Sulmuesi shqiptar me origjinë nga Shkodra- Alen Vukaj, luajti 83 minuta ndaj Club Brugge, pas dopietës së shënuar në Primavera kundër Como-s. Mediat italiane i kushtojnë vëmendje talentit të Kombëtares U19.
Alen Vukaj vazhdon të hedhë hapa të rëndësishëm në karrierën e tij te Interi. Pas dopietës së realizuar ndaj Como-s në kampionatin Primavera me skuadrën U20 të zikaltërve, sulmuesi shqiptar ka debutuar edhe në UEFA Youth League, kompeticioni më prestigjioz europian për klubet e futbollit të të rinjve.
18-vjeçari e nisi nga minuta e parë sfidën ndaj Club Brugge dhe qëndroi në fushë për 83 minuta, në një takim që përfundoi në barazim 1-1. Një tjetër mundësi e rëndësishme për futbollistin shqiptar, i cili po fiton gjithnjë e më shumë hapësira në strukturat e klubit italian.
Paraqitjet dhe progresi i tij nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga mediat italiane. Gazzetta Regionale i ka kushtuar një artikull të veçantë Vukajt, duke u ndalur te rrugëtimi i tij me fanellën e Interit dhe te momentet më të rëndësishme të karrierës së deritanishme.
I lindur në Leçe të Italisë, më 22 janar 2008, Alen Vukaj iu bashkua akademisë së Interit në vitin 2023. Që prej asaj kohe, ai ka vijuar zhvillimin e tij në një prej klubeve më të mëdha të futbollit italian, ndërsa është gjithashtu pjesë e Shqipërisë U19.
Një nga momentet më emocionuese për sulmuesin shqiptar ishte finalja e kampionatit italian U18, e zhvilluar më 13 qershor të këtij viti, ndaj Bologna-s. Pas një ndeshjeje që përfundoi 0-0 në kohën e rregullt dhe në shtesa, fati i titullit u vendos nga gjuajtjet e penalltive.
Pikërisht në momentin vendimtar, Vukaj tregoi qetësi dhe saktësi, duke realizuar penalltinë e tij dhe duke ndihmuar Interin të fitonte titullin kampion.
Nga protagonist në suksesin e skuadrës U18, te dopieta në Primavera dhe tashmë debutimi në UEFA Youth League, Alen Vukaj po ndërton gradualisht rrugëtimin e tij te Interi. Një ecuri që konfirmon se sulmuesi shqiptar mbetet një emër për t’u ndjekur me interes në futbollin e të rinjve.


