Speciale nga BESNIK DIZDARI

KAPITULLI III

RIKTHIMI I VLLAZNISË NË KAMPIONATIN E PARË TË SHQIPËRISË.

Kështu po më duket e drejtë ta nëntitulloj. Ndonëse për Vllazninë e Shkodrës dhe Zan Rragamin nuk do të kishte ditë të sigurta, por tejet të shqetësuara, plot ulje e ngritje. Skuadra e Shkodrës do të vononte të gjente vetveten.

Ajo e nis me humbje kampionatin kombëtar të Shqipërisë (Kategoria e Parë, siç është emërtuar zyrtarisht për më shumë se gjashtë dekada) që do të zhvillohej në kahun vjeshtë–pranverë si gjithë Europa (1962-‘63). Vllaznia humbet në Korçë 0-1, barazon 2-2 në Shkodër me Lokomotivën e Durrësit, por barazon në Vlorë më 13 tetor 1962. Zan Rragami është protagonisti i një 11-metërshi, ditë kjo kur Flamurtari paraqet të riun e një të ardhmeje të shkëlqyeshme, Mexhid Haxhiun, me të cilin mbas pak vitesh ai do të ishte së bashku në ngjarje historike të pashlyeshme të futbollit shqiptar.

Shtatë ditë më vonë vjen ndeshja e madhe e Rragamit tonë, një 2-2 i papritur në Tiranë me Partizanin, kur ishte 2-0 për vendasit deri në të 87’. Dhe mandej dy golat e rrufeshëm të Hallunit e Prezës që trondisin gati 10.000 shikues të stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Skeda e kësaj ndeshjeje paraqet ndryshimet e mëdha që kishin ndodhur në të dyja skuadrat:

20.10.1962. Tiranë. Stadiumi kombëtar “Q.Stafa”. Kampionati kombëtar:

PARTIZANI – VLLAZNIA 2-2

PARTIZANI: Janku, Deliallisi, Frashëri, Papadhopulli, O.Mema (Jashari), Dingu, K.Kraja, Gogoni, Pano, Shllaku, Resmja.

VLLAZNIA: Teli, Çapaliku, S.Zmijani, Hasa, Rragami, H.Kraja, Z.Halluni, Preza, Dani, Djepaxhia (Rakiqi), Çefa.

GOLAT: K.Kraja 56’, Pano 81’, Halluni 88’, Preza 90’.

Të dyja skuadrat janë në përtëritje të plotë. Partizani është përforcuar tejet me Frashërin, Osman Memën dhe Gogonin e Traktorit, dhe kështu, gjuetia e yjeve të të tjerëve nis e merr përmasa si në vitet ‘50. Ndërkaq, Vllaznia fiton 5-0 me Korabin e Peshkopisë, dhe ne, studentë të Tiranës, mbanim frymën te Rragami e shokët e tij.

Është viti 1962, ndër më të çuditshmit në sportin shqiptar. Kishte mbërritur tashmâ prishja me Bashkimin Sovjetik, po shtypi shqiptar vazhdonte të ngrinte në qiell sportin sovjetik dhe metodat e tij ende ishin sunduese. Ky është dhe viti befasues i vendosjes së “Llotosportit” në Shqipëri. Skedinat shiteshin në kioska dhe gazeta “Sporti popullor” buçiste në faqen e parë me tituj të këtillë publiciteti të panjohur për vendin e vogël socialist: “Sportdashës! Blini bileta të ‘Llotosportit’, provoni aftësitë tuaja për të gjetur përfundimet e ndeshjeve që përfshihen në ‘Llotosport’!”

