Valbona ka vijuar stërvitjet intensive dhe synon dy fitore kësaj jave. Ndaj Besëlidhjes, tropojanët do të kërkojnë kualifikimin. Më pas kanë duelin me Korabin, ku kërkohet përforcimi i pozitave në kampionat.
Kapiteni lezhjan i Valbonës, Agustin Mashi, për “Panorama Sport” u shpreh: “Sa herë që përballem me skuadrën e vendlindjes, bëhem emocional. E konsideroj si një ndeshje të veçantë. Objektivi i klubit në Kupë është kalimi i dy tureve. Valbona ka si objektiv edhe fitoren në kampionat kundër Korabit.
Kjo, më së shumti është një detyrim për ne, sepse duhen forcuar pozitat në renditje për t’iu larguar sa më parë zonës së rrezikut që të zbret nga kategoria. Valbona ka forca për t’i përballuar me sukses të dy takimet e kësaj jave. I kemi përgatitur me kujdes këto dy sfida dhe shpresoj t’ia dalim me sukses”.