PROLOG

Të përmbledhur kësisoji unike, nuk e kam treguar asnjëherë, ndonëse fragmente të saj të shumta janë te libri im “Libri i Kombëtares” (1936-2001). Ndërsa kjo këtu është historia e Shqipërisë “miqësore”, siç po titulloj. Pra, historia e ndeshjeve miqësore të Kombëtares së Shqipërisë. Pa hyrë në imtësitë, këte do ta përcjell si një garë midis atyre të cilët e kanë drejtuar këte Kombëtare: trajnerët. Si një garë në plot 70 e “1” vit , dëfryese dhe serioze, mendjelehtë dhe kapricioze, e rëndësishme dhe e parëndësishme. Dhe me një dukuri disi tronditëse që do të shpaloset në fund të këtij shkrimi. Edhe sepse dukuritë përherë shpalosen ose “konkludohen” vetëm mbas një përimtimi (analize). Në fund të fundit, kjo histori statistikore, përmban në vetvete edhe një përimtim (analizë).

Ky shkrim vjen menjëherë mbas një prej fitoreve më të bukura, disi edhe të bujshme të Shqipërisë në ndeshjet e saj miqësore, si kjo e 13 nëntorit 2017 në Antalya 3-2 kundër Turqisë. E, për rastësi apo për çudi, kjo ishte ndeshja e parë e këtij rangu e një trajneri të ri të Shqipërisë: Christian Panucci nga Italia. Them se as nuk do t’i ketë shkuar nëpër mend se në ndeshjen e tretë në historinë e tij krejt modeste si trajner, do të shkonte në Antalya të Turqisë dhe do të triumfonte 3-2 ndaj Kombëtares së këtij vendi – një nga themeluesit e së cilës ka qenë dhe një shqiptar i shquar me emrin Ali Sami Yen. Eshtë biri i një shqiptari të përmasave tejet të mëdha i cili quhet Sami bej Frashëri, ndryshe Shemsedin Sami Bey.

A është kjo nisje një rrugë e gjatë për t’i dhënë një emër ndërkombëtar si trajner një italiani që quhet Christian Panucci? Këtë sigurisht ende nuk e dimë. Ajo që dimë është se në dy raste të mëparshme Kombëtarja e Shqipërisë i ka dhënë një emër të bukur ndërkombëtar një jugosllavi që quhet Ljubisa Brocic dhe mandej, mbas gati nja 60 vjetëve, tre të tjerëve: një gjermani me emrin Hans Peter Briegel, një kroati me emrin Josip Kuze dhe një italiani tjetër me emrin Gianni De Biasi. Me sa duket Shqipëria “formon” trajnerë të huaj skuadrash kombëtare.

Fitorja e miqësores së 13 nëntorit 2017 me Turqinë ka qenë ndeshja e 99-të miqësore e Kombëtares. Jemi kështu në prag të ndeshjes jubilare të 100-të miqësore të Shqipërisë, për çka ende nuk e dimë se me çfarë kundërshtari dhe me çfarë rezultati ajo do të festohet. Ndërkaq, sapo kam fiksuar se fitorja e jonë turke ishte e 37-ta përballë 36 humbjeve dhe 26 barazimeve – çka do të thotë se Shqipëria sapo ka hyrë në një bilanc pozitiv për ndeshjet e saj miqësore. Dhe del se rëndësia e fitores së së fundit paska qenë “vendimtare” në këte epërsi të pozitivitetit historik statistikor: 37 fitore përballë 36 humbjeve. Ndërkohë që në tërësi, Shqipëria ka bilanc të rëndë pasiv për ndeshjet kualifikuese për Kampionatet Europiane dhe Botërore: 44 fitore, 134 humbje.

Ky është shpërpjestimi historik tanësor për Kombëtaren e Shqipërisë. E fortë dhe fitimtare në ndeshjet miqësore dhe e brishtë dhe humbëse në ndeshjet kualifikuese!

