Nga Maringlen ZHIVANI

Burreli bëri një paraqitje surprizuese këtë sezon në Kategorinë e Parë. Një nga ata që spikati më së shumti ishte kapiteni i skuadrës matjane, Florenc Farruku. Sulmuesi 23-vjeçar shënoi 15-gola, shifër të cilën ai e realizoi gjatë 33-javëve kampionat.

Me shumë mundësi, sezoni që sapo u mbyll pritet të jetë i fundit për Farrukun te Burrelit, pasi gjasat janë që të ndryshojë ambient. Në fakt, falë ecurisë së tij në sezonin që u mbyll, tashmë ka interes nga klube të ndryshme për shërbimet e 23-vjeçarit, ku bëjnë pjesë skuadra elitare në Shqipëri si Egnatia, Dinamo, Elbasani, Vora apo edhe Flamurtari, pa harruar këtu edhe interesimet nga Kosova.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Farruku tregon se ka patur oferta nga ekipe të ndryshme në Superiore, por dëshira e tij është të luajë pse jo për Vllazninë, duke qenë se është edhe tifoz i kuqebluve që në moshë të vogël.

“Kam patur një ecuri shumë të mirë këtë sezon. Kemi zhvilluar një kampionat që ndoshta nuk e kemi menduar në fillim. Jam shumë i kënaqur nga ky kampionat. Kam shënuar 15-gola dhe jam tepër i lumtur që arrita një numër dy-shifror golash. Objektivi personal ka qenë shënimi i 15-golave në dy fazave, ç’ka e arrita. Tashmë, synoj të përmirësohem akoma më shumë dhe vitin e ardhshëm të bëj diferencën në Superioren me golat e shënuar nga ana ime.

Ofertat dhe e ardhmja? Normalisht, oferta dhe kontakte kam pasur, por nuk dua t’i bëj publike se nuk është etike. Normalisht, duke qenë se, këtë intervistë po e jap për një gazetë në Shkodër, mund të them se unë jam tifoz i Vllaznisë që në moshë të vogël. E kam ndjekur çdokund kur kam patur mundësi dhe nëse do më vinte një ofertë nga Vllaznia, nuk do e mendoja dy herë. Në fakt, unë kam oferta nga pjesa më e madhe e klubeve të Superiores, por pse jo, dëshira është që të jem pjesë edhe e Vllaznisë, Djepit të Futbollit Shqiptar. Megjithatë, t’ia lëmë të ardhmes dhe të shikojmë në vazhdim”,-tha në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, kapiteni i Burrelit, Florenc Farruku.(www.shkodrasport.com)