Pas arratisjes së bujshme të Arvid Hoxhës dhe Lulëzim Bërshenit nisi edhe kalvari i përndjekjes nga autoritetet shqiptare, jo vetëm për familjarët e tyre që kishin lënë pas në Shqipëri, por edhe për vetë dy futbollistët.
Shqipëria asokohe kishte raporte të mira me Greqinë dhe disa herë u prishën punë. Por, si ranë në kontakt pas arratisjes me shqiptarët pas 4 muajsh Hoxha me Bërshenin dhe çfarë ndodhi me jetën e tyre në kampet greke të azilantëve? Arvid Hoxha thotë se në Greqi i pritën mirë dhe se u është mirënjohës përjetësisht.
Çfarë ndodhte në Shqipëri nuk kishit asnjë ide, apo jo?
Nuk e dinit si ishte reagimi? Jo, absolutisht. Lidhja e parë me Shqipërinë ishte kur erdhën djemtë e çiklizmit në Xhiron e Athinës. Kanë qenë çiklistët e Vllaznisë, Agim Tafili, Sutki Brahimi (Tushi) se kështu i thërrisnim. Në Shkodër kishim dhe një fërshëllimë që ia dërgonim njëri-tjetrit, “Ejani shkojmë bashkë për të ngrënë në mensën e ekipit”. Në kohën që po bënin Xhiron e Athinës, Luli u takua me ta dhe ata i thanë në çfarë hoteli ishin.
Më vonë kam shkuar unë me Frederik Dionisin, një i arratisur tjetër nga Tirana, dhe kemi bërë kontaktin e parë. Dolën në ballkonin e hotelit, megjithëse ruheshin nga ambasada. Kemi kontaktuar me sy me njëri-tjetrin. Me dikë aty kontaktova me Brahimin, i dhashë një letër të shkruar dhe i thashë: “Tushi, të lutem më trego çfarë ka ndodhur me familjen time”. Ky ka qenë kontakti i parë.
Ju komunikonit me letra me shkrim, por jo me zë?
Po, dhe Tushi më tha: “Arvid, mos u mërzit, gjithçka mirë”. E falënderoj, ai nuk më tha të vërtetën sepse donte të rrija i qetë. Në fund të letrës më kishte shkruar: “Të lutem mos ta kapë njeri këtë letër se më shkatërrojnë”. Ishim përballë njëri-tjetrit dhe si në ata filmat me gjermanë… E mora letrën e futa në gojë, e hëngra dhe mora gotën e piva ujë. I thashë: “Tushi, kjo letër iku”. Kaq ishte komunikimi ynë.
Çfarë mbani mend nga ato ditë të vështira?
Këtu nuk mund të lë pa përmendur mikpritjen e jashtëzakonshme të ekipit të Panioniosit, stafit të Panioniosit, njerëz që na kanë parë, na kanë ruajtur, na kanë ndjekur dhe çdo moment ata ishin të gatshëm të na ndihmonin. Donin me çdo kusht që ne të kishim një jetë të rregullt, por fatkeqësisht edhe aty shteti kishte atë forcën e vet.
Mund të na thoni se çfarë ndodhi aty?
Erdhi ekipi i Panioniosit, ishin 2-3 ekipe të interesuara dhe kjo ndihmë u krijua nga një zotëri, që ishte Kosta Gjika. Ishte një vorio-epirot, kështu e quante ai veten. Ishte një organizatë vorio-epirote në Athinë. Kosta na mori përsipër dhe së bashku me Ilir Bulkën si përkthyes, bënë një CV kush jam unë e kush është Lulëzim Bërsheni, se ne për hir të së vërtetës nuk kishim asgjë. Ne nuk kishim asnjë letër, asnjë dokument, asgjë. Që ata të na besonin, atëherë na thirrën dhe na çuan në një seancë stërvitore në Panionios në stadiumin e Panionios në “Azmiri”.