SUNDOJNË VETËM NDESHJET MIQËSORE

Historia është është kjo: Më 22 shtator 1946 në Shkodër, nën drejtimin e trajnerit “të panjohur” jugosllav Ljubisa Brocic Shqipëria fiton 5-0 miqësoren e parë të saj në histori. Dhe ky Brocic i Beogradit, i cili vetëm mbrenda një jave arrin të njihet me këte Kombëtare të sapoformuar për ndeshje ndërkombëtare, përzgjedh lojtarët, e nxjerr kështu në fushën e lojës dhe mbas pak ditëve e bën Kampione të Ballkanit. Ishte një ndodhi botërore. Për tregimin tonë e rëndë- sishme është se Kombëtarja Shqiptare për ndeshjet me botën themelohet pëmes një ndeshjeje miqësore. Ajo do të ishte ndeshja e parë dhe e vetme miqësore e Kombëtares nën drejtimin e jugosllavit, i cili do të bëhej një trajner i përmasave europiane duke mbërritur deri te Barcelona e Juventusi Kampion i Italisë me te më 1958.

Skuadra shqiptare thuajse mbetet ndërkaq, pa trajner menjëherë mbas prishjes me Jugosllavinë e Titos, deri aty saqë mbas një viti, më 1949, në tri ndeshje miqësore radhazi trajneri është Sllave Llambi i cili edhe luan me Kombëtaren, edhe është trajner i saj në këto tri ndeshje miqësore rresht. Dhe të trija ndeshjet jashtë Shqipërisë: dy barazime 1-1 e 0-0 në Bukuresht e Sofje respektivisht me Rumaninë e Bullgarinë dhe një humbje dinjitoze 1-2 në Varshavë me Poloninë. Kanë qenë ndeshje të pashlyeshme, sepse ishin tri skuadra ndër më të fortat e shteteve komuniste të Lindjes së Europës, madje pak a shumë edhe për vetë Europën. Sigurisht rasti është për t’u studiuar, sepse ende nuk dimë se cili ka qenë trajneri i pankinës shqiptare, nëse vërtet ka pasë një të tillë. Ndoshta një zyrtar përgjegjës i ekipit, ndoshta një zevendës trajner?!…

Kur më 1950 në krye të Kombëtares vjen një trajner i pankinës, pra jo bashkëlojtar, Ludovik Jakova, atëherë ngjarjet miqësore janë të jashtëzakonshme nga të gjitha kahet që t’i marrësh: dy ndeshje të paharrueshme në Tiranë, 0-0 me Poloninë dhe fitore 2-1 me Bullgarinë. Janë ndeshje të një niveli kaq të lartë saqë tre shtete kërkojnë të ndeshjen me këtë Shqipëri befasuese – Kampione e Ballkanit më 1946, e shkëlqyeshme në Kampionatin Ballkanik dhe të Europës Qendrore më 1948: 0-0 në Beograd me Jugosllavinë, fitore 1-0 në Bukuresht me Rumaninë dhe 0-0 në Tiranë me Hungarinë!

Ky ka qenë çasti që në qarqet futbollistike të Europës Lindore dhe Qendrore po flitej për fenomenin shqiptar të futbollit. Kësisoji, Shqipërinë e priste Praga, Budapesti dhe Bukureshti. Dhe rezultatet më shkatërruese që mund të merren me mend! 0- 3 me çekët, 0-12 me hungarezët, 0-6 me rumunët! E gjitha nën drojen e arratisjes së dy futbollistëve të shquar Bahri Kavaja dhe Bule Vathi të hedhur në det ndërsa anija me skuadrën kalonte Dardanelet. Episod i paparë – i denjë për film hullivudian.

Për Shqipërinë nuk ka futboll, ka vetëm shkatërrim! Dhe për dy vjet “miqësoret” e Shqipërisë heshtin. Për të mbërritur viti 1952, që duhet quajtur viti i Myslym Allës i cili si trajner i Kombëtares mbrenda shtatë ditëve fiton dy ndeshjet e bujshme të Tiranës 3-2 dhe 2-1 me Çekosllovakinë e cila më 1934 kishte qenë Nënkampione e Botës! Vetëm këto dy ndeshje miqësore për Allën, e mbas tij, më 1953, mbërrin trajneri hungarez Miklos Vadas, më parë trajner i klubit të famshëm hungarez Ferencvarosh dhe fitore 2-0 e Shqipërisë ndaj Polonisë në Tiranë në ditën festive të 29 nëntorit 1953.

