Përballja e së mërkurës pritet me interes në të dy kampet. Jo vetëm se është ndeshja me më shumë rëndësi, takimi më i fortë në mes dy skuadrave me shumë emër por edhe për shumë arsye të tjera. Tirana dhe Vllaznia kanë shumë gjëra për të diskutuar me njëra- tjetrën. Nëse dëgjohen tifozët e të dy kampeve respektive, duhet të jetë një “luftë”.Por drejtuesit e klubeve me shumë mundësi nuk e konsiderojnë të tillë. Të paktën në Shkodër jo. Drejtues e futbollistë janë të interesuar vetëm për të kaluar turin. Asgjë më shumë. Duan të marrin një rezultat sa më të mirë të mërkurën në kryeqytet në mënyrë që me 13 dhjetor në “Loro Boriçi” të jenë ata që do të shkojnë në turin e tretë.

Por nga sa dëgjohet, në kampin bardheblu kjo sfidë po pritet me shumë interes për të marrë “hak”. Ato i ka hedhur një kategori më poshtë pikërisht Vllaznia në ndeshjen e fundit të kampionatit të kaluar. Ato duan me çdo kusht eliminim të shkodranëve sepse vetëm kështu mund të ndjehen paksa të lehtësuar. Bardheblutë janë duke u përgatitur për këtë gjë. Jo më kot, trajneri Ze Maria la pushim disa prej titullarëve për ndeshjen e fundit të kampionatit, atë ndaj Shënkollit, vetëm e vetëm që t’i ketë të gatshëm për ndeshjen me Vllazninë të cilën duhet ta fitojnë patjetër. Rrugëzgjidhje nuk ka përveç fitores, mundësisht edhe të thellë që do t’i bënte të hedhin një hap të sigurtë për kualifikimin. Në kampin shkodran ndërkohë trajneri Gjoka nuk ka lënë askënd pushim. Sfidën me Tiranën e konsideron të rradhës dhe në të cilën duhet marrë patjetër rezultat pozitiv. Vetëm kaq. Ky mbase është ndryshimi i madh në përgatitjet që dy ekipet po bëjnë për sfidën e së mërkurës.

© shkodrasport.com