Aty kisha trajnerin e portierëve dhe për shans ishte dhe një arvanitas, ka luajtur edhe në Shqipëri ai djalë me Panathinaikosin. D.m.th., ishte Fillis, ndërsa trajner ka qenë Brams që ishte nga Belgjika, ka qenë edhe trajner i Anderlehtit si dhe dy–tre trajnerë të tjerë, që pasonin, drejtonin. Unë në portë, Luli bënte krosimet, gjuajtjet dhe unë prisja. Kjo gjë zgjati gjysmë ore, madje as gjysmë ore, më pak. Sa u zhveshëm, bëmë nxehmjen, 15-20 minuta shou…
Kam dëgjuar një fërshëllimë nga stadiumi, që ishte e trajnerit Brams dhe na e bëri me dorë. Hymë brenda, u lamë, u veshëm dhe na morën e na çuan në hotel. Na thanë: “Ju jeni tani të kualifikuar për atë që thoni, pra u bindëm që jeni sportistë, por të shohim letrat”. Këto vazhduan për nja dy muaj. Këta dy muaj ishin polici, sigurim, stërvitje, hotel, polici, sigurim, stërvitje, hotel, pyetje, pse, çfarë, proces i sigurimit grek, Asfalias greke.
Pse ndodhte kjo?
Shikoni, edhe ne nuk kuptonim shumë gjëra, por erdhi një moment që pas gjithë kësaj periudhe, një ditë i them përkthyesit, Thanas quhej, dhe komunikonte shumë mirë italisht me mua. “Thanas, – i them, – çfarë ka ndodhur?” “Ambasada shqiptare, – më tha, – thotë se ju jeni të kërkuar në Shqipëri, jeni kriminelë dhe duhet t’ju kthejnë medoemos në Shqipëri.
Keni bërë tentativë për grabitje banke në Finlandë, kështu thotë ambasada shqiptare dhe duhet të ktheheni mbrapa”, më tha. “Atëherë, – i them, – po ti nuk mund të shkosh në ambasadën finlandeze për ta verifikuar se çfarë ka ndodhur në Finlandë?” “Ouuuu, – bëri, – si bëjnë këta, o malaka”. Ditën tjetër, si duket, kishte shkuar në ambasadën finlandeze dhe ishin bindur që nuk kishim bërë asnjë vjedhje. Ai ishte fundi i peripecisë sonë.
Çfarë ndodhi më pas?
Atëherë Thanasi më tha se nuk e kishte besuar kurrë se një aparat shtetëror mund të gënjejë në mënyrë të tillë për t’ua prishur jetën dy njerëzve. Na la të kuptonte se qeveria jonë fabrikonte gjithfarë gjërash që vetëm të na kthenin në Shqipëri. “Faleminderit, – i thashë, – që e kuptove”. Pastaj vazhduam stërvitjen e përditshme. Kemi dhënë një intervistë përpara gazetarëve, që na kërkuan të flisnim në përgjithësi. Ne me dëshirën tonë dhe me mirëkuptimin e Ilir Bulkut, sepse ishte ai që foli dhe ne vetëm kemi aprovuar. Iliri ishte njeri i brendshëm i sistemit. Iliri u tha në një moment mediave greke:
“Çdo njeri që ikën nga Shqipëria është kriminel, është hajdut, është vrasës, është njeri keqbërës… Po ne që kemi mbaruar shkollën çfarë jemi? Po tani çfarë do të thoni? Erdhi Micotaqis në Shqipëri, erdhi për vizitë shtetërore, po ku ju çuan ata? Mos patë gjë njerëz në Shqipëri?!” Iliri fliste sepse i dinte nga brenda gjërat. Dhe e vetmja arsye që Iliri tha:
“Mos flisni ju se do të flas unë, sepse unë kam vetëm një nënë që është e vjetër dhe po ta internojnë nënën time, një kafshatë bukë kanë për t’ia dhënë. Ndërsa familjet tuaja do t’i sakatojnë. Prandaj ju mos flisni, flas unë”. Kjo ka qenë intervista që është dhënë para 20-30 gazetarësh, nga “Omonia”, pas dy muajve që ishim aty.
Si ikët nga Greqia në Amerikë dhe pse Lulëzim Bërsheni mbeti aty ndërsa ju ikët?
