Historia e saj është shumë e veçantë. Një histori saktificash, por edhe përkushtimi dhe njëkohësisht edhe suksesi. E kemi fjalën për historinë e kapitenes së ekipit të Vllaznisë, por edhe kapitenes së kombëtares shqiptare Megi Doçi. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 30 vjetorit të lindjes së saj dhe me këtë rast, Gazeta “Shkodra Sport” në emër të lexuesja të saj i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Megi ka lindur më 14 tetor 1996 në Burrel, por më pas spostohet të jetojë në Tiranë, aty ku dhe nis të luajë futboll. Fillimisht me ekipin Dardania, e më pas me Tirana AS, ndërsa në janar të vitit 2012 duke iu bashkuar ekipit të Adës atëherë me të cilin fitoi 2 tituj kampion dhe më pas kaloi tek Vllaznia me të cilin luan nga viti 2013 dhe deri më sot, me një shkëputje të vetme për disa muaj (janar- maj 2024) kur luajti me Gallatasarajn me të cilin u shpall kampione e Turqisë.
Me Vllazninë ndërkohë Megi rregjistron 12 tituj kampion, e po ashtu edhe 10 Kupa të Shqipërisë, ndërkohë që me fanellën kuqeblu ka arritu shumë suksese edhe në arenën ndërkombëtare duke kontribuar disa herë në kalimin e tureve dhe për të arritur kulmin në sezonin 2022-2023 kur Vllaznia u kualifikua në fazën e grupeve të Uefa Champions League dhe ajo madje arriti të shënonte edhe golin historik në portën e Real Madrid.
Doçi në nëntor të vitit 2022 festoi golin e 600-të në kampionatin shqiptar, në dhjetor të vitit 2023 festoi golin e 700-të në kampionat, ndërsa në nëntor të vitit 2025 golin e 800-të në kampionatin shqiptar dhe shumë shpejt mund të festojë edhe golin e 900-të. Në total, duke llogaritur edhe ato të shënuar në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, në Kupat e Europës dhe me kombëtaren shqiptare, shifra me siguri që i afrohet numrit 1000.
Njëkohësisht, Megi është shpallur disa herë fituese e “Këpucës së Artë” dhe “Topit të Artë” të futbollit shqiptar. Çka do të thotë se ajo është historia e futbollit të femrave në Shqipëri. Një futbolliste që rrallë do i vijë më Vllaznisë dhe futbollit shqiptar, por me siguri që ajo ka ende edhe shumë për të dhënë. Ka ende edhe shumë gola të tjerë për të shënuar sepse kjo është gjëja më e mirë që di të bëjë. Por sot nukështë koha për të parë më tej, sot ajo duhet të festojë ditëlindjen e saj bashkë me njerëzit e dashur.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