Kam të ruajtur një skedinë timen, që drejt me thënë, për kohën ka modernen e saj. Ishim në kohën e luftës kundër sportit kapitalist, por ende nuk kishim mbërritur në atë kundër sportit borgjezo-revizionist. “Llotosporti” ishte në kulm në Bashkimin Sovjetik dhe Shqipëria ende dëgjonte zërat që vinin nga Moska. Nuk do të zgjaste shumë, megjithatë…

Ndërkaq, në historinë time personale, 3 nëntori 1962 daton botimin e shkrimit tim të parë në shtypin shqiptar, doemos me mbështetjen e gazetarit Ismet Bellova, me të cilin më lidhte miqësia e tij e ngushtë me të paharrueshmin tim, djalin e axhës, mësuesin e mirënjohur, Hiqmet Dizdari. Ishte një shkrim për një debat për atletikën e lehtë me bashkautor shokun tim të hershëm, gjithashtu student, Hamza Kastratin, me një titull tipik burokratik:

“Trajnerët të punojnë për cilësinë e jo për pikë”. Ne sapo kishim filluar të hynin me ndrojtje në zyrat e “Sportit Popullor” që ndodheshin poshtë tribunës qendrore të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, diku aty ku sot është tribuna-hyrje e stadiumit që shoi “Qemal Stafën”, tash “Air Albania”, “monstra arkitektonike” siç e ka quajtur prof. Neritan Ceka. Gazetarët e “Sportit popullor”, të atyre zyrave, Osman Palushi (kryeredaktori), Ismet Bellova, Arshi Seferi apo Prokop Koreta na dukeshin njerëzit më fatlumë…

E mbas këtij digresioni intim, kthehem sërish te pengesat për Zan Rragamin. Krejt papritmas, për herë të parë bëhet një përzgjedhje e tri ekipeve kombëtare, A, B, C, të cilët dalin kësisoj në fushën e lojës: ai A, 5-1 kundër Vllaznisë; ai B, 2-1 kundër Elbasanit; ai C, 0-1 me Lokomotivën e Durrësit. Janë 41 lojtarë të përzgjedhur dhe midis tyre asnjë nga Shkodra! Pra, as Rragami, të cilin përveç harresës ndaj futbollit të Shkodrës në tërësi, me sa duket e ndiqte edhe hija e biografisë, që në mënyrë enigmatike në çaste të caktuara, befas do t’i shfaqej.

Është vërtet fantastike se si asnjë prej treshes së talentuar shkodrane – e spikatura tashmâ, ajo Ragami-S.Dani-Rakiqi – me gjithë fillimin mbresëlënës që Vllaznia kishte interpretuar në këtë kampionat, nuk bën pjesë në 41 lojtarët e të tria skuadrave kombëtare të përzgjedhura. Nuk mund të kishte injorim më të madh, veçanërisht për atë që do të bëhej shumë shpejt një nga më të mëdhenjtë e Kombëtares: Zan Rragamin. Do të gjesh këtu emrat e 15-vjeçarit të talentuar I.Çeço, po dhe të të rinjve të tjerë po të talentuar si Ç.Hysi, N.Saraçi, A. Mema, A.Verrisë, B.Ishka, G.Kasmi, M.Janku, por kurrsesi të Rragamit, i cili shpejt do të ngjitej mbi ta, po as të Selami Danit apo të Esat Rakiqit.

Rasti natyrisht hyn në padrejtësitë e mëdha, të vazhdueshme të futbollit të kohës, gjithmonë të një nënvlerësimi të paparë për Shkodrën, e cila prej më se dhjetë vjetësh nuk mund të merrej me mend se mund të kishte një futbollist në Kombëtare. I fundit kishte qenë legjenda e saj, Muhamet Dibra…
Rragami te Vllaznia e re. Kjo është Vllaznia e vitit 1964, që mbërriti në finalen e Kupës së 20-vjetorit të Kongresit të Përmetit. Lart nga e majta: Trajneri Tonin KRAJA, Esat RAKIQI, Shuajp PREZA – SHOTA, Selami DANI, Medin ZHEGA, Bep ÇEFA, Haki KRAJA. Ulur nga e majta: Ramazan RRAGAMI, Frederik ÇAPALIKU, Pjetër DUSHAJ, Xhevdet BASHA, Kol GJONI

Rragami te Vllaznia e re. Kjo është Vllaznia e vitit 1964, që mbërriti në finalen e Kupës së 20-vjetorit të Kongresit të Përmetit. Lart nga e majta: Trajneri Tonin KRAJA, Esat RAKIQI, Shuajp PREZA – SHOTA, Selami DANI, Medin ZHEGA, Bep ÇEFA, Haki KRAJA. Ulur nga e majta: Ramazan RRAGAMI, Frederik ÇAPALIKU, Pjetër DUSHAJ, Xhevdet BASHA, Kol GJONI

Dhe për ironi të fatit, një javë më vonë në Shkodër është Vllaznia – 17 Nëntori 0-0. Prej këtu Vllaznia shkon e merr një fitore thuajse heroike për nga mënyra, deri përtej një drame në Elbasanin tejet të fortë 2-1, me në krye portierin e pathyeshëm Jonuz Teli mbas një gjykimi më guximtar se kurrë të arbitrit të paharrueshëm Dashamir Djepaxhia. Dhe mbas gati dhjetë vjetëve skuadra shkodrane e sheh veten në vendin e katërt!

Kur mbërrin mandej Kupa e Shqipërisë, Vllaznia i dorëzohet megjithatë, 17 Nëntorit dy herë 1-0, ndonëse Rragami është ndër më të mirët. Ky ishte çasti kur skuadrat pretenduese luanin tashmâ me shumë kujdes ndaj skuadrës së rilindur shkodrane. Dhe shì në këta çast vjen shkatërrimi i papritur: tri humbje rresht me fillimin e fazës së dytë Vllaznia bie befasisht dhe skuadra thuajse shpërbëhet, sidomos në mbrojtje.

Rragami nuk e gjen veten, Dani e Rakiqi nuk kanë qëndrueshmëri dhe në gjithë këtë rënie, skuadra sikur “gjen qetësi” në një fitore 1-0 kundër skuadrës së Ushtrisë së Kinës, ku autor i golit është pikërisht Rragami, përballë të cilit futbollistët kinezë hutohen të gjithë. Ai ka ditën e gjuajtjeve të tij të rralla, që iu fishkëllejnë shtyllave mike, organizon, sheh larg me shtatin e tij të drejtë e elegant, duke ngjallë admirimin e aziatikëve të habitur. Kishte shënuar golin e parë ndërkombëtar të tij.

Ishte çasti kur merr fund miqësia shqiptaro-sovjetike dhe për fat, shpërthimi i Rragamit do të nisë në një “epokë” të re. Dhe Vllaznia e cila, në këtë kampionat 1962-‘63, përfundon e 9-ta në 12 skuadra, ku për fat, nuk janë 10 skuadra si sot. Ndonëse fantazma e kategorisë së dytë shfaqet papritmas përsëri, në një kohë që në fazën e parë të kampionatit, ajo gati ishte konsideruar ndër skuadrat më të mira!

1964: ZAN RRAGAMI I KOMBËTARES?…

E pra, deri kur do të vazhdonte harresa e madhe ndaj Shkodrës? Vonë, shumë vonë, vetëm kur kishte marrë udhë kampionati 1963-‘64, e kur do të mbërrinte një ndeshje shpërthyese, e cila ka një ndikim të paparë për të ardhmen e protagonistit tonë. Ka qenë 16 shkurt 1964, faza e dytë e kampionatit kombëtar dhe në Shkodër është Partizani – Vllaznia, 1-1.

Ishte një Partizan absolut, e pakta me 7 titullarë të 11-shit të Kombëtares, përveçse skuadër e cila vetëm dy muaj më parë kishte fituar medaljet e arta në Turneun e Ushtrive të vendeve të kampit komunist në Hanoi, me përfundime të bujshme: 2-1 CSKA të Sofjes, 4-0 Honvedit, 3-1 Forvertsit të Berlinit dhe 0-2 me skuadrën e Ushtrisë Sovjetike mbas 120 minutave lojë! Ishte një 11-sh ndër më të famshmit në histori dhe mbi të gjitha i një Partizani të përtërirë, një drejtim i ri i trajnerit Loro Boriçi: Janku, Deliallisi, Papadhopulli, Frashëri, O.Mema, Shllaku, T.Shehu, Bukoviku, Ndini, Pano, Jashari…

Skeda e ndeshjes së Shkodrës është kjo:

16.02.1964. Shkodër. Stadiumi “Vojo Kushi”. Kampionati kombëtar:

VLLAZNIA – PARTIZANI 1-1

VLLAZNIA: Teli, Çapaliku, S.Zmijani, Xh.Basha, Rragami, H.Kraja, Çefa, Rakiqi, S.Dani, Djepaxhia, Preza.
TRAJNER: T.Kraja.