Kur arratiseshe nga vendet komuniste në atë periudhë, kishe dritë jeshile nga Amerika për të marrë të drejtën e azilit politik. Çdo njeri që largohej nga vendet komuniste, Amerika e pranonte pa problem, por nëse ti kishe dikë që bëhej garant për ty, udhëtimi bëhej më i shpejtë. Por, në rastin tonë ne nuk kishim asnjë njeri.
Kështu që, i bëmë letrat në Amerikë në qendrën në Kallamaqe. Bëmë letrat, treguam kush jemi, moshën, të gjitha të dhënat, pasaportën që kemi sot. Plotësuam letrat se për ç‘vend kërkonim azil politik. Dhe ne të dy ishim për në Amerikë, por njëkohësisht si vend pritës ti kishe të drejtë të jetoje edhe aty ku u arratisëm. D.m.th., mund ta bëje kërkesën për Amerikë edhe për Greqi. U bë procesi i letrave, çdo gjë që bëhet, dhe bëmë intervistën në ambasadën amerikane, pasi na kishte dhënë të drejtën Kallamaqi për të udhëtuar.
Na kishin aprovuar të drejtën e azilit politik në Amerikë. Ndaj, ne prisnim garantuesin, një person, që në këtë rast u gjet me ndihmën e njerëzve humanë që jetojnë këtu dhe pranojnë të marrin dikë në familje derisa ai të dalë në jetën e tij. Gjatë kësaj periudhe kishim dy rrugë, futbollin me të cilin ishim të kënaqur se çdo gjë po shkonte në bazë të karrierës sportive si unë dhe Luli.
Të dy të kënaqur, të dy ishim mirë, kishim premisat për të luajtur. Luli ishte i ri, ishte në atë shpërthimin dhe jashtëzakonisht i pëlqyeshëm në tërë tifozërinë e Panioniosit. Të dy gëzonim një respekt të jashtëzakonshëm. Kalonim në rrugë dhe ndaleshin njerëzit na flisnin, na përqafonin.
Vërtet kaq shumë ju donin?
Po, ishte e mrekullueshme ajo që po ndodhte dhe filloi stadiumi të mbushej edhe në stërvitje. Më shumë njerëz vinin në stërvitje sesa në ndeshje. Ishte e veçantë, diçka që më ka mbetur në shpirt, e pabesueshme. Panionios është bërë strehë edhe e sportistëve të tjerë. Edhe Strakoshën e kanë mikpritur, Kolën, çdo sportist që ka kërkuar të shkojë te Panioniosi e kanë mirëpritur, por ne patëm vonesa nga më të ndryshmet.
Për çfarë vonesash e keni fjalën?
UEFA ose Federata e Futbollit ka një ligj, që çdo sportist që largohet pa të drejtën ose pa dëshirën e ekipit, dënohet një vit. Ti nuk mund të luash për një vit me asnjë ekip, nëse ekipi yt bazë, që në këtë rast ishte Vllaznia, nuk të jep OK-in. Atëherë, ne bënim stërvitje çdo ditë, të rregullt, vetëm se nuk mund të luanim në ndeshje të kampionatit. Por, stërviteshim rregullisht, ndeshje miqësore, ndeshje me dy porta, ishim pjesë e ekipit, ishim në formacion.
Kjo periudhë ishte në vitet ‘87-‘88. Kur kanë ardhur “blu carta” nga UEFA, agjentura shqiptare në Greqi përpiqej të bllokonte të gjitha postën që vinte për ne. Me ndihmën edhe të palës greke kishin bllokuar Postën Qendrore dhe kishin çuar njerëz nga Panioniosi, që të shihnin kur vinte zarfi nga UEFA e të ishin të sigurt që e merrnin atë zarf për të mos humbur zarfi. Aty kemi qenë të gjithë bashkë kur erdhi zarfi i Lulit. Se klubi, në fakt, aplikoi për të dy, por dy zarfet nuk erdhën në të njëjtën kohë. Zarfi i Lulit, për fatin e mirë, erdhi përpara.