Duket një ringjallje spektakolare, kur dihej se sa më lart ishte Polonia mbi Shqipërinë. Por sa fitore e bukur, po aq dhe një “shkatërrim” tjetër spektakolar për historinë. Dhe ndonëse Vadas ka përveshur mëngët tek e drejton skuadrën të shumtën nën emrin “Përfaqësuese e Tiranës” në rreth 10 ndeshje ndërkombëtare klubesh, Miklos Vadas mbetet kështu me vetëm 1 ndeshje zyrtare, ate të fitores së bukur me polakët, teksa shkon dhe ngre kombëtaret e Sirisë dhe të Jordanisë.
Në 20 vjet si Kombëtare zyrtare nga viti 1953 deri më 1973, Shqipëria zhvillon vetëm 3 ndeshje: Kina – Shqipëria 3-2 më 1957, Shqipëria – RD e Gjermanisë 1-1 më 1958 dhe Shqipëria – Algjeria 1-1 më 1964. Kishte mbërritur Loro Boriçi, teksa nga turneu i Festivalit të Rinisë Botërore në Moskë (gjithnjë në mbrapaskenë është trajneri sovjetik Nikolai Ljukshinov), e urdhërojnë të shkojë në Kinë dhe humbje 2-3 me kinezët. Kalojnë 8 muaj, vjen 1958-ta dhe 1-1 me gjermanolindorët.

Për fat, më në fund, sapo mbërrinin ndeshjet kualifikuese për Kampionatet e Europës e të Botës edhe për Shqipërinë. Por “miqësoret” përsëri nuk fitojnë pushtet. Më 1973 është Shqipëria – Kina 1-1 e trajnerit Ilia Shuke – një ndeshje për të cilën u tha se i duhej lënë fitorja miqve kinezë e në kanceleritë e Komitetit Qendror të Partisë qe folë deri për dënime. Ndoshta dënimi ishte “vendimi” i pashkruar që na çonte te një tjetër rekord: vetëm 1 ndeshje miqësore nga viti 1973 deri te 1985: Shqipëria – Algjeria 3-0 e 1976-tës me trajner të rikthyerin Loro Boriçi.

Sot e kësj dite i vetmi trajner në historinë e Kombëtares së Shqipërisë i cili do të emërohej e shkarkohej plot katër herë. Loro Boriçi i madh është kështu rekordmeni i Kombëtares me katër emërimet e me katër shkarkimet e tij! Drama është e përmasave. Plenumi IV famëkeq i PPSH, izolon edhe Kombëtaren e Shqipërisë për bukur 7 vjet, deri më 1980 duke e lënë historinë e saj me vetëm 1 ndeshje, këtë me Algjerinë. Edhe kjo një miqësore, deri sa mbas shtatë vjetëve mungesë, edhe për Shqipërinë rifillojnë ndeshjet kualifikuese eurobotërore.

HISTORIA E PANDËRPRERË QË NIS ME KUBËN

Ndërkaq, miqësorja e rradhës duhej të priste. Ishte ndeshja e Tiranës e 28 marsit 1985, Shqipëria – Turqia 0-0 e trajnerit Shyqyri Rreli. Por prap, miqësorja tjetër do të vononte plot tre vjet: 20 shtator 1988, Shqipëria – Kuba 0-0, gjithnjë e trajnerit Shyqyri Rreli. Shqipëria komuniste ftonte Kubën komunisto – revizioniste për një ndeshje pa pikë vlere edhe nga ana teknike. Sidoqoftë, në fund të fundit, 20 shtatori 1988 i ndeshjes Shqipëria – Kuba nis historinë e pandërprerë të Shqipërisë “miqë- sore” e cila qysh nga ky vit 1988 dhe deri më sot, me përjashtim të dy viteve, 1993, 1997, për të gjithë vitet e tjera, ajo zhvillon pa ndërprerje ndeshje miqësore. Këta janë 30 vjetët (1988-2017) e ndeshjeve miqësore të Shqipërisë me vetëm dy ndalesa (’93 dhe 97’). Një bilanc i jashtëzakonshëm në pandërprerjen e tij, madje me rekorde të tilla po të jashtëzakonshme deri dhe me nga 6 ndeshje miqësore mbrenda një viti të vetëm si ai i 2014- tës që mbetet viti më i pasur me ndeshje kësisoji.

