutë?

Shiko, është e lehtë të analizosh kur ka përfunduar thuajse sezoni, se çfarë mund të bënte më mirë apo përmirësonte skuadra. Ato ndeshje tashmë kanë kaluar, Vllaznia i ka marrë pikët që i duheshin. Tashmë janë dy ndeshje që kanë një specifikë totalisht ndryshe e po ashtu duhet të trajtohen në mënyrën më të veçantë të mundshme. Them se stafi teknik do të arrijë të qaset siç duhet në këto dy duele, nëse do të jenë dhe shpresoj të jenë dy.

Ngelet një peng moskualifikimi në finalen e Kupës?

Ngel disi peng, por unë nga ajo ndeshje kam fituar besimin se Vllaznia mund të shpallet kampione. Pse e them këtë? Sepse ato 30 minuta kundër Dinamos në pjesën e dytë, treguan se çfarë cilësie ka Vllaznia, që di të luajë futboll dhe të dominojë kundërshtarët. Më pëlqeu shumë reagimi i atyre minutave dhe dëshira që treguan futbollistët. Nuk kam pasur shumë besim gjatë sezonit te Vllaznia, por opinioni im ka ndryshuar nisur nga ai duel i gjysmëfinales së kupës.

Sërish përballë me Dinamon, një ekip që u ka nxjerrë “punë” këtë sezon shkodranëve…

Dy skuadra që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar. Por po t’i vendosësh në peshë futbollistët e të dyja ekipeve besoj se trofetë anojnë nga ana  e Vllaznisë. Pavarësisht se shumica e tyre nuk e kanë fituar titullin kampion, sërish ka lojtarë si Balaj, Krymi, Gurishta që kanë përvojë me fitimin e kupës. Apo edhe Mala e Gruda që e kanë fituar kampionatin me skuadra të tjera. Kurse te kjo Dinamo e re vetëm Bregu me sa di unë apo edhe Dita kanë fituar trofe, të cilët po ashtu nuk dihet nëse do të jenë në fushë. Prandaj Vllaznia nuk duhet të stepet aspak nga statistikat e këtij sezoni, sepse eksperiencën e ka në krah të saj.

Çfarë duhet të bëjë Brdariç në ndeshjen gjysmëfinale, duhet të hyjë për një barazim apo jo?

Absolutisht jo dhe do të ishte një gabim nëse do të futej në fushë për të marrë një barazim. Por unë besoj se Brdariç do të na prezantojë një ekip që do të kërkojë të imponojë ritmin dhe të marrë në kontroll lojën. Për t’i lënë pak hapësira dhe mundësi loje Dinamos. Unë them se Vllaznia i ka aftësitë për të dominuar në çdo ndeshje ndaj çdo rivali të Superiores.

Si dilet kampion?

Me mentalitet dhe asgjë tjetër. Futbollistët dhe të gjithë të tjerët duhet të jenë të vetëdijshëm në forcat e tyre, sepse i kanë. Ndonjëherë më duket sikur tifozët kanë më shumë grintë dhe dëshirë se ata që zbresin në fushë. Duhet “rrahur gjoksi”, sepse ne jemi Vllaznia dhe një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar. Edhe në klub duhet të jenë të bindur te forca që kanë e të mos “emocionohen” aspak para një përgjegjësie kaq të madhe, siç është fitimi i titullit kampion.

Një këshillë për futbollistët e Vllaznisë si ish-kampion i vendit?

Të jenë të lirshëm, ta shijojnë ndeshjen dhe të mos vihen nën presion. I kanë mundësitë për të bërë mirë dhe për të fituar ndeshje të rëndësishme. Përfaqësojnë Vllazninë dhe duhet gjithmonë të mendojnë për kampion. Edhe në periudhën kur unë isha lojtar, pavarësisht se nuk e fitonim kampionatin apo kupën çdo sezon kur shikonim kalendarin në fillim sezoni, thoshim: “Mos, do të shpallemi kampionë në Gjirokastër dhe jo Shkodër”. Sepse ndeshja e fundit i takonte me Luftëtarin për shembull në transfertë. Pra, e kishim të ngulitur në mendje që Vllaznia luan vetëm për trofe dhe shpalljen kampion. Prandaj këtë ua këshilloj lojtarëve, të mendojnë për kampionë dhe të rikthejnë titullin në Shkodër pas 24 vitesh mungesë.