...
HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREKa ndërruar 11 klube në 8 vite, blerja e re e Partizanit...

Ka ndërruar 11 klube në 8 vite, blerja e re e Partizanit kërkon të gjejë vazhdimësinë

Partizani godet më në fund në merkato. Klubi i kuq ka arritur marrëveshjen me Agim Zekën, një nga sulmuesit anësorë më të spikatur të sezonit të kaluar. 25-vjeçari ishte pjesë e Erzenit deri para pak javësh, ku ra në sy për teknikën dhe ndikimin në lojën e shijakasve. Ai shënoi 5 gola dhe dhuroi 4 asiste në 34 ndeshje.

Zeka vjen te Partizani si lojtar i lirë, pas mbylljes së kontratës me Erzenin, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Parë. Bëhet fjalë për një kontratë 2-vjeçare, teksa dje Partizani e prezantoi zyrtarisht përmes llogarive të klubit në rrjetet sociale. Ditën e sotme Zeka pritet t’i bashkohet skuadrës në qytetin e Pogradecit, për t’u stërvitur me ekipin në këto tri ditë të mbetura në fazën përgatitore.

NË KLUBE “BIG” – Ai në të shkuarën ka qenë pjesë e klubeve si Lilë, Muskron apo Austria Vjenë. Luis Kampos, drejtori sportiv aktual i PSG-së, ishte ai i cili në vitin 2017 insistoi për ta blerë djaloshin nga Skënderbeu për 300 mijë euro, duke e transferuar te Lila, pasi e monitoroi në ndeshjet e kombëtares U-19 të Shqipërisë.

Aventura në Francë nuk shkoi siç pritej dhe Zekës iu desh të shëtiste në disa klube si i huazuar, pa arritur të ambientohet dhe të lërë gjurmë në arenat e mëdha të futbollit. Në vitin 2021 Agimi iu bashkua Dritës në Kosovë, për të luajtur më pas edhe me Prishtinën, ekipin e vendlindjes, dhe Drenicën. Vjet firmosi me Erzenin dhe tashmë vjen te Partizani në tentativën “numër 2” për rikthimin në skenat e mëdha të këtij sporti.

TRESHE E FORTË – Me ardhjen e Zekës, Partizani mbyll një “gropë” të madhe në krahun e djathtë të sulmit dhe formon një dyshe të fortë anësorësh me Carën dhe Zekën. Tashmë misioni i vetëm i stafit kryeqytetas është për ta sjellë lojtarin nga Prishtina në formën e duhur përpara Europës. Koha nuk premton shumë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

Seraphinite AcceleratorOptimized by Seraphinite Accelerator
Turns on site high speed to be attractive for people and search engines.