Pak ditë më parë, KF Vllaznia prezantoi projektin e qendrës së saj stërvitore që ka në plan të ndërtojë në të ardhmen. Ndoshta shumëkush nuk e mori seriozisht një projekt të tillë, por në fakt sot ka patur lajme të reja në lidhje me këtë investim shumë të rëndësishëm.
Gazeta “Shkodra Sport” mëson se marrja e lejes për ndërtimin e kompleksit është miratuar tashmë dhe pritet vetëm zbardhja e saj për t’i lënë vendin më pas nisjes së punimeve.
Siç e shikoni edhe nga fotoja që kemi postuar, 69 516 metra katrorë tokë e blerë në Omaraj të Malësisë së Madhe është me çertifikatë pronësie në emër të Klubit të Futbollit Vllaznia. Kjo padyshim që është diçka shumë e rëndësishme sepse tashmë klubi shkodran ka në pronësi të tij një goxha pasuri.
Bëhet e ditur se pas zbardhjes së lejes, do të nisin shumë shpejt punimet në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit për ndërtimin fillimisht të katër fushave të futbollit, tre prej të cilave do të jenë me bar natyral dhe një me bar sintetik. Puna mendohet të nisë shumë shpejt sepse këto fusha do të jenë gati për në qershor kur siç dihet edhe Shkodra do të mirëpresë ndeshje të Kampionatit Europian U21.
Dhe një nga kushtet për zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin “Loro Boriçi”, ishte edhe disponueshmëria e dy fushave për stërvitjen e ekipeve pjesmarrëse në Europianin U21 dhe këto fusha tashmë pritet të ndërtohen në “Vllaznia Elite Campus”. Pas ndërtimit të këtyre fushave do të nisë pastaj edhe zbatimi i pjesëvve të tjera të projektit të prezantuar nga klubi kuqeblu.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”.


