Këtë të martë, do të luhet sfida Real Madrid-Borussia Dortmund, e vlefshme për raundin e tretë në Champions League. Përballë vihen dy finalistet e edicionit të kaluar, që u fitua nga madrilenët. Te gjermanët duan një lloj hakmarrje dhe për këtë arsye fokusi te kjo përballje ka qenë maksimal.
Trajneri i verdhezinjve, Nuri Sahin, rikthehet në “Santiago Bernabeu” pas 13 vitesh, aty ku ka luajtur me Realin, por këtë herë do të jetë si kundërshtar.
Siç ndodh gjithmonë, skuadrat që luajnë në transfertë, udhëtojnë një ditë para ndeshjes, për të zhvilluar një stërvitje në stadiumin ku do të luajnë. Megjithatë në rastin e Dortmund, ka ndryshuar plani, për një arsye të veçantë.
Trajneri Sahin, ka vendosur ta zhvillojë stërvitjen e fundit në tokën gjermane, për shkak se i frikësohet spiunëve në “Bernabeu”. Këtë e raporton “Bild”, e cila thekson se Sahin nuk dëshiron të rrezikojë ndonjë rrjedhje të planeve të tij te kundërshtari në prag të ndeshjes së madhe.