Për Vllazninë nuk do ketë shumë kohë për të pushuar sepse të mërkurën do të luajë ndeshjen e rradhës për kampionat, atë ndaj Teutës në transfertë. Një sfidë shumë e vështirë ndaj njërës prej skuadrave më në formë aktualisht të kampionatit, por kuqeblutë do të tentojnë të marrin pikë.
Për këtë takim stafi teknik i kuqebluve duket se do të ketë të paktën një mungesë të sigurtë. Bëhet fjalë për mbrojtësin Fatbardh Latifi i cili në minutën e fundit të ndeshjes së djeshme me Laçin, gjatë një vrapimi pësoi një tërheqje muskulare dhe si rrjedhojë ka pësuar një dëmtim që me siguri do ta lërë për disa javë larg fushës së blertë.
Nga ana tjetër te Vllaznia do të ketë dy rikthime, pikërisht ato të Emmanuel Obinna Nwokporo dhe Cristian Dros. Të dy ata nuk luajtën ndaj kurbinasve për shkak të ndëshkimeve me kartona, por do të rikthehen për sfidën e rradhës.
Ndeshja Teuta- Vllaznia do të luhet ditën e mërkurë në orën 18:30.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