PARTIZANI: Janku, Deliallisi, Papadhopulli, Frashëri, O.Mema, Shllaku, Andoni, Pano, Ndini, Jashari, Dingu (Kraja).
TRAJNER: L.Boriçi.

GOLAT: Jashari 23’, Dani 67’.

Në këtë të Shkodrës janë plot 9 prej protagonistëve të turneut të Hanoit. Po protagonistët e saj janë dy: Selami Dani dhe sidomos Zan Rragami, i kudondodhur, mbrojtës dhe sulmues, organizator dhe shuter. Kjo ka qenë dita kur emisarët me spaleta të Partizanit do ta shënonin me germa kapitale emrin e tij në letrat e tyre. Këtu fillon lufta për rrëmbimin e Rragamit, një luftë kulisash, midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe organeve të partisë e të pushtetit në Shkodër, siç thuhej, të cilët për hir të së vërtetës, duhet pranuar se do të rezistonin jo pak, për të mos e lëshuar yllin e ndritshëm shkodran.

Kujtoj ndërkaq, se prania ato ditë e Partizanit në Shkodër, ka dhe një përmbajtje jo pak politike, socialiste, të suksesit. Medalistët e Hanoit takohen me punonjës shkodranë për të trumbetuar suksesin dhe Loro Boriçi, Miço Papadhopulli, Lin Shllaku e Fatmir Frashëri japin bisedat e tyre. Nga ana tjetër, shtypi ngre lart Rragamin si me qëllim dhe me siguri Loro Boriçi tashmâ nuk heziton. Sytë i ka te shkodrani 20-vjeçar.

Prapaskenat do të zgjasin edhe disa muaj, por më në fund në përzgjedhjen e dy ekipeve kombëtare, në atë B, gjen vend për herë të parë edhe emri i Rragamit.

Dhe ja, në çastin e fundit ai kalon me Kombëtaren A. Si ka mundësi? A ishte një ndikim i drejtpërdrejtë i trajnerit Loro Boriçi, i cili duke filluar nga kjo ditë do ta kishte një ndër futbollistët më të pazëvendësueshëm të formacioneve të tij? Me siguri. Kjo ishte deri atë ditë data më historike e Rragamit 20- vjeçar. Ndeshja është kjo:

04.03.1964. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”.

KOMBËTARJA A – BESA E KAVAJËS 2-1

KOMBËTARJA A: Janku (Ciko), Deliallisi (Kasmi), Halili, Frashëri, A.Mema, Rragami, K.Kraja, Bushati, Bukoviku, Pano, Ishka.

BESA: Topi, Boçari, E.Gjoci, Simaku, Lilamani, Daiu, M.Karriqi, Th.Rexha, Felahi, Zhelegu, Dimroçi.

GOLAT: Pano (11-m), Ishka, Frashëri (vetgol).

Por dy muaj më vonë, maj 1964, vetëm pak ditë para se Kombëtarja të shkojë në Roterdam për debutimin e saj për Kampionatin Botëror, ndeshje me Holandën kjo, prapë trajneri Zyber Konçi e kalon Rragamin në Kombëtaren B. Ka qenë ditë e diel, 3 maj 1964 dhe në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” para mijëra spektatorëve Kombëtarja A nuk arrin ta mposhtë Kombëtaren B të Zan Rragamit e shokëve të tij. Skeda e kësaj ndeshjeje, që po botohet këtu për herë të parë mbas plot 58 vjetëve, është një nderim për ata djem, të cilët mbanin peshë shpirtin futbollistik të shqiptarëve në një Shqipëri tejet të varfëruar e me plot probleme të mbijetesës. Skeda është kjo:

3 mars 1964. Tiranë. St. kombëtar “Qemal Stafa”.

