Garës për titullin kampion në Superiore po i vjen fundi, me ndeshjen e së hënës mes Vllaznisë dhe Egnatias, që do të përcaktojë se kush do të bëjë të sajin trofeun për këtë edicion. Egnatia është ajo që do të mbrojë fronin, ndërsa Vllaznia vjen në këtë ndeshje vendimtare pas 24 vitesh të gjata pritjeje. Mes atyre që kanë çuar për herë të fundit trofeun në Shkodër, është edhe Klodian Duro, i cili asokohe ishte një nga emrat më të spikatur të kuqebluve.
Pikërisht ish-mesfushori i njohur elbasanas ka bindjen se ky është viti i duhur që Vllaznia të festojë përsëri titullin kampion, duke i dhënë fund kësaj pritje. Në intervistën e tij për “Panorama Sport”, Duro bën bilancin mes dy skuadrave që luajnë në këtë finale, ndërsa nuk ngurron të theksojë se ka disa arsye më të forta që këtë vit titulli të kthehet përsëri në Shkodër, një qytet ku një sukses “përjetohet si askund tjetër”.
Duro, gara e titullit tashmë ka vetëm një ndeshje për të përcaktuar fituesin, a ishte Vllaznia-Egnatia finalja e merituar?
Normalisht që kjo është ndeshja finale, që përcakton edhe fituesin e kampionatit. Mendoj që si Egnatia, edhe Vllaznia, e kanë merituar të jenë në finale sepse gjatë gjithë kampionatit kanë qenë aty, në krye, me gjithë ulje-ngritjet. Sidomos në ndeshjet finale, Vllaznia nuk është pak që fitoi me Dinamon. Një Dinamo që fitoi edhe Kupën e Shqipërisë dhe është me meritë në finale. Po ashtu edhe Egnatia, e cila ka qenë gjithë vitin e para dhe me atë ndeshje normale do të thosha.
Si i sheh dy skuadrat në këtë moment të sezonit?
Është finale e fortë, sepse është mes dy ekipeve që duan të fitojnë trofeun, derisa kanë ardhur këtu. Egnatia ka eksperiencën se është kampione në fuqi dhe Vllaznia do që të fitojë trofeun pas kaq shumë vitesh, që nga viti 2001, kur unë isha vetë pjesë e saj si futbollist. Mendoj se do të jetë ndeshje shumë e fortë dhe në fund uroj që të jetë Vllaznia që të fitojë trofeun.
Në këtë pikë, a ndikon më shumë eksperienca që ka krijuar Egnatia nga viti i kaluar apo dëshira dhe euforia që kanë në Shkodër ku presin titullin prej 24 vitesh?
Nuk diskutohet që Egnatia ka një ekip më të fortë, me lojtarë që luajnë prej 2-3 vitesh me njëri-tjetrin dhe nga viti në vit e ka forcuar skuadrën me elementë të rinj. Ajo është shumë e qartë në lojën e saj, e kontrollon lojën që nga minuta e parë, e qarkullon mirë topin dhe arrin të fitojë ndeshjet. Ka eksperiencën me vete, një mënyrë loje që shkon me logjikë te goli. Por mendoj që edhe Vllaznia ka treguar që di të përballojë këto lloj ndeshjesh, sepse ka futbollistët e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Hera-herës është treguar sa më cinike dhe i ka fituar ndeshjet. Nuk diskutohet që mendoj se publiku, tifozët shkodranë të Vllaznisë, do të jenë të shumtë, sepse pas kaq shumë vitesh pritje mendoj se ka ardhur momenti dhe është ndeshja e duhur për të rikthyer titullin në Shkodër pas 24 vitesh. Shpresoj që Vllaznia të bëjë ndeshjen e jetës dhe ta fitojë kampionatin, sepse e meritojnë tifozët e saj dhe qyteti i Shkodrës këtë titull.
Ti je fitues i titullit të fundit kampion në Shkodër dhe e di si përjetohet atje. E sheh Vllazninë tani më së fundi si një skuadër që mund t’i japë fund kësaj pritjeje të gjatë disavjeçare?
Normalisht që viti 2001 është i fundit kur Vllaznia është shpallur kampione dhe unë kam qenë pjesë e saj si futbollist dhe kemi pasur një ekip gati-gati perfekt, me një president të paharrueshëm, Myftar Çela, i cili bënte gjithçka për ekipin, me tifozët shkodranë të cilët na kanë qëndruar pranë që te ndeshja e parë, deri te e fundit në Shkodër kur kemi festuar titullin kampion. Ka qenë një atmosferë e jashtëzakonshme kur kemi festuar në një stadium të tejmbushur plot, që akoma edhe sot nuk e kam parë në Shkodër. Sepse qyteti i Shkodrës jeton me futbollin e Vllazninë, e dashuron ekipin. Dhe mendoj që, kur ekipi luan shumë mirë në fushën e lojës dhe fiton ndeshjet e shkon deri në fund për titullin kampion, në Shkodër përjetohet më mirë se në çdo qytet tjetër titulli kampion, kështu që mendoj që ka ardhur momenti që edhe Shkodra e Vllaznia të shpallet kampione, se e meriton e gjithë ajo tifozeri e zjarrtë dhe qyteti i Shkodrës.
Ajo periudhë në karrierën tuaj ka qenë e veçantë, u bëtë menjëherë një nga lojtarët më të dashur të tifozerisë. Nga aty nisi edhe rrugëtimi në klubet e njohura në Europë e në Kombëtare…
Unë në Shkodër jam ndier shumë mirë, më kanë mbështetur të gjithë, kam kaluar një periudhë dyvjeçare të paharrueshme për mua dhe karrierën time. Sigurisht në vitin 2001 kur u shpallëm kampion, ka qenë një nga sezonet më të mira për mua dhe për Vllazninë dhe i kam të paharrueshme akoma ditët në të cilat ne arritëm të fitonim titullin e fundit me presidentin Çela, trajnerin Dervish Haxhiosmanoviç, kapitenin Sinani, me shumë emra të mëdhenj të futbollit shkodran. Ndaj ndoshta nga futbollistët e ardhur kam qenë nga ata të cilët jam ngjitur shumë mirë me shpirtin, zemrën e futbollin shkodran. I kam falënderuar dhe u jam mirënjohës të gjithëve që nga ajo periudhë, pas të cilës vazhdova karrierën time në futbollin europian, me Kombëtaren por edhe me skuadrat e tjera në Shqipëri.
Çfarë ka bërë ndryshe klubi Vllaznia këtë vit që më në fund i shkoi më afër titullit se çdo herë tjetër që nga ajo periudhë? Vllaznia e këtij viti ka qenë një Vllazni me ulje e ngritje, por ka qenë aty në krye, nuk u është shkëputur për asnjë moment katër ekipeve më të mira që i shkojnë deri në fund kampionatit. Sigurisht ka dhuruar ndeshje shumë të mira, shumë të bukura dhe fitore bindëse. Por hera-herës ka pësuar edhe humbje të papritura apo rezultate negative të cilat pastaj i është dashur pak kohë për t’i kthyer në lojë e rezultate. Por mendoj se kanë një grup shumë të mirë futbollistësh, kanë cilësi brenda ekipit dhe lojtarë që hera-herës kanë ndihmuar ekipin për të arritur fitore dhe për të qenë në krye.
Këtë herë, ndryshe nga sezonet e kaluara, mendoj se një mbështetje shumë e fortë, përkrah presidentit Alban Xhaferi, ka qenë edhe sponsori apo mbështetësi kryesor i Vllaznisë, Ardit Kraja, i cili normalisht që i ka qëndruar pranë ekipit me financat dhe Vllaznia e këtij viti nuk ka pasur kurrë probleme me pagesat. Kjo mendoj që është arma më e fortë e Vllaznisë së këtij viti, se, duke pasur anën financiare të sigurt, kanë luajtur të qetë dhe kanë arritur që tashmë të jenë në finalen e kampionatit. Mendoj që presidenti dhe Ardit Kraja këtë herë kanë bërë gjënë e duhur se edhe ata e dëshirojnë rikthimin e titullit në Shkodër. Ndaj, të gjithë bashkë, presidenca, ekipi dhe tifozët shkodranë e meritojnë të jenë kampionët e Shqipërisë të këtij sezoni.
Cilët janë dy faktorët që mund të ndryshojnë ndeshjen në favor të njërës skuadër apo tjetrës?
Mendoj që Vllaznia faktorin kryesor për të qenë pranë fitores do të ketë publikun shkodran. Nuk diskutohet që do të jetë me të shumtë në numër se ata të Egnatias, për vetë faktin e tifozerisë së zjarrtë të Shkodrës dhe mendoj se do të jetë e shumtë në numër se pret prej shumë vitesh këtë titull. Në anën tjetër, do të jetë edhe cinizmi. Unë mendoj se Vllaznia ka cinizmin pë të fituar një ndeshje, siç fitoi edhe atë me Dinamon. Mendoj se ka potencialin për ta bërë edhe një herë, sepse një finale mund të mos e luash dhe mendoj se e tillë do të jetë ndeshja. Mendoj se topin do ta ketë Egnatia, por cinizmi dhe dëshira më e madhe e Vllaznisë do ta shtyjë ta fitojë atë. Ndërsa Egnatia faktor kryesor ka mbajtjen e topit, qarkullimin e dendur të tij, për të shkuar me logjikë te goli dhe për të fituar ndeshjen. Mendoj se do të përplasen këto dy filozofi në fushën e lojës, qarkullimi i dendur i Egnatias dhe cinizmi i Vllaznisë për të shënuar gol e për ta mbrojtur atë deri në fund.
E keni një parashikim për rezultatin e ndeshjes?
Mendoj dhe jam i sigurt që do të fitojë Vllaznia, pavarësisht se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, se ka përballë Egnatian me eksperiencë. Por mendoj që në fund do të fitojë Vllaznia, uroj që të jetë viti i duhur që Vllaznia të shpallet kampione, bashkë me tifozët dhe gjithë ambientin kuqeblu. Një rezultat? Mendoj që në fund Vllaznia do të fitojë 2-1.