Komiteti Ekzekutiv i FSHF, në mbledhjen e sotme të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, ka miratuar listën e ekipeve pjesëmarrëse dhe ndarjen e tyre në grupe për kampionatin e Kategorisë së Tretë për sezonin 2026/2027.
Në këtë edicion do të marrin pjesë 24 skuadra, të ndara në dy grupe, A dhe B, bazuar në afërsinë gjeografike. Të gjitha ekipet pjesëmarrëse kanë plotësuar kriteret e licencimit.
Në Grupin A bëjnë pjesë: KF Shkodra, Bulqiza, FK Shënkolli, KF Kukësi B, KF Mirdita, KF Tirana B, T-Kamza, Dinamo City B, KF Miloti, Korabi B, KF Adriatiku 2012 dhe North United FC.
Siç shikohet emri më i ri që i shtohet listës së ekipeve pjesmarrëse është ai i ekipit nga Shkodra, North United. Gazeta “Shkodra Sport” ka shkruar së fundi për të dhe tashmë skuadra e drejtuar nga trajneri Erjon Mani po bëhet gati për startin e kampionatit.
Ky i fundit do të nisë më 24 tetor 2026. Të premten, më 16 tetor, në orën 14:30, në “Shtëpinë e Futbollit”, Departamenti i Garave në FSHF do të organizojë edhe hedhjen e shortit për përcaktimin e kalendarit të ndeshjeve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


