Amarildo Gjeçi, ish-gjyqtari shqiptar i cili tashmë jeton në Gjermani, ka lëshuar akuza të forta ndaj drejtuesve të FSHF-së pas rastit të fundit të kërcënimit të gjyqtarëve. Duke folur në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, Gjeçi theksoi se kjo ishte rrjedhojë e keqmenaxhimit që i ishte bërë kampionatit shqiptar nga FSHF dhe se vetë institucioni nuk mbronte gjyqtarët, por u bënte presion atyre.


Çfarë ndjesie keni kur dëgjoni që arbitrat me stemën e FIFA-s kërcënohen dhe anulohet një ndeshje? Në këtë situatë ndodhet Superiorja shqiptare?

Në fakt, është një rast i paprecedent. Por, kam përshtypjen ka pasur edhe më parë. Të arrihet deri në këtë pikë është diçka e pa konceptueshme, por mbase është dhe vetë politika e Federatës që ka bërë që gjërat të shkojnë deri këtu.


Ju vetë, a jeni kërcënuar kur keni gjykuar ndeshje në Superioren shqiptare?

Ka pasur momente kërcënimesh, sidomos kur afrohet periudha e fushatës, sikurse jemi dhe tani. Situata është shumë e nxehtë dhe këto gjëra pritet të ndodhin.


Në çfarë formash kërcënohen gjyqtarët, deri në çfarë pike arrihet?

Ju e shihni dhe vetë, sepse rasti është shumë i freskët, me familjen e Xhajës. Më vjen shumë keq për këtë gjë. Rastet janë nga më të ndryshmet. Mbase edhe politikanët kanë të bëjnë me këtë gjë. Kjo është shumë e keqe. Si çdo gjë në Shqipëri, në çdo lloj hallke, ka të tilla problemesh.


Sa ju mbron Federata, sa ndjeheni të mbrojtur?

Aspak. Absolutisht aspak. Pse pikërisht në këtë moment ndodh kjo gjë. Siç përmendët ju edhe rastin e javës së kaluar. Për mendimin tim është qesharake, që thuhet se goli i Laçit është anuluar. Ai nuk ishte gol dhe ky ishte një vendim shumë i mirë nga ana arbitrare. Por, siç e thashë dhe më parë, ndoshta politika e Federatës ka bërë që gjërat të mbërrijnë këtu ku janë tani.

Në fakt, jo vetëm në Superiore por dhe në Kategorinë e Parë ka probleme me gjyqtarët. Si e shpjegoni këtë?

Besueshmëria ka rënë. Dhe, për mendimin tim faji është i drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Nuk kanë faj as skuadrat, nuk kanë faj as arbitrat. Në këtë gjullurdi fajin e vetëm e ka Federata, drejtuesit e saj me në krye dizenjatorin e arbitrave.

Që është?

Që është, Sokol Jareci.


Cili është problemi kryesor i arbitrave në Shqipëri sot?

Problemi kryesor… Ndoshta ka të bëjë dhe eksperienca. Duke qenë që Federata, ose më saktë politika e ndjekur nga Federata me arbitrat e rinj tani, bën që të krijohet pasiguri edhe te skuadrat dhe të arrihet deri këtu, deri te kërcënimet. Uroj që kjo të zgjidhet sa më parë, sepse në se vazhdohet me këtë lloj mënyre do të kemi ndoshta raste si ai që po ndodh në kampionatin grek të futbollit, që në ndeshjet më kryesore të tij vijnë arbitra nga jashtë për të gjykuar ndeshjet.

A mendon se ka humbur besimi ndaj gjyqtarëve, apo ka humbur frika ndaj ligjit?

Të jemi të sinqertë, më shumë mendoj se është te pjesa e ligjit se sa te ajo e arbitrave. Po bëj një krahasim shumë të thjeshtë dhe po përmend dy arbitrat kryesorë për momentin që janë kërcënuar, sikurse Juxhin Xhaja apo dhe Enea Jorgji. Shikoni diferencën ndërmjet kampionatit të Superiores dhe kur shkojnë dhe gjykojnë ndeshje jashtë. Sa komod ndjehen ata kur gjykojnë jashtë dhe sa komod ndjehen kur gjykojnë në kampionatit kombëtar të futbollit. Këtë gjë e kam cekur edhe para shumë kohësh, kur kam përmendur që situata do të agravojë. Dhe, sot jemi pikërisht në këtë situatë nga kjo gjë. Jemi në një situatë që edhe organet kompetente nuk kanë ndërhyrë për këtë. Ndaj, më saktë ne nuk besojmë te pjesa e ligjit, si ish-arbitër në Shqipëri, po them.


A keni pasur presione nga shefat tuaj në ndonjë ndeshje?

Sigurisht që ka presione. Le të dalë dikush e të thotë që nuk ka presione nga ana e drejtuesve, nga ana e Federatës vetë dhe nga ana e drejtuesve të skuadrave. Ka absolutisht.

Nga Federata apo nga klubet?

Edhe nga Federata.


Presione të tilla, si?

Është shumë e qartë kjo që po ndodh. Është e freskët fare. Dmth, ke këto gjëra, por ke dhe të tjera nga më të ndryshmet. Që do të thotë, presionet janë në forma nga më të ndryshmet ndoshta dhe nga persona të tretë, që nuk dalin në skenë më kryesorët. Kështu që ndodhin këto gjëra pastaj. Kjo është e gjitha.

Çfarë dëmi i sjellin imazhit të Shqipërisë të tilla gjëra?

Unë mendoj që kjo sjell shumë dëm. Po të shikosh me vëmendje, kampionati shqiptar për fat të keq ka rënë shumë në të gjitha drejtimet. Ne kemi presidentin e FSHF, që është zgjedhur përsëri anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe, me të vërtetë ai u zgjodh atje, por shtëpinë e vet e ka lëmsh fare. Në këtë mënyrë nuk mund të funksionojë. Duhet të ndryshojnë me pa tjetër drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndryshe, kampionati ynë do të përfundojë keq e më keq.


Me çfarë syri e sheh ti nga jashtë, sepse ke vite që jeton në Gjermani. Si shihen gjërat nga jashtë?

Të them të drejtën, nëse shikojmë pjesën e Kombëtares, mbase është mirë që presidenti i FSHF u zgjodh në komitetin e UEFA-s, por përsa i përket shtëpisë së vet, duke futur këtu Superioren, Kategorinë e Parë dhe të Dytën, do të jetë shumë e vështirë në vitet në vijim nëse vazhdohet në këtë lloj mënyre. Nuk do të ecim përpara sa i përket futbollit.

Çfarë duhet të bëhet për këtë, duhet të ndryshohet stafi i Federatës?

Absolutisht duhet të ketë ndryshime.


Duke filluar nga ku?

Që nga presidenti e me radhë.