Nga Gjergj KOLA
Ditët e fundit, kombëtarja U15 e Shqipërisë luajti dy ndeshje miqësore ndaj asaj të Maltës dhe një nga emrat që jo vetëm ka luajtur si titullar, por edhe ka spikatur në to ka qenë futbollisti Kevin Plepi. Madje, në ndeshjen e dytë, atë të ditës së djeshme të fituar 3-2 nga kuqezinjtë, ai ka qenë edhe autor i golit të parë për kombëtaren tonë.
Nisur edhe nga mbiemri, u interesuam për të dhe mësojmë se kemi të bëjmë me një lojtar që vjen nga Akademia e Fiorentinës dhe me origjinë është nga Shkodra, saktësisht nga Dajçi. Prindërit e tij kanë emigruar drejt Italisë, vend ku dhe Kevin ka lindur dhe ka nisur të merret me futboll.
Kush është Kevin Plepi?
Ka lindur në Pistoia më 11 janar 2011 dhe me futbollin lidhet që në moshën 5 vjeçare. Fillimisht me ekipin “Alianese” të vendit ku familja e tij jetonte, në Agliana. Aty luajti për 4 vite dhe pastaj në moshën 9 vjeçari kalon në një skuadër tjetër dhe luan me futbollistë një vit më të mëdhenj në moshë. Me “Muntemulo Calcio” luan 2 vite dhe më pas, kur është vetëm 11 vjeç e merr Fiorentina, skuadër me të cilën vazhdon të luajë, aktualisht me ekipin U15 të saj.

Kevin aktivizohet nga ana e trajnerit në pozicione të ndryshme, si në mbrojtje, në krahun e djathtë e të majtë e po ashtu edhe në mesfushë përpara mbrojtjes. Luan me këmbën e djathtë dhe dallohet për teknikën, shpirtin e garës, por edhe saktësinë në pasime. Tek Kombëtarja U15 trajneri e ka aktivizuar në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe i pëlqen dalja shpesh në krah në ndihmë të sulmit.
Ftesa në kombëtare
Skautët e Federatës Shqiptare të Futbollit e kanë ndjekur prej kohësh dhe që përpara një viti i bënë një ftesë për të ardhur në kombëtare, por atëherë kjo nuk u bë e mundur sepse drejtuesit e Akademisë së Fiorentinës nuk e lejuan. Ndryshe ndodhi ditët e fundit. Ftesa e kuqezinjve është mirëpritur nga të gjithë dhe Plepi jo vetëm erdhi në Tiranë, por edhe i luajti si titullar të dyja ndeshjet ndaj Maltës dhe madje edhe shënoi një gol. Ky i fundit e ka bërë 14 vjeçarin me origjinë nga Shkodra shumë të lumtur sepse ka shënuar me fanellën kuqezi të veshur.

Për më tepër, ai ka qenë i lumtur sepse i ati- Leonardi bashkë me shumë familjarë të tjerë të tij ka qenë duke e ndjekur nga tribuna e fushës sportive tek “Shtëpia e Futbollit”, ndërsa e ëma- Arta dhe i vëllai më i vogël- Liami e kanë ndjekur me shumë vëmendje nga Italia përmes ekranit të televizionit dhe janë gëzuar po aq edhe ata.
E ARDHMJA
Kevin Plepi nuk dëshiron të ngutet. Kërkon fillimisht të luajë rregullisht tek Fiorentina dhe t’i tregojë aty vlerat e tij dhe nga ana tjetër të jetë gjithmonë i gatshëm për kombëtaren shqiptare. Grumbullimet me të, ndonëse ato sapo kanë filluar, po i japin një ndjesi shumë të veçantë, për më tepër ngaqë edhe prindërit ia kanë injektuar gjithmonë dashurinë për vendin e origjinës. Prandaj dhe karriera e tij duket se po shkon mirë. Megjithatë ka edhe shumë rrugë për të bërë përpara dhe Kevin është i vendosur për të ecur përpara dhe për të patur sa më shumë suksese në karrierën e tij.(www.shkodrasport.com)