Dinamos i iku fitorja nga duart teksa në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Bylis humbi një penallti me Dejvi Bregun e më pas pësoi një gol duke dalë pa asnjë pikë nga Ballshi. Në fund të ndeshjes trajneri Dritan Mehmeti shprehu zhgënjimin e tij në mikrofonat e RTSH Sport.

“Futbolli i tillë është. Nga situata e fundit, të kesh mundësi të shkosh te fitorja e të pësosh gol. Lojtarët pas humbjes së penalltisë ishin në shok, por nuk ka justifikim. Duheshin menaxhuar minutat, duhet të ishim më të kujdesshëm. Ndeshja u interpretua me pak vështirësi në mbajtjen e topit në pjesën e parë.

Ky 90 minutësh, duke patur parasysh situatat që patëm, kundërshtari na ka rrezikuar në pjesën e parë, ndërsa në të dytën dominuam duke patur raste të pastra. U mundova ta fitoj ndeshje duke bërë të gjitha lëvizjet e duhura, por ky është futbolli. Shpresoj që klubi të plotësojë grupin pasi vetëm 1 qendërmbrojtës tipik kam në skuadër. Shpresoj që skuadra të plotësohet me 2 qendra, 1 mesfushor dhe 1 sulmues.

Trajneri është gjithmonë me valixhe në duar, lajmet që qarkullojnë nuk i di. Unë bëj maksimumin për Dinamon. Jam shumë i qetë, unë kam bërë timen për Dinamon duke dhënë mendimet dhe këshillat e mia. Jo gjithmonë, në futboll është faji i trajnerit. Klubi duhet të ndihmojë veten duke plotësuar organikën e të përballojë një kampionat të gjatë. Nëse Dinamo plotësohet do të ringrihet.

Pësojmë në momentet më të mira? S’ka problem psikologjik skuadra, janë situata të lojës. Kemi patur shumë ndryshime dhe janë vetëm 2 ndeshjet e para. Skuadra ka prodhuar futboll, por kemi 3-4 elementë që kanë ardhur dhe duhet kohë. Skuadra do të vijë në koalidim e sipër, i falenderoj djemtë sepse bënë maksimumin.

Unë dhe stafi kemi bërë kërkesat, por merkaton e bën klubi. Një skuadër ndërtohet për të përballuar kampionatin, kushdo që të vijë në krye të stolit.”, tha Mehmeti.