Flamurtari ka yje në përbërje këtë sezon. Një prej tyre është edhe Herald Marku, lojtar i grumbulluar edhe nga kombëtarja, dhe me eksperiencë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Ish-futbollisti i Partizanit, Vllaznisë apo edhe Kastriotit ka ardhur në Vlorë të ndihmojë Flamurtarin në realizimin e objektivit madhor, ngjitjen në Superiore.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Marku zbulon se e ka telefonuar drejtori Pollozhani dhe se e bindi me projektin e klubit. Për kuqezinjtë, mesfushori i qendrës u ka thënë “jo” tre skuadrave të Superiores. Në Kategorinë e Parë këtë sezon shikon një garë të fortë, ndërsa kërkon ta nisin mbarë që në start me Burrelin në Vlorës, si sot një javë.
Marku, zgjodhët Flamurtarin. Çfarë ju bindi të luani në Kategorinë e Parë?
Më bindi projekti serioz për rikthimin e Flamurtarit në Superiore, aty ku i takon kësaj skuadre. Ndaj vendosa që të bëhesha pjesë e një ekipi me traditë të madhe dhe shumë histori në futbollin shqiptar.
Kush ju telefonoi të vinit në Vlorë dhe si e pritët?
Më telefonoi drejtori sportiv Artim Pollozhani. Biseda me të ma bëri edhe më të lehtë zgjedhjen e Flamurtarit. Jam i kënaqur për zgjedhjen që bëra.
Na zbuloni pak, a kishit oferta të tjera?
Po, patjetër që kisha dy – tri mundësi në Superiore, por zgjodha me kënaqësi të vij këtu ku jam sot.
Me futbollistët që ka, Flamurtari sfidon edhe Superioren. Si e shihni këtë grup?
Kemi një grup shumë të mirë. Janë lojtarë me eksperiencë dhe cilësi.
Flamurtari duket si një Partizan i vogël. Si ndihesh për këtë?
Ndihem shumë mirë dhe jam i kënaqur me ambientin dhe grupin e futbollistëve.
Objektivi është Superiorja. Me këtë grup nuk diskutohet apo jo?
Po, është e vërtetë që objektivi është të ngjitemi në Superiore. Sigurisht që me këtë grup lojtarësh ke më tepër besim tek ajo arritje, por duhet ta tregojmë në fushë çdo gjë.
Çfarë prisni nga ndeshja e parë me Burrelin?
Jemi përgatitur shumë mirë. Kemi zhvilluar një fazë përgatitore shumë të mirë. Presim një ndeshje të fortë. Por ne duam ta fillojmë me fitore sezonin.
Si e shihni garën në Kategorinë e Parë këtë sezon?
Do të jetë një garë e fortë, sepse ka disa ekipe që pretendojnë të ngjiten në elitë. Kjo do ta bëjë edhe më të bukur kampionatin.