E, duke rinisur aty ku e lëmë, te Kombëtarja 1988, ajo tashmë përshkohet nga Shyqyri Rreli te Agron Sulaj, nga Bejkush Birçe te Neptun Bajko, nga Astrit Hafizi te Medin Zhega, nga Sulejman Demollari te Mirel Josa. Për të mbërritur te Hans Peter Briegel gati i pandalshëm për katër vjet me rradhë. E mandej Oto Baric, Arie Haan, Josip Kuze, Dzemal Mustedanagic. Dhe… ndal! Këtu mbyllet një kapitull i madh i miqësoreve. Çfarë gjejmë në to?

Një pyetja aspak e vështirë. Gjejmë fitoren e bujshme 2-0 të 4 shtatorit 1991 të Shqipërisë së Bejkush Birçes në Athinë me Greqinë, mû në “epokën” kur futbollistët shqiptarë kishin vërshuar në klubet greke. Kjo fitore krejt e paparashikueshme, me një 11-tësh prej të cilit shtatë lojtarë luanin në Greqi, të dukej si “dita e çlirimit” e futbollit shqiptar, premiera që vinte prej ditëve të para të tregut të futbollit ndërkombëtar edhe për futbollistët shqiptarë, startuar edhe me këte ndeshje paraprirëse të trajnerit Bejkush Birçe. Të tjerat e këtij rangu do të ishin fitoret 4-1 të Shqipërisë në Antalya me Turqinë më 1998, tjetra po me Turqinë 2-0 më 2001, ajo 2-1 e Shqipërisë në Tiranë me Suedinë më 2004, ajo 6-1 me Qipron në Tiranë më 2009, kjo e fundit thjesht si më e thella në histori. De Biasi, Briegel, Kuze – rekordmenët Futemi në vitin 2012 dhe këtu fillon “epoka” tjetër, ajo e trajnerit italian Gianni De Biasi i cili do të vendosë rekordin e tij absolut: plot 25 ndeshje miqësore në drejtimin e tij të Shqipërisë “miqësore” për 6 vjet të tëra pa ndalesë. Tek janë më të përkujtueshmet e tij: Shqipëria – Lituania 4-1, Shqipëria – Armenia 2-0, Franca – Shqipëria 1-1, Shqipëria – Franca 1-0 e 1-1, Italia – Shqipëria edhe pse 0-1.

Kështu do të mbërrinte viti 2015 dhe fitorja më e ndritur e 99 miqësoreve, ajo e 13 qershorit 2015, Shqipëria – Franca 1-0. Por më parë, më 2014 kishte ndodhur barazimi historik mû në tokën franceze, në Rennes. Të nesërmen e çmueshmja e Parisit “L’EQUIPE” mbush gjithë faqen e parë me Shqipërinë me titullin e germave kubike: “UNE BONNE LEÇON” – “Një mësim i mirë”. Dhe me foton e Benzemas me duelin e humbur me portjerin Berisha. Katër ditë më vonë mbërrinte edhe ajo tjetra, e ëndërruara, e para me Italinë, në Genova, tejet dinjitoze edhe pse humbje 0-1. Dhe vetëm kaq?

Gianni De Biasi ka 25 ndeshje miqësore, 8 fitore, 7 barazime, 10 humbje dhe për sensacion me golaverazh pozitiv 29-27. Ky është mbreti i miqësoreve. Mbi të gjitha për numrin më të madh të ndeshjeve (25), teksa në këte tregues nuk e frikson asesi Hans Peter Briegel me 13 ndeshje dhe as Josip Kuze me 11 ndeshje. Më i afërti i kësaj tresheje të pakapshme është vetëm Bik Jakova me 6 ndeshje. Të tjerët me 4, 3, 2 apo 1 ndeshje. De Biasi është po aq i pari i fitoreve: plot 8, i ndjekur prej Kuze-s me 6 e Briegel-it me 5. Të tjerët me vetëm 2 apo 1, e nja katër pa asnjë fitore. Nuk po shkojmë te përqindja e suksesit për të gjithë, sepse mund të na dalë i pari i sapofilluari Christain Panucci me 1 ndeshje, 1 fitore, pra 100 përqind sukses. Në kësi rastesh kurrë nuk mund të hysh në renditjen tonë të përqindjes së suksesit. Një ndeshje e vetme nuk mjafton. Eshtë shumë pak. Kësisoji, treguesi objektiv vetvetiu do të dalë prej trajnerëve të mbi 10 ndeshjeve. Eshtë kjo:

GIANNI DE BIASI: 25 ndeshje, 8 fitore, 7 barazime, 10 humbje, 46.00 përqind sukses!

HANS PETER BRIEGEL: 13 ndeshja, 5 fitore, 2 barazime, 6 humbje, 46.15 përqind sukses!

JOSIP KUZE: 11 ndeshje, 6 fitore, 3 barazime, 2 humbje, 65.00 përqind sukses! Kjo është befasia e kësaj historie. I paharrueshmi Josip Kuze. vetëm 2 humbje në 11 ndeshje, dhe golaverazhi më pozitiv se asnjë: 15-10.

Ndeshjet e tij miqësore janë këto:

Shqipëria – Gjeorgjia 1-1

Shqipëria – Qipro 6-1

Estonia – Shqipëria 0-0

Shqipëria – Irlanda V. 1-0

Mali i Zi – Shqipëria 0-1

Shqipëria – Andora 1-0

Shqipëria – Uzbekistani 1-0

Shqipëria – Maqedonia 0-0

Shqipëria – Sllovenia 1-2

Argjentina – Shqipëria 4-0

Shqipëria – Mali i Zi 3-2

RENDITJA E 15 NDESHJEVE MË AUTORITARE

Janë 99 ndeshje në 71 vjet (1946-2017). E pra, nga këto 99 ndeshje miqësore, cilat janë ato që mund të quhen më autoritaret për kah vështrimi historik? Për fat, janë pak, shumë pak. Po i rreshtojmë ato, duke dhënë edhe formacionet e lojtarëve, duke ia falur kështu, kopjuesve të pandalshëm, të cilët pandershmërisht vazhdojnë të kopjojnë pa cituar burimin e parë. Madje disa edhe duke shpikur formacione të paqena në pseudolibra e në pseudoartikuj. Ndeshjet më autoritare miqësore të Shqipërisë, për të mos i quajtur “më të mëdhatë” pra, në objektivitetin dhe subjektivitetin e tyre, për autorin e këtushëm mbeten të jenë këto:

1. 13.06.2015. Elbasan.

SHQIPËRIA – FRANCA 1-0

Berisha, Hysaj, Cana, Ajeti, Aliji, Roshi (Sadiku 64’), M.Basha, (S.Lilaj 71’), Kaçe (Bala 80’), Lenjani, (V.Rama 56’), A.Lila (Memushaj 18’), Cikalleshi (Fejzullahu 88’). TRAJNER: Gianni De Biasi. GOLAT: Kaçe 43’.

2. 04.09.1991. Athinë.

GREQIA – SHQIPERIA 0-2

Strakosha, Memushi (Kaçaj 46’), K.Çipi, Taho, A.Kola, Lekbello, Millo, Milori (Tahiri 76’), Gjondeda, Kushta (Daja 87’), Barbullushi. TRAJNER: Bejkush Birçe. GOLAT: Kushta 36′, Kushta 86′.

3. 14.11.2014. Rennes.

Franca – Shqipëria 1-1

Berisha, Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila (Vila 85‘), Abrashi (Ajeti 69‘), Kukeli (E.Bulku 92‘), Lenjani (Shala 76‘), Memushaj, Cikalleshi (Bala 93‘). TRAJNER: Gianni DE BIASI. GOLAT: Mavraj 40’, Griezmann 73’.

4. 29.11.1952. Tiranë

SHQIPERIA – ÇEKOSLLOVAKIA 3-2

Vogli, Dibra, Fagu, Spahiu (F.Vogli), Shaqiri, Vila, Teliti, Gjinali, Boriçi, Jareci, Resmja. TRAJNER. Myslym Alla. GOLAT: Gjinali 2′, Teliti 43′, Myler 62′, Kvapil 67′, Jareci 89′.

5. 07.12.1952. Tiranë.

SHQIPERIA – ÇEKOSLLOVAKIA 2-1

Vogli, Dibra, Pelinku, Spahiu, Vila, Shaqiri (Peqini), Teliti (Parapani), Gjinali, Boriçi, Jareci, Resmja. TRAJNER: Myslym Alla. GOLAT: Gjinali 5′, Boriçi 17′, Dvorak 35′.

6. 25.04.2001. Gaziantep.

TURQIA – SHQIPERIA 0-2

Strakosha (Beqaj 51’), Lala, G.Çipi, Dede, Bellai, Haxhi (K.Duro 89’), Skela, F.vata (A.Poçi 72’), Hasi, Fortuzi (Dobi 46’), Bushi (Merkoçi 83’). TRAJNER: Medin Zhega. GOLAT: Bushi 58′, Skela 71′.

7. 21.01.1998. Antalia.

TURQIA – SHQIPERIA 1-4

Strakosha, (Beqaj 71’), Tole, Shulku, Fakaj (Lala 46’), R.Vata, Daiu (Kotrri 35’), Peço (Halili 63’), Bushi (Mema 75’), B.Kola, Rraklli (Bogdani 72’), Tare. TRAJNER: Astrit Hafizi. GOLAT: Rraklli 14′, Rraklli 64′, Bushi 68′, Oktay 71′, Halili 88′.

8. 29.11.1953. Tiranë.

SHQIPERIA – POLONIA 2-0

Vogli, Dashi, Fagu, Dibra, Shaqiri, Vila, Bakalli, Jareci, Boriçi, Resmja, Deda. TRAJNER: Miklos Vadas. GOLAT: Boriçi 12′, Resmja 35′.

9. 13.11.2017

TURQIA – SHQIPERIA 2-3

Berisha, Mavraj, Lenjani (Aliji 67’), Veseli, Hysaj, Roshi (Ajeti 67’), S.Lilaj (A.Lila 86’), Memushaj, T.Xhaka, Grezda (Ajdarevic81’), Sadiku (Qaka 67’). TRAJNER: Christian Panucci. GOLAT: Sadiku 24’, Sadiku 39’, Cengiz Under 47’, Grezda 55’, Akbaba 60’.

10. 18.02.2004. Tiranë.

SHQIPERIA – SUEDIA 2-1

Strakosha, E.Beqiri, G.Çipi, Aliaj, Hasi, K.Duro (A.Beqiri 80’), Cana, Murati, Skela, Rraklli (Myrtaj 46’), Bushi (Tare 46’), TRAJNER: Hans Peter Briegel. GOLAT: Selakovic 5’, Skela 23’, Aliaj 30’.

11. 23.10.1949. Bukuresht.

RUMANIA – SHQIPERIA 1-1

Vogli, Dibra, Llambi, Shaqiri, Kavaja, Spahiu, Teliti, Z.Gjinali, Boriçi, Biçaku, Parapani. TRAJNER: Sllave LLambi. GOLAT: Pecovski 22, Teliti 49′.

12. 04.06.1950. Tiranë.

