Vllaznia-Tirana do jetë kryesfida e javës së dytë në Superiore. Klasikja do luhet ditën e dielë në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”. Me sfidën që do marrë start në orën 20:00 dhe pritet të tërheqë vëmendjen e tifozëve. Si kuqeblutë dhe bardheblutë e kanë nisur sezonin me rezultate pozitive. Patjetër më mirë Vllaznia që debutoi me fitore kundër Partizanit në shifrat 0-1.

E nga ana tjetër Tirana e mbylli në shifrat 0-0 debutimin e saj në Superiore kundër Laçit. Me ndeshjen që u luajt në transfertë kundër kurbinasve. E tashmë këtë fundjavë të dy ekipet do jenë përballë njëra-tjetrës, me statistikat e ndeshjeve të fundit që tregojnë një barazi totale. Duke nisur nga ndeshja e fundit e sezonit të shkuar, ku gjithçka u mbyll në shifrat e bardha 0-0 mes Tiranës dhe Vllaznisë.

Po ashtu Vllaznia në sezonin e shkuar triumfoi në shifrat 3-1 në ndeshjen e fazës së tretë kundër Tiranës. Sukses që pasonte edhe fitoren tjetër të kuqebluve në fazën e dytë në kryeqytet në shifrat 0-1, ku gjithçka vendosej nga një gol i Balajt. Në fazën e parë të sezonit të shkuar, Tirana do triumfonte në limite për të mposhtur Vllazninë në shifrat 0-1, me një gol të Hasanit. Me ndeshjen që luhej në “Zeqit Ymeri” të Kukësit.

Para këtij dueli në ndeshjen e fundit mes dy skuadrave në sezonin 2022-23, Tirana po ashtu do mposhtet Vllazninë në Shkodër. Me rezultatin 0-1, ku goli shënohej nga Abazaj. Pra, një barazi totale mes dy ekipeve që në 5 ndeshjet e fundit mes tyre numërojnë 1 barazim dhe nga dy fitore secila. Mbetet për tu parë nëse barazpesha do vijojë edhe pas ndeshjes të së dielës apo një nga skuadrat e e “thyejë” akullin.
Endri ÇINARI