Atë ditë në Federatën Greke kanë qenë anëtarë të ambasadës shqiptare. Ishin me pretekstin që kërkonin një kasetë të ndeshjes miqësore Greqi-Angli sepse atë vit ne kishim eliminatore me anglezët, për Europianin apo Botërorin nuk më kujtohet.
Edhe çfarë kishte ndodhur në Federatën Greke atë ditë?
Ai person që ishte aty, më vonë e morëm vesh që ishte i ambasadës shqiptare. Ishte informuar se çfarë ndodhte me lejekalimin tonë. Fillimisht u lirua karta e Lulit, u vulosën letrat, u dha e drejta për të luajtur në kampionatin grek. “Lejekalimi për Arvid Hoxhën do të vijë pas një jave”, u tha nga zyrtarët e federatës.
Dakord, po a ju erdhi dokumenti pas një jave?
Jo.
Pse?
Ishte ndjekur e njëjta procedurë si për Lulin, por kur shkuam pas një jave dhe pyetëm nëse kishte mbërritur karta ime, përgjigjja e kryetarit të Federatës Greke ishte e thjeshtë, e ftohtë akull. Ai iu drejtua Amanitisit, që ishte presidenti i klubit të Panionisit: “Z. Amanitis, jemi shokë të ngushtë, miq të vjetër bashkë, sepse kemi luftuar edhe në Qipro bashkë, por Hoxha nuk mund të luajë në kampionatin grek. Ne kemi bërë një gabim të madh me Bërshenin, por po të tërheqim kartën e Bërshenit, do të bëhet më skandal mediatik. Ndërsa Hoxha nuk luan dot këtu”. U tronditëm të gjithë. “Çfarë thua, – i tha Amanitis, – ne i kemi bërë të gjitha dokumentet”.
Përgjigjja ishte: “Amanitis i dashur, ka mbaruar kjo punë, ka hyrë shteti në mes. Unë nuk mund të dal përmbi shtetin. Kam familje për të mbajtur. Prandaj, o Hoxha të mos luajë, ose mund të digjen të dy…”. Ky ishte fundi i përgjigjes sepse isha vetë aty.
I them Amanitis që të mos përzihemi më në këtë punë. Unë e kam të qartë, ka hyrë shteti shqiptar në këtë punë. Nëse ka hyrë Shqipëria në mes, këtë nuk mund ta kthejmë më. Pas një dileme që u krijua aty, u kapëm me njëri-tjetrin, u tha: “Nuk mund të bëhet asgjë, ka mbaruar kjo punë”. Dhe e dini çfarë bëri klubi i Panioniosit dhe presidenti Amanitis, deri ditën që unë kam ikur në Amerikë?
Çfarë bënë?
Ata më kanë paguar mua të gjitha në bazë të kontratës që kishim bërë para se të vinte dokumenti që më lejonte të luaja. M’i kanë paguar të gjitha po ju them. Prandaj, u jam kaq shumë mirënjohës. Nuk e besoja kurrë se do të silleshin aq mirë. Kam qenë me Lulin bashkë në një shtëpi, kam marrë çekun për çdo muaj sikurse e merrte edhe Luli që luante çdo javë. Kam marrë premiot e ekipit kur fitonte njësoj siç i merrte Luli. Letrën, kontratën e ka mbajtur presidenti Amanitis dhe nuk e dorëzoi kurrë te Panioniosi deri ditën që kam ikur në Amerikë. Kur unë i thashë:
“Amanitis, unë po nisem për Amerikë”, atëherë ai e mori kontratën dhe e hodhi në bordin e Panioniosit. Asnjë njeri nuk ka thënë: “Boooo, e paguam Hoxhën kot një vit”. U jam mirënjohës dhe nuk mund të pështyj aty ku bukën ma ka dhënë dikush. Pavarësisht se çfarë thonë për grekët, as ne nuk jemi burra të mirë. Prandaj, ka grekë e grekë… Në Greqi ka njerëz jashtëzakonisht të mirë, ka njerëz të mrekullueshëm. Në atë periudhë ata neve na kanë dalë për zot më tepër sesa duhet.
Vijon…
Artikullin e plote mund ta ndiqni duke klikuar ne linkun e meposhtem: