Të githë e mbajmë mend natën e 14 tetorit të vitit 2014. Në Beograd vetëm për futboll nuk u fol kurrë, me futbollistët shqiptarë që u përballën me një situatë të tmerrshme.

Thirrje raciste dhe kore kundër shqiptarëve nga tifozët serb ishin nga fillimi i ndeshjes deri në momentin që mbi Beograd fluturoi një flamur me hartën e Shqipërisë Etnike, teksa në foto ishin Isa Boletini dhe Ismail Qemani.

“Autochtonous” çmendi serbët, të cilët vërshuan në fushë për të kapur flamurin, i cili siç i ka hije shqiptarit, u mbrojt me forcë dhe gjaknga futbollistët e Kombëtares shqiptare. Njëri prej tyre që ka parë një situatë të tillë ka qenë edhe Alban Hoxha.

Gardiani i portës në një intervistë për “NEWSPORT.al” ka treguar pak nga ai moment, ndërsa ka bërë edhe parashikimin e tij për duelin e ditës së sotme mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Si një nga futbollistët që keni qenë prezent në Beograd. Çfarë keni menduar në ato moment, ku situata doli jashtë kontrollit në 2014?

 Sigurisht që ka qenë një momet shumë i vështirë për ne, pasi situata  ka qenë shumë e rëndë. Mendoj që djemtë janë treguar heronj të gjithë në atë trysni psikologjike dhe me thirrje raciste përgjatë gjithë ndeshjes.

Pavarëisht se nuk jeni pjesë e kuqezinjve, por si po e përjeton duelin Shqipëri – Serbi?

Normale që këto sfida priten me shumë ankth dhe interes. Ashtu si i gjithë populli shqiptar edhe unë pres dhe besoj shumë që ne do t’ia dalim. Besoj shumë që do të marrim 3 pikët sepse i kemi të gjitha mundësitë me këtë grup djemsh që ekipi ka në përbërje.

Siç dihet kjo sfidë ka edhe një ngarkesë emocionale te lojtarët, a mendoni se kjo do të ndikojë në fushë?

Ata janë futbollistë profesionistë që luajnë në kampionate shumë të fortë. Unë mendoj se do të jetë një emocion i bukur sepse çdo lojtar mezor i pret këto ndeshje. Plus pastaj dhe tifozeria si në çdo ndeshje do të jetë më e karikuar.

Sa vendimtare do të jetë kjo sfidë sipas jush për rrugëtimin e Kombëtaren për në Botëror?

Do të ishte shumë e rëndësishme kjo fitore. Vendi i parë është i vështirë, pasi dihet se Anglia është Angli, por vendi i dytë është mëse i arritshëm.

Kombëtarja e 2014 apo kjo e Sylvinhos, cili ekip sipas jush ka më shumë cilësi për të përballur këtë sfidë?

Të dyja Kombëtaret kanë bërë shumë mirë në periudhat e veta. E kam të vështirë  t’i ndaj, por secila ka bërë maksimumin.

Parashikimi juaj për këtë përballje?

Unë besoj shumë së do të fitojmë 2-0 ose 2-1. Shpresoj të jetë kështu.

Kush shënon?

Dëshira ime është që të shënojë Jasir Asani, sepse e kam shumë shok. Por pavarësisht kësaj, më e rëndësishme është fitorja pastaj le të shënojë kush të dojë.

Një mesazh për tifozët?

Uroj që t’i tregojnë Serbisë se ku ka ardhur. Ekipi duhet t’ua shpërblejë me një fitore dhe ne në fund të festojmë të gjithë së bashku.

Kujtojmë se sfida mes Shqipërisë dhe Serbisë do të luhet në “Air Albania” në mbrëmje, duke nisur ë nga ora 20:45. Takim i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.