I vura këtë titull mbas tërë grupi përbëhej prej kampionesh dhe rekordmenesh. është reparti i atleteve të Vllaznisë së Shkodrës që në këto ditë të ftohta janari zhvillon stërvitje të rregullta në stadiumin “Vojo Kushi” të qytetit. Ishin 12 veta. Secila prej tyre është kampione dhe rekordmene në një garë. Bile shumica e tyre mban nga 2-3 rekorde. Pjesa më e madhe e tyre nuk i ka mbushur akoma 16 vjetët. Le t’u prezantojmë me to.

Mjeshtrja e sportit Sebije Keraj rekordmene në vrapimin 400 m për të rriturat, infermierja e ardhshme Xhemalie Kavaja, rekordmene e 800 m për të rejat, fshatarja nga Dukagjini Lule Ndoja, kampione e shtizës për të rriturat gjatë vjetëve 1959 dhe 1960, Shaqe Nika rekordmene për junioret e rritura në 400 m, Mara Frroku rekordmene për junioret e rritura në kërcimin së gjati dhe vrapimin 100 m dhe pastaj me rradhë Suzana Veseli rekordmene për junioret e rritura në shtizë, Fasilet Luli rekordmene për junioret e mesme në disk dhe gjyle, Fejzije Rizai rekordmene për junioret e mesme në kërcimin së larti dhe shtizë, Myzejen Duli në 60 dhe 100 m, Mimoza dhe Valdete Meta në 200 dhe 80 m me pengesa dhe kërcimin së gjati dhe së fundi, Françeskina Gilaj në disk.

E filluan stërvitjen me ecje të thjeshtë sportive, më vonë me ushtrime pregaditore të përgjitshme dhe përfunduan me zhvillimin e garave të tyre speciale. Nën drejtimin e trajnerëve Ibrahim dhe Feti Dizdari, nuk i ndërprenë për asnjë çast stërvitjet e tyre. Ata synojnë që gjatë vitit t’i rrisin edhe më tepër rezultatet e tyre sportive dhe secila i ka përcaktuar vehtes një objektiv. Mjeshtrja e sportit Sebije Keraj p.sh ka vendosur të përmirësojë dy rekorde kombëtare në 200 dhe 400 m, kurse Xhemalie Kavaja atë të 800 m. Megjithëse Shaqe Nika është e moshës së junioreve të rritura, ajo synon të përmirësojë rekordin kombëtar të vrapimit 400 m për të rritura, duke u bërë konkurrente e fortë e mjeshtres së sportit Sebije Keraj.

Rifat Uruçi

Gazeta “Sporti Popullor”, datë 25 janar 1961