Plot 545% rritje në vetëm 15 vite. Kjo është përmasa e rritjes së çmimeve të biletave për ndeshjen Inter-Barcelona në Champions League, nga viti 2010 deri në 2025. Në atë kohë, në epokën e Mourinhos dhe Guardiolës, një biletë për tribunën e tretë në “San Siro” kushtonte 22 euro. Sot, për të parë të njëjtën përballje nga i njëjti vend, tifozët duhet të paguajnë 120 euro. Shifra që ka ndezur debat mes tifozëve dhe që tregon më së miri si ka ndryshuar qasja financiare e klubeve elitare – në këtë rast, e Interit.
Ndërkohë, te “zikaltrit” vijojnë përgatitjet për superndeshjen e nesërme në “Montjuïc”, ku pritet të vendosen fatet e një sezoni historik. Benjamin Pavard, siç ishte parashikuar, nuk do të jetë i gatshëm për këtë sfidë. Francezi ka munguar në stërvitjen e fundit dhe nuk do të udhëtojë me ekipin drejt Barcelonës.
Lajm më i mirë vjen nga Marcus Thuram: sulmuesi është stërvitur rregullisht me grupin dhe do të jetë në dispozicion të Simone Inzaghit. Edhe pse nuk pritet ta nisë si titullar, ai mund të jetë një armë e vlefshme nga stoli, sidomos në pjesën e dytë. Sa i përket formacionit, mbrojtja do të udhëhiqet nga Acerbi dhe Bastoni, ndërsa Bisseck shihet si favorit ndaj Darmian për të zëvendësuar Pavard. Carlos Augusto kërcënon pozicionin e Dimarcos në krahun e majtë, ndërsa në mesfushë nuk ka dilema: Barella, Calhanoglu dhe Mkhitaryan janë titullarë të padiskutueshëm. Në sulm, përkrah Lautaros, favorit për të nisur është Arnautovic, me Taremin dhe madje edhe Frattesin si alternativa të mundshme në një sistem më të paparashikueshëm.
Formacioni i mundshëm i Interit (3-5-2):
Sommer; Bisseck, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Carlos Augusto; Lautaro, Arnautovic.
Ndeshja e nesërme nuk është thjesht një sfidë për finalen e Champions-it. Është përballja mes nostalgjisë dhe të tashmes, mes epokës së ‘Tripletës’ dhe ambicies për ta përsëritur atë. Dhe këtë herë, gjithçka vjen me një çmim shumë më të lartë – jo vetëm për biletat.