KOMBËTARJA A – KOMBËTARJA B 0-0

KOMBËTARJA A: Topi (M.Janku), Deliallisi, S.Halili (M.Papadhopulli), Frashëri, A. Mema, Shllaku, Vorfi, Ishka, Bukoviku, Pano, Jashari.

KOMBËTARJA B: Rama (Josja), S.Gjoci, M.Papadhopulli (E.Gjoci), Kasmi, Rragami, T.Vaso, T.Shehu, Andoni, J.Saraçi(Rexha), Çeço, Sinjari.

GJYQTAR: R.Kuka.

Interesantja është se i mirënjohuri Miço Papadhopulli, luan për të dyja skuadrat!

Nuk ndalin ditët e përgatitjes së Kombëtares me plot dyshime për ndeshjen me Holandën. Trajneri Konçi, ndërkohë edhe ai ka mëdyshjet e tij.

Dhe do të ndodhë që në ndeshjen tjetër përgatitore, atë të Kombëtares A kundër 17 Nëndori 2-0 (shkruhej ende me “d”), duke shënuar Çeço e Bushati, ai përfshin në formacion edhe Rragamin. I cili për çudi, zëvendëson Lin Shllakun e madh, me të cilin jo larg do të përbënin dyshen stoike të Kombëtares. Përbërja është kjo:

Topi (Janku), Deliallisi, Halili, Frashëri, A.Mema, Shllaku (Rragami), Vorfi, Bukoviku (Çeço), Bushati, Pano, Jashari.

Por kur Kombëtarja luan me Labinotin e Elbasanit 4-0, Rragami nuk është. E po kështu, ai nuk është as në ndeshjen tjetër Kombëtarja – Dinamo 4-1 dhe as në atë me Besën e Kavajës 3-0.

E pra, çka po ndodhte kështu me këtë Kombëtare që do të udhëtonte në ndeshjen e saj të parë të pjesëmarrjes po të parë në Kupën e Botës, ndryshe Kampionati Botëror?…

SENSACIONI I PAIMAGJINUESHËM I KOMBËTARES SË SHQIPËRISË NË KUPËN E BOTËS.

Duke lexuar këtë nëntitull, lexuesi mund të mendojë se është fjala për një rezultat të madh të Kombëtares shqiptare. Nuk është i këtij rangu sensacioni. Është tjetërkund. Është në faktin se Kombëtarja e Shqipërisë shkon në Holandë me vetëm 13 lojtarë. Dhe ja se cilët ishin lojtarët që udhëtuan për në Holandë të kryesuar nga sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Alfred Kazanxhi – një zotni i shquar i Tiranës – dhe me trajner Zyber Konçin:

Mikel JANKU, Shevqet TOPI, Fatbardh DELIALLISI, Skender HALILI, Fatmir FRASHERI, Miço PAPADHOPULLI, Ali MEMA, Lin SHLLAKU, Bahri ISHKA, Pavllo (Ben) BUKOVIKU, Mehdi BUSHATI, Panjot PANO, Robert JASHARI.

Ky është një rekord botëror i llojit për një kombëtare shtetesh, i pathyer deri sot e kësaj dite. E mban Shqipëria të ruajtur në “kasafortën” e pahapur të “muzeut” të saj të fshehtë. Merre me mend se çka mund të ndodhte, që papritmas dy a tre lojtarë të sëmureshin rëndë. Bie fjala portierët Topi e Janku.

Holande – Shqiperi 2-0 1964

Është një enigmë e tanë për të gjetur përse është vepruar kështu.

Mirëpo, ja që në fuqi ishte rregulli i FIFA-s i moslejimit të asnjë ndërrimi të lojtarëve gjatë ndeshjes. Vallë, këtë kanë parashikuar drejtuesit shqiptarë apo elementi “biografi” e jo pak lojtarëve, “zbuluar” në çastin e fundit, e ka ngushtuar gjithçka në vetëm 13 lojtarë?

