Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia vazhdon të jetë aktive në merkaton e verës, teksa drejtuesit kuqeblu kanë finalizuar edhe dy afrimet e radhës për skuadrën e sezonit të ri. Mbrojtësi Randi Dumfur dhe sulmuesi Rrok Toma janë përforcimet më të fundit që i bashkohen ekipit shkodran, duke shtuar alternativat në repartin defensiv dhe atë ofensiv.
Dumfur vjen pas eksperiencës së tij me Skënderbeun, ndërsa Toma transferohet në radhët e Vllaznisë në formulën e huazimit nga Partizani. Dy futbollistët konsiderohen si lojtarë me potencial dhe pritet të jenë pjesë e rëndësishme e planeve të stafit teknik për sezonin që po afron.
Pasditen e së martës, të dy lojtarët kanë qenë në Shkodër, ku kanë përfunduar procedurat e nevojshme administrative dhe janë pajisur me dokumentacionin përkatës. Menjëherë pas kësaj, ata kanë marrë rrugën drejt Sllovenisë për t’iu bashkuar grupit që ndodhet në fazën përgatitore.
Për stafin teknik është e rëndësishme që afrimet e reja të integrohen sa më shpejt me skuadrën, në mënyrë që të njihen me kërkesat taktike dhe ritmin e punës që po zhvillohet gjatë kësaj periudhe. Pikërisht për këtë arsye, klubi ka nxituar që të mbyllë procedurat dhe t’i dërgojë lojtarët pranë ekipit pa humbur kohë.
Me këto dy lëvizje, Vllaznia vazhdon të plotësojë gradualisht boshllëqet e krijuara nga largimet e shumta të kësaj vere. Kuqeblutë kanë qenë ndër skuadrat më aktive në tregun e transferimeve dhe sinjalet tregojnë se puna nuk ka përfunduar ende, pasi priten të tjera ndërhyrje në përbërjen e ekipit.
Nga dita në ditë, skuadra 9 herë kampione e Shqipërisë po merr konture më të qarta. Ndërsa faza përgatitore në Slloveni vazhdon, drejtuesit dhe stafi teknik shpresojnë që grupi të kompletohet sa më shpejt, me objektivin për të ndërtuar një Vllazni konkurruese dhe të gatshme për sfidat e sezonit të ri.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


