Merkatoja e futbollit shpeshherë prodhon lajme nga më të ndryshmet që trazojnë jo pak edhe ambjentin sportiv në qytete dhe klube të ndryshme. Tre vite më parë, pikërisht në verën e vitit 2014, emri i tij përflitej si kandidaturë e mundshme për trajner të Vllaznisë ndërkohë që sot ai është emëruar as më pak dhe as më shumë por trajner i Milanit në Itali. Bëhet fjalë për Gennaro Gattuson. Ai do të zërë vendin e mbetur bosh pas shkarkimit të trajnerit të mëparshëm të kësaj skuadre, Vincenzo Montella.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikimi të shkurtër në rrjetet sociale, teksa klubi kuqezi ka komunikuar largimin e këtij trajneri nga detyra dhe emërimin në vendin e tij të Gennaro Gattuso, trajneri i ekipit të të rinjve. Në vitin 2014 kur KF Vllaznia kaloi nën administrimin e kompanisë italo-zviceriane “Gea Sport”, presidenti i saj Roberto Nava do të deklaronte në mediat shqiptare se një nga kandidaturat për postin e trajnerit të kuqebluve ishte edhe Gattuso. Por pikërisht në atë kohë ish- mesfushori i njohur i kombëtares italiane mori drejtimin e OFI-t të Kretës dhe në vend të tij në Shkodër erdhi italiani tjetër Baldo Ranieri. Mbase një deklaratë e tillë e Navës ka qenë thjesht për shoë (ashtu si shumë gjëra të tjera të tij dhe të kompanisë së tij “fantazëm”) por kështu u pat thënë tre vite më parë. Dhe ndërkohë nga sot, ish-kandidati për trajner i Vllaznisë ka marrë drejtimin e Milanit.

© shkodrasport.com