FAQJA E PARE FUTBOLLEsin Hakaj një futbollist i lirë, okazion për Superioren dhe jo vetëm

Esin Hakaj një futbollist i lirë, okazion për Superioren dhe jo vetëm

Shkruar nga Endri ÇINARI

Esin Hakaj është tashmë një futbollist i lirë. Mbrojtësi i majtë shkodran ka ndërprerë bashkëpunimin me Shkëndija Haraçinën, duke i dhënë fund aventurës së tij me skuadrën nga Maqedonia e Veriut. Lajmin e ka konfirmuar vetë 29-vjeçari përmes një postimi në rrjetet sociale, duke hapur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij.

Ndarja me Shkëndija Haraçinën vjen përpara hapjes së merkatos së janarit, një periudhë që mund t’i japë Hakajt mundësinë për të shqyrtuar alternativa të reja për të ardhmen. Duke qenë tashmë pa kontratë, mbrojtësi mund të jetë një emër interesant për skuadrat që kërkojnë të përforcojnë repartin defensiv me një futbollist që njeh mirë futbollin shqiptar dhe ka eksperiencë në kampionatin tonë.

Në fakt, para se të transferohej te Shkëndija Haraçina, për shërbimet e shkodranit kishte pasur interes nga ekipe të Superiores shqiptare, por edhe nga ato të Superligës së Kosovës. Një tregues se emri i tij vazhdon të ketë vlerë në tregun e futbollistëve, pavarësisht aventurës së fundit jashtë kampionatit shqiptar.

Hakaj ka qenë një nga mbrojtësit e majtë që kanë spikatur në futbollin shqiptar gjatë viteve të fundit. Përveç lidhjes së veçantë me Vllazninë, ku është aktivizuar në periudha të ndryshme, ai ka lënë gjurmë edhe me Teutën, Partizanin dhe Elbasanin. Eksperienca në këto skuadra i ka dhënë mundësinë të përballet me nivele të ndryshme kërkesash taktike dhe të fitojë njohje në kampionatin shqiptar.

Tashmë, me ndërprerjen e bashkëpunimit me klubin kuqezi, mbetet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja e radhës për 29-vjeçarin. Rikthimi në Shqipëri mund të jetë një alternativë, sidomos nëse shfaqet interes konkret nga skuadrat e Superiores, por në garë mund të jenë edhe klube nga Kosova apo kampionate të tjera të rajonit.

Merkatoja e janarit pritet të jetë përcaktuese për të ardhmen e mbrojtësit shkodran. Me eksperiencën e fituar dhe faktin që mund të firmosë si lojtar i lirë, Esin Hakaj mund të përbëjë një mundësi për skuadrat që kërkojnë alternativa në krahun e majtë të mbrojtjes.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments