Egnatia prej disa javësh tashmë po zhvillon stërvitje intensive në  Bansko të Bullgarisë për duelin me Breidablik, takim i vlefshëm për raundin e parë të Champions League. Përballje kjo që do të luhet më 8 korrik në orën 21:00 në “Egnatia Arena”.

Albano Aleksi është një nga liderët e skuadrës, i cili padiksutim që është shumë optimist për aventurën e ekipit në Champions. Mesfushori zbulon gjithashtu se po presin edhe 2 futbollistë të tjerë, ndërsa kërkojnë edhe mbështetjen e të gjithë tifozëve shqiptarë.

“Ka qenë një ndeshje parapërgatitje për duelet e Champions-it. Siç dihet edhe ne kemi ngarkesë, por çdo që po shkon mirë, edhe në miqësore, bëmë detyrat që kërkoi trajneri. Kushtet në Bansko janë shumë të mira. Deri tani ka shkuar gjithçka OK, edhe lojtarët që kanë ardhur, në veçanti Selmani, është përshtatur me grupin dhe shpresoj që me cilësitë e tij të na ndihmojë. Edhe lojtarët e tjerë të afruar po e tregojnë veten. Presim të na vijnë dy lojtarët e tjerë, që të jemi sa më gati për ndeshjen e parë. 

E treta e vërteta, në Europë kemi bërë ndeshje të mira, edhe pse nuk kemi kaluar. Kemi luajtur futbollin tonë. Shpresoj të kemi sa më shumë fat. Duhet të japim maksimumin të gjithë. Shpresoj që të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, që te ndeshja e dytë të shkojmë të qetë dhe të kalojmë turin e parë. 

Shpresoj që tifozët e Rrogozhinës dhe pse jo nga gjithë Shqipëria, të jenë sa më të shumtë, për të na mbështetur në ndeshjen e parë. Me ndihmën e tyre të kalojmë turin e parë. Jemi të gëzuar sepse luajmë në shtëpinë tonë, besoj se i njohim mirë kushtet” , ka përfunduar lideri i kampionëve.