SHQIPERIA – BULLGARIA 2-1

Bonati, Dibra, Llambi, Spahiu, Peqini, Vathi, Teliti, Kavaja, Boriçi, Biçaku, Karanxha, (L.Laçja). TRAJNER: Ludovik Jakova. GOLAT: Boriçi 21′, Biçaku 56′, Spasov 76′.

13. 22.09.1946. Shkodër

SHQIPERIA – MALI I ZI 5-0

Tahiri (Poselli 36’), Dibra, Janku, Gjeloshi, Llambi, Fakja, Juka, Teliti, Boriçi, Biçaku (Mirashi 36’), Bizhuta (Biçaku 46’). TRAJNER: Ljubisa Brocic. GOLAT: Teliti 29’, Bizhuta 35’, Juka 60’, Juka 62’, Teliti 66’.

14. 01.05.1958. Tiranë.

SHQIPERIA – RD GJERMANE 1-1

Maliqati, Deliallisi, Fagu, Halluni, Ndini, G.Merja, Kraja, Duma (Gjyli), Jareci, Resmja, Deda. TRAJNER: Loro Boriçi. GOLAT: Kraja 6′, Troeger 88′.

15. 12.08.2009. Tiranë.

SHQIPERIA – QIPRO 6-1

Ujkani, Vangjeli (Hyka 61’), Dallku, Cana (Beqiri 72’), Curri, Agolli, E.Bulku, Duro (F.Sefa 76’), Skela (G.Lika 76’), Bogdani (Vila 67’), Salihi (El,Bakaj 67’), TRAJNER: Josip Kuze. GOLAT: Skela 26’ (11-m), Charalambides 37’, Skela 45’, Bogdani 65’, Crysostomos 67’. (vetgol), Agolli 71’, Vila 75’.

Argumentet për renditjen e kësaj 15-sheje mund të jenë të shumllojëshme. Franca është Francë, kjo dihet. Kjo i bën madhështore dy ndeshjet me te të Gianni De Biasi-t. Greqia 1991 e Bejkush Birçes është e para autoritare e jashtë fushës. Çekosllovakia e 1953-shit e Myslym Allës qe një çudi për gjithë kampin e vendeve socialiste, siç vetquheshin. Turqit “naivë” të 4-1-shit spektakolar të Astrit Hafizit, asesi nuk besonin se do të mbeteshin po humbës edhe në tjetrën, ate edhe më të bujshmen, 2-0 të vitit 2001 të Medin Zhegës.

Ata donin të merrenin hak, siç thuhet në turqisht, kur vetëm një vit më mbas pikërisht kjo Turqi do të bëhej e treta e Kupës së Botës! Madje me Umit Ozat, Akyel Fatih, Kohveri Nihat, Basturk Yldirayt, Umit Davala, Havuten Tayfur, Hasan Sas – të shtatë “autorë” të humbjes 0-2 me Shqipërinë. Humbje e dytë me Shqipërinë – çka i jep përmasa madhështore fitores shqiptare të drejtuar nga Medin Zhega i paharrueshëm. E, përveç kësaj ai do të hyjë në histori si trajneri i cili mbas bukur 54 vjetëve (1946) të titullit Kampion i Ballkanit, i dha Shqipërisë një Kupë ndërkombëtare: Kupën e vendit të parë në Turneu Rothmans të vitit 2000.

Madje jashtë Shqipërisë, në Maltë. Kemi kështu një Turqi humbëse deri në pambarim me Shqipërinë, teksa sapo na mbërrin edhe 3-2-shi “piktoresk” i Christian Panucci-t. Vetëm me Turqinë Shqipëria “miqësore” ka tri fitore jashtë fushës së saj në krejt këte histori. Pa harruar se kanë qenë të bujshme për kohën 2-0 i Polonisë së Miklos Vadas-it, 1-1 në Rumani i Sllave Llambit apo fitorja 2-1 me Bullgarinë e Ludovik Jakovës. Dhe tejet i përkujtueshëm barazimi 1- 1 me RD Gjermane kur Kombëtarja e Shqipërisë për vite thuajse qe shuar.

