Vllaznia do luajë ndeshjen e dytë në kuadër të turit të parë kualifikues të Conference League ditën e enjte. Shkodranët do mirëpresin në duelin e kthimit, islandezët e Valur. Kjo pas 90 minutave të para të zhvilluara në ishullin nordik, që përfundoi në shifrat 2-2. Rezultat që ndoshta “djeg” disi.

Pasi kuqeblutë shkodranë pësuan golin e barazimit në minutën e 97-të, ku po kryesonin 1-2. Por optimizmi dhe shpresat për kualifikim janë të larta tek Vllaznia. Jo vetëm nga rezultati i arritur në Islandë, por edhe nga loja që zhvilloi ekipi i Brdaric. Dhe me mbështetjen e publikut shkodran të enjten, gjithçka duket se shkon në favorin e kuqebluve.

Nga ana tjetër nuk luhet vetëm për prestigjin që të jep kualifkimi, por edhe për shpërblimin nga UEFA. Kjo pasi kalimi në turin e dytë të Conference League do i garantonte një fitim prej 350 mijë eurosh Vllaznisë. Shto këtu edhe 300 mijë eurot për pjesëmarrjen në këtë kompeticion, do ishte një shumë prej 650 mijë eurosh e garantuar për kuqeblutë.

Një shifër me të vërtetë e konsiderueshme dhe që do forconte edhe financat e klubit. Që patjetër kërkon ta përforcojë ekipin me elementë të tjerë cilësorë deri në fundin e merkatos. Ku si synime kryesore mbesin afrimet e një mbrojtësi të majtë dhe një sulmuesi krahu.
Endri ÇINARI