Përgatitjet për Kampionatin Europian U21, që do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027, po hyjnë në një tjetër fazë të rëndësishme. Përfaqësues të UEFA-s kanë nisur sot turin e inspektimeve në stadiumet që do të presin ndeshjet e këtij kompeticioni.
Stacioni i parë është stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër. Do të jetë pikërisht dita e nesërme që do të mirëpresë në këtë qytet përfaqësuesit e institucionit të futbollit europian. Kjo është vizita e dytë, e nëse për stadiumin gjërat mund të rregullohen dhe të zgjidhen problemet që ky impiant sportiv ka, shqetësimi më i madh është mungesa e terreneve të stërvitjes dhe nëse kjo nuk zgjidhet, atëherë rrezikohet seriozisht luajtja e ndeshjeve të Kampionatit Europian në këtë qytet.
Pas asaj në “Loro Boriçi” vizitat e përfaqësuese të UEFA-s do të vijojnë në “Elbasan Arena” dhe më pas në Tiranë, në “Arena Kombëtare” dhe “Arena e Demave”.
Gjatë këtyre vizitave do të vlerësohen nga afër kushtet dhe standardet teknike, infrastrukturore dhe organizative të katër impianteve, në kuadër të përgatitjeve për mirëpritjen e EURO U21 2027.
Kampionati Europian U21 do të jetë ngjarja më e rëndësishme sportive që do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027, ndërsa FSHF dhe UEFA po vijojnë punën për të garantuar përgatitjet në nivelin më të lartë.