Shqipëria humbet 0-2 në Roterdam mbas një ndeshjeje gati heroike të qëndresës së saj 0-0 deri në të 48’ duke lënë përshtypje mjaft të mira te publiku holandez. Por rekordin e saj sensacional ajo e kishte vendosur tashmâ, duke hyrë në histori si e vetmja skuadër në botë që për një ndeshje të kualifikimeve botërore kishte ardhur me vetëm 13 lojtarë, duke pasur jashtë 11-shit titullar vetëm dy të tjerë: portierin Shevqet Topi dhe mbrojtësin Miço Papadhopulli!

Dhe ja, kur skuadra kthehet të Tiranë, është gazeta “Sporti popullor” që na befason në shkrimin e saj analitik për ndeshjen. Ndërmjet të tjerave ajo shkruan:

“…Lind një problem tjetër, ai i rezervave. Megjithëse u krijuan mundësitë për të stërvitur më shumë lojtarë, seleksionimi i ekipit kombëtar u bë duke u mbështetur në një numër shumë të kufizuar futbollistësh. Këtu përgjegjësia rëndon mbi trajnerët dhe FSHF-në që e lanë ekipin kombëtar pa rezerva”.

Kështu “u gjet” fajtori. A duhet besuar se vërtet trajnerët ishin “fajtorët”?

Kështu apo ndryshe, një rini që sapo mbërrinte në Kombëtare me në krye 20-vjeçarin Zan Rragami, duhej të priste ende.

Një herë tjetër, si një vështrim gazetarie, do t’ia vlente të merresh me këtë shkrim të rrallë të “Sportit popullor” në cilin jepet njoftimi se të shtunën e 29 korrikut 1964, “televizioni ynë shfaqi një dokumentar me metrazh të shkurtër i xhiruar nga kinooperatorët holandezë. Tash më kujtohet se pas disa ditëve ai u shfaq në kinematë para një filmi artistik. Kjo duhet të jetë kronika e parë televizive nga një ndeshje e Kombëtares jashtë Shqipërisë.


…DHE VLLAZNIA QË RREZIKON PËRSËRI RËNIEN, TEKSA SHKON NË FINALE TË NJË KUPE.

Ndërkaq, Loro Boriçi i ka dhënë Partizanit titullin e kampionit (për herë të tretë rresht) pa asnjë humbje. Vllaznia është e parafundit kur gjysmën e pikëve ua ka marrë skuadrave kryesuese, por shkon në ndeshjet e shpëtimit me Naftëtarin e Qytetit Stalin (Kuçova) për t’i ikur rënies në Kategorinë e Dytë. Më 3 korrik në stadiumin “Dinamo” të Tiranës në minutën e 81-të Naftëtari shënon 1-0 me T.Duron dhe është goli i Rragamit në minutën e 90-të që shpëton nderin e Shkodrës para disa qindra tifozëve shkodranë të ardhur posaçërisht.

Në ndeshjen e dytë, më 5 korrik shkodranët fitojnë 2-0 dhe sigurojnë qëndrimin në kategorinë e parë. U tha se ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, kërkoi që lojtarët shkodranë të sistemoheshin në dhomat-hotel të stadiumit “Dinamo” me të gjitha përkujdesjet e veçanta, në mënyrë që Shkodra të mos binte nga kategoria. Ec gjeje sot, nëse kjo përkujdesje ishte e ministrit, një dashamir i madh i pazëshëm i futbollit apo orientim i Partisë që të mos shkatërrohej përsëri skuadra e Shkodrës “reaksionare” – çka nuk do të ishte fort e këndshme as për politikat dinake të Partisë.

Të nesërmen shtypi shkatërron me kritikë pikërisht Vllazninë dhe gjithë futbollin e Shkodrës: ndërrime trajnerësh, mungesë terrenesh sportive, papërgjegjësi, drejtim i keq. Dhe asnjë fjalë për harresën shumëvjeçare ndaj saj të shtetit e të Partisë së bashku.

