KF Bashkimi ka festuar këto ditë 6 vjetorin e krijimit të tij dhe kjo ngjarje e shënuar nuk ka kaluar pa marrë vëmendjen e duhur. Drejtuesit e kësaj shoqate kanë organizuar një festë të madhe, ku kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët e saj, trajnerë, por edhe të ftuar të tjerë. Ka qenë i pranishëm kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër Lazer Matija, këngëtari i mirënjohur Bujar Qamili, grupi i tifozëve të vjetër të Vllaznisë, etj.
6 shtatori i vitit 2019 është data e krijimit të KF Bashkimi dhe që do të hyjë në historinë e këtij klubi, por edhe të futbollit shkodran sepse tashmë kemi një tjetër emër si pjesë e tij.
Kanë qenë 6 vite të mbushura me shumë sakrifica, por falë pasionit të drejtuesit të saj, Ervin Alushi, ia kanë dalë të kenë jo pak suksese. Në fakt historia e krijimit të këtij klubi është shumë interesante.
Alushi u rikthye nga Italia dhe gjëja e parë që bëri ishte krijimi i një klubi futbolli. Mungonte një terren sportiv? Edhe për këtë u gjet zgjidhja. Tokën e familjes së tij, Ervini e ktheu në fushë futbolli sepse tashmë ishte i vendosur për ta çuar deri në fund “çmendurinë” e tij.
E në këto 6 vite sukseset nuk kanë qenë të vogla. Ajo çka është më e rëndësishmja, nga viti në vit po rritet numri i fëmijëve dhe bashkë me ta edhe numri i ekipeve që marrin pjesë në kampionatet e Ligës Amatore në Zonën e Shkodrës.
Në këtë 6 vjetori, Gazeta “SHKODRA SPORT” i uron KF Bashkimit edhe shumë vite të tjera dhe sa më shumë suksese!