FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDebutimi i 23-të sezonal, vetëm 3 futbollistë nuk kanë zbritur ende në...

Debutimi i 23-të sezonal, vetëm 3 futbollistë nuk kanë zbritur ende në fushë tek Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Emmanuel Obinna Nwokporo ka shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, duke debutuar me fanellën e Vllaznisë në ndeshjen e fituar 1-0 ndaj Dinamos. Mesfushori 19-vjeçar nga Nigeria zbriti për herë të parë në fushë në elitën e futbollit shqiptar, duke hedhur kështu hapat e parë në nivelin më të lartë të kampionatit tonë.

Për Obinnën, ky ishte një debutim me peshë, jo vetëm për faktin se luajti për herë të parë me ekipin shkodran, por edhe sepse bëhet fjalë për një futbollist të ri, që mund të përfaqësojë një premtim për të ardhmen e kuqebluve. Aktivizimi i tij në një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Dinamos mund të jetë një mundësi për të fituar gradualisht besimin e stafit teknik.

Megjithatë, debutimi i nigerianit përbën edhe një statistikë interesante për Vllazninë e këtij sezoni. Obina është futbollisti i 23-të që ka regjistruar të paktën një minutë lojë me fanellën e nëntë herë kampionëve të vendit në kampionatin 2026-2027.

Një shifër kjo që tregon se deri në javën e gjashtë të Superiores, trajnerët e Vllaznisë kanë provuar thuajse të gjithë futbollistët në dispozicion. Mes ndryshimeve në skuadër, problematikave të fillimsezonit dhe kërkimit të një formule sa më efikase, aktivizimet kanë qenë të shumta, ndërsa konkurrenca për një vend në formacion mbetet e hapur.

Në këtë mënyrë, edhe Obina i është bashkuar listës së futbollistëve që kanë marrë minuta në kampionat, duke shtuar një tjetër emër në rotacionin e kuqebluve. Për 19-vjeçarin, sfida tashmë është të shfrytëzojë mundësitë që do t’i jepen dhe të tregojë se mund të jetë një alternativë e vlefshme për skuadrën shkodrane.

Ndërkohë, janë vetëm tre futbollistë të Vllaznisë që ende nuk kanë regjistruar asnjë minutë në këtë edicion të Superiores. Bëhet fjalë për portierin e tretë Bunjaj, si dhe Kubazin e Tahirin, të cilët mbeten të vetmit që nuk kanë zbritur ende në fushë në ndeshjet e kampionatit. Një statistikë që konfirmon se deri më tani, pjesa dërrmuese e grupit kuqeblu ka pasur mundësinë të marrë minuta dhe të tregojë vlerat e saj.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments