Elbasani ka nisur punën në merkato, duke dhënë sinjale të qarta se këtë sezon nuk do të kursejë asgjë për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Pas prezantimit zyrtar të portierit çek Martin Janaçek, drejtuesit kanë gati lëvizje të tjera konkrete në të gjitha repartet.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se janë identifikuar të paktën tre lojtarë të tjerë, që do të afrohen përpara nisjes së fazës përgatitore. Synimi është që grupi bazë të jetë pothuajse i kompletuar brenda muajit qershor, në mënyrë që stafi teknik të ketë kohën e nevojshme për ndërtimin e automatizmave të skuadrës. Të paktën, kjo ka qenë edhe kërkesa e teknikut Ivan Gvozdenoviç.

DËSHIRAT NË MERKATO – Elbasani është duke punuar në mënyrë intensive për të siguruar tri përforcime vendimtare në çdo repart, të cilat pritet të jenë shtylla kurrizore e skuadrës në sezonin e ri. Në listën e merkatos janë futur një qendërmbrojtës me përvojë, një mesfushor organizator me vizion dhe një sulmues klasik goleador, që do të kompletojnë strukturën bazë të formacionit.

Mbrojtja ka qenë një nga repartet që ka pasur pasiguri sezonin e kaluar dhe për këtë arsye klubi është shumë pranë arritjes së marrëveshjes me një lojtar me eksperiencë. Në mesfushë, Elbasani është fokusuar në një profil “regjisor”, një lojtar që zotëron aftësi të mira në ndarjen e topave, vizion të qartë loje dhe saktësi në pasime. Ky mesfushor pritet të jetë “motori” i skuadrës, që do të diktojë ritmin dhe do të lidhë repartet, duke marrë në dorë kontrollin e lojës dhe duke dhënë kreativitet në ndërtimin e aksioneve.

Sa i përket repartit ofensiv, synimi është afrimi i një sulmuesi “9-sh” i pastër, me instinkt goli dhe prani të fortë në zonën kundërshtare. Elbasani po kërkon një finalizues që garanton gola, i aftë të shfrytëzojë çdo rast dhe të jetë pikë referimi për aksionet sulmuese. Këto tri lëvizje janë të konsideruara vendimtare nga stafi teknik dhe drejtuesit, pasi do të vendosin bazën mbi të cilën do të ndërtohet një ekip me ambicie për të qenë realisht në garë për objektiva madhorë. Lojtarët janë në fazë të avancuar bisedimesh dhe pritet të prezantohen para nisjes së fazës përgatitore në korrik.