Për të mos lënë pa renditur këtu, 2-1-in e Suedisë të Hans Peter Briegel-it. Dhe jo thjesht për statistikë, nderi i duhet bërë edhe ndeshjes themeluese 5-0 të Malit të Zi të Brocici-t apo fitores the më të thellë në krejt këte histori, ate të 6-golshit ndaj Qipros të Josip Kuze-s. Ky sigurisht nuk është një panteon. Eshtë thjesht një renditje e një 15-tsheje që spikat në këto 99 miqësore të Shqipërisë.

EPILOG

“Papritmas”, në mbyllje, vetvetiu tonet ulen tejet. E shihni që në 71 vjet të tëra, Shqipëria ka shumë pak ndeshje të mëdha miqësore. Arsyeja është krejt e thjeshtë: Shqipëria gati kurrnjiherë nuk ia ka arritur të sigurojë ndeshje me të mëdhenj. Nuk është dhe aq faji i saj. Në fillim Shqipëria është vetizoluar për vite të tëra, siç treguam më sipër. Më vonë, ajo ka qenë kaq e vogël, saqë të mëdhenjtë nuk i kanë parë përfituese në vlera ndeshjet miqësore me të. Kur Shqipëria u bë “e madhe” edhe ajo (EURO 2016) në të vërtetë nuk ka gjasa të ndryshojë fort ky kah. “Erdhi” vetëm Turqia. Këtu del edhe kuptimi i një historie, me konkluzionin apo “dukurinë tronditëse” që ua premtuam në hyrje të kësaj eseje historike: është e vërtetë, Shqipëria ka bilanc pozitiv në ndeshjet e saj miqësore.

Dhe jo vetëm për shkak të “vëllazrimit e miqësisë” që krijojnë ndeshjet miqësore midis shteteve, teksa këto ndeshje jokualifikuese janë përherë disi edhe eksperimentale, por sepse Shqipëria krejt pak ka luajtur me kundërshtarë të rangut të lartë. Kaq për të mbetur lakonikë, ashtu siç duhet konsideruar edhe tregimi i shpejtë deri diku përimtues (analitik) i kësaj historie që përmblodhi 99 ndeshje dhe 71 vjet në vetëm dy faqe gazete.

Cila do të jetë e ardhmja e ndeshjeve miqësore, pra edhe e Shqipërisë “miqësore”? Besoj e kuptoni se kjo e ardhme, apo kjo jetë “miqësore”, sa vjen e po shuhet. Europa e pamëshirshme e futbollit komercial, me krijimin e Ligës së Kombeve të Europës, thuajse nuk lë fare hapësirë për ndeshje miqësore. Ideja e Pier de Coubertin-it “e rëndësishme është të marrësh pjesë, jo të fitosh”, ka vdekur me kohë. Po lulëzon ideja tjetër: “e rëndësishme nuk është të marrësh pjesë, por të fitosh”. Mbi të gjitha të fitosh jo thjesht ndeshje, por sidomos paré.

Nuk e di se a do të mund të fitojë ndeshje dhe paré Kombëtarja e Shqipërisë në tre turne të frikshëm, dërrmues dhe frymëmarrës kualifikues. Siç do të jenë tashmë Kupa e Botës, Kupa e Europës, Liga e Kombeve të Europës të cilën Shqipëria televizive e kalamendun në shfrenimin e saj për të shplarë trurin sportiv shqiptar, po e ngre përditë në qiell qysh një vit pa filluar!… Në një kohë që ende askush nuk e di mirë se çka do të mund të jetë kjo Ligë e Kombeve të Europës…

Ndoshta duhet të thërrasim: “Lamtumirë Shqipëri “miqësore”. Ne “konservatorët” e futbollit si vlerë kulturore dhe shpirtërore e dëfrimit, do të jemi me Josip Kuze-n, me Hans Peter Briegel-in dhe Gianni De Biasi-n e plot 49 ndeshjeve të tyre, edhe pse të luajtura me “miq të vegjël”, shumica e të cilëve i përngjajnë tejet modestisë të futbollit shqiptar”.

Besnik DIZDARI