E ardhmja e Juventusit për sezonin e ardhshëm ende nuk është shkruar, por kjo nuk e ka ndalur klubin bardhezi të lëvizë me vendosmëri në merkato.

Sipas “Tuttosport”, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” po punojnë intensivisht për të sjellë në Torino një nga talentët më interesantë të futbollit gjerman, Karim Adejemi, sulmuesi i Borusia Dortmundit, një emër jo i ri në radarin bardhezi. Adejemi ka qenë prej kohësh një objektiv i drejtorit sportiv Kristiano Xhuntoli, i cili verën e kaluar kishte arritur një marrëveshje në parim me agjentët e lojtarit. Megjithatë ishte vetë Dortmundi që vendosi të bllokojë gjithçka në momentet e fundit.

Në janar, ishte Napoli që tentoi afrimin e tij, duke rënë dakord me klubin gjerman, por këtë herë ishte lojtari që tha “jo”, duke treguar hapur preferencën për fanellën bardhezi të Juventusit. Pavarësisht pasigurive rreth pjesëmarrjes në Champions, Juventusi duket i pozicionuar më mirë se rivalët për shërbimet e 22-vjeçarit. As Çelsi dhe as Napoli nuk kanë arritur të bindin lojtarin, i cili sipas burimeve është i vendosur të transferohet në Torino, pavarësisht nëse klubi do ta sigurojë një vend në elitën europiane apo jo.

Një avantazh i rëndësishëm për Juventusin qëndron edhe te aspekti financiar. Adejemi përfiton aktualisht rreth 3 milionë euro në sezon, një shifër që konsiderohet e përballueshme për strukturën aktuale të pagave në klubin torinez. Një rritje e lehtë e pagës do të hynte brenda kufijve të planifikuar nga drejtuesit bardhezi për sezonin e ri.