Mërgim Mavraj, ka reaguar pas barazimit 0-0 të Shqipërisë ndaj Serbisë, në një nga ndeshjet më të pritura. Me një mesazh të shkurtër, por domethënës, ai kritikoi qasjen e ekipit kombëtar dhe trajnerit Sylvinho.

“Ndeshje të tilla luhen për t’i fituar me çdo kusht, jo thjesht për të mos humbur. Faleminderit”, shkroi Mavraj në profilin e tij në Instagram.

Ky reagim është interpretuar nga shumë tifozë si një shigjetim i drejtpërdrejtë ndaj strategjisë së kujdesshme të Sylvinhos, i cili zgjodhi të mos rrezikojë, duke u fokusuar më shumë në mbrojtje sesa në sulm.

Përkundër faktit që Shqipëria mori një pikë, Mavraj sugjeron se kjo ishte një mundësi për e mirë për të marrë fitore. Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Mavraj, ka qenë pjesë e brezit të artë që dërgoi Shqipërinë në Euro 2016, është njohur për karakterin e tij luftarak dhe lidershipin në fushë.

Shumë tifozë ndanë të njëjtin ndjenjë zhgënjimi pas ndeshjes, jo vetëm për rezultatin në vetvete, por për mungesën e guximit dhe pasionit në një përballje kaq të rëndësishme. Përballë Serbisë, nuk luhet vetëm për tre pikë, por luhet për krenari, për dinjitet dhe për historinë që ndan dy popuj. /Telegrafi/