A ishte ky fundi i një periudhe të errët, mbi të gjitha të mospërkrahjes së talenteve të Shkodrës?…

Dhe mbërrijmë te 13 shtatori 1964. Një ditë e rrallë për Vllazninë e Shkodrës. Është dita e parë e kampionatit të ri dhe duke qenë se ajo fiton 3-1 ndaj Yllit të Kuq të Pogradecit, ajo renditet e para për një javë kampionati mbas gati 15 vjetëve. Dukej si fatndjellëse. Rragami shënon me 11-metërsh golin e parë dhe skuadra është po ajo, me përjashtim të debutimit të sulmuesit të ri Lekë Koçobashi, i cili do të bëhej një nga pikat më të forta drejt formimit të një Vllaznie të qëndrueshme në gjithë vitet që vijnë.

Ky kryesim fillimtar në të vërtetë duhet konsideruar si përurimi i Vllaznisë së një epoke të re, sepse qysh me këtë 13 shtator 1964, të gjitha skuadrat e Shqipërisë, prej më të mëdhave e deri te më të voglat, do të kenë punë me skuadrën shkodrane, rritja e së cilës nuk do të ndalet kurrë më. Ndonëse më mbas Vllaznia humbet 2-4 në Tiranë me Dinamon, me një gol spektakolar 20 metra larg të Zan Rragamit.

Duket se ky është çasti që shënjon hyrjen spektakolare në epokën e Zan Rragamit. Vllaznia përfundon e 7-ta në mbarim të periudhës së parë, por me vetëm 4 pikë nga kryesuesja që për herë të parë është 17 Nëntori i Tiranës, ku tashmâ janë kthyer përfundimisht Halili, Frashëri, Bukoviku, Gjoka, Bytyçi…

Po niste në këtë 1964 epoka e klubit të të vjetër të kryeqytetit që kishte jetuar për gati njëzet vjet në nëpërkëmbje.

Dhe ndërkohë çudia tjetër. E rrezikuara jonë e famshme papritmas e sheh vetën për herë të parë finaliste e një kupe të rangut kombëtar. Themi kështu sepse në Kupë marrin pjesë 12 skuadrat e kampionatit kombëtar të ndara në katër grupe. Është Kupa e 20-vjetorit të Kongresit të Përmetit.

Vllaznia fiton në Durrës 2-0 me Besën e Kavajës, 3-2 me Lokomotivën e Durrësit në Shkodër dhe zë vendin e parë në grupin e saj, duke fituar pjesëmarrjen në gjysmëfinale të cilat zhvillohen në Tiranë. Këtu skuadra e Shkodrës fiton 5-3 me Traktorin e Lushnjës, duke shënuar dy gola 18-vjeçari Din Zhega, 2 Selami Dani dhe 1 gol Shuajp Preza (Shota). Partizani fiton 3-0 me Flamurtarin dhe ja ku ekipi shkodran i Zan Rragamit me plot probleme kontradiktore, e sheh veten për herë të parë finaliste e një kupe të rangut kombëtar, që ishte kjo e përkujtimit politik të Kongresit të Përmetit.

Dhe shikoni se çka ngjet. Më 24 maj Kombëtarja e 13 lojtarëve të Shqipërisë luan në Roterdam në ndeshjen e saj përuruese të Kupës së Botës me Holandën dhe po më 24 maj 1964, ditën e 20-vjetorit të Kongresit që kishte “sjellë” para kohe në pushtet qeverinë e diktaturës, Partizani e Vllaznia luajnë finalen e Kupës në fjalë. Në Roterdam është 2- 0 për Holandën. Në Tiranë është 0-0 mbas 120 minutave lojë. Mandej 5-3 me 11-metërsha për Partizanin që fiton Kupën si për ta na kujtuar se Kongresi i Përmetit kishte qenë vepër e partizanëve shqiptarë.

A shënoi apo humbi Zan Rragami ndonjë prej këtyre 11-metërshave – interpretim ende në zbulim i tij, që do të bëhej një prej veprave më të mëdha të artit të tij futbollistik? Për fat, sot e kësaj dite nuk kam arritur t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje.

Ajo që do të jap përgjigje të shpejtë i përket fillimit të tregimit të ardhshëm kur ky Partizan “kongresual”, do ta shndërronte Zan Rragamin në